Reforma sjell ndryshime shumë të thella të veprimtarisë dhe organizimit, në fushën ku ajo zbatohet. Reforma Zgjedhore, po vërtetohet, që nuk po kryhet, si pretendohet. Janë vetëm disa amendime që i bëhen Kodit Zgjedhor. Prandaj Reforma është sa për formë. Reforma në Drejtësi tashmë po i shfaq dukshëm dështimet e parashikuara. Kanë dështuar inicuesit e saj, parlamenti që e votoi me urdhër e qëndrim “gatitu”, si ushtria e “eunukëve” në oborrin sulltanor. Dështuan edhe ekspertët ndërkombëtarë të monitorimit. Me sa kuptohet, edhe BE-ja, nuk ka me vullnetin që ta zbatojë “Modelin e Shqipërisë” edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, pasi e para që e kundërshtoi, ishte Maqedonia e Veriut. Komisioni i Venecias po i bën “kritikën e kritikës”, me opinionet që po jep sipas kërkesave të institucioneve të Shqipërisë. Ndërsa “vetting-un” real të institucioneve kushtetutese të vetting-ut, po e bëjnë prokurorët dhe gjyqtarët e eleminuar, sipas tyre për motive politike. Ankesat e shumta po depozitohen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasbourg. Faktet e përditëshme të denoncimeve nga disa subjekte të eleminuar nga Komisionet e Vetting-ut dhe vendimet e pritëshme të kësaj gjykate, do të na japin tabllonë reale, se sa edhe Reforma në Drejtësi, ishte sa për formë.