PS përgatit atentat kushtetues / Mazhoranca socialiste injoron “Venecian” dhe përgatit me ligj fenomenin “Vorpsi” për të kapur KLSH

327
Sigal

PS-ja përgatit atentat kushtetues për të rrëmbyer edhe KLSH-në

Kryeministri Rama injoron “Venecian”, fut nga dritarja e Kuvendit fenomenin “Vorpsi”

Jakup B. GJOÇA

Komisioni i Venecias i quajti antikushtetuese procedurën e emërimit të anëtares së Gjykatës Kushtetuese “Vorpsi”, si edhe ligjin e qeverisë për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese tek noteri. Mirëpo, kryeministri Rama e injoron “Venecian” derisa nuk ka bërë asgjë, por, madje, përgatit një draftligj, në mënyrë të tillë, që të pak edhe KLSH-së, i vetmi institucion kushtetues, që ende ka mbetur pa kryetar, që nga 2018-ta. Njësoj, sikurse veproi edhe me Kryeprokuroren e Përkohshme, sikurse veproi edhe me anëtarët provizorë të Gjykatës së Lartë, që u emëruan nga EURALIUS, edhe tani, PS-ja përgatit draft rezervë për KLSH-në, nisma e mazhorancës për mekanizmin zhbllokues dhe marrjen e kompetencave të Presidentit. Projekt drafti i mazhorancës, i cili është gati të depozitohet në Kuvend, ka disa hapa, duke nisur që nga shfuqizimi në ligjin aktual të normativës që mban në karrige kreun e këtij institucioni, deri në zgjedhjen e pasardhësit. Kjo do të lejonte largimin e Bujar Leskajt nga drejtimi i KLSH-së. Hapi i dytë është shtimi i postit të zëvendëskryetarit. “Kuvendi me propozim të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit emëron zëvendëskryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Zëvendëskryetari emërohet për një mandat trevjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje më shumë se një herë dhe ushtron funksionet e Kryetarit, në të gjitha rastet kur vendi i Kryetarit mbetet bosh, për shkak të mbarimit të mandatit ose shkarkimit,”- thuhet në draft. Ky projektdraft është një atentat kushtetues, për të kapur KLSH-në, për të emëruar Kuvendi një zëvendëskryetar të preferencës së kryeministrit Rama. Por me largimin si fillim, të kryetarit në detyrë, Bujar Leskaj, nga ku niste edhe ndërhyrja ligjore e mazhorancës, nuk ka kush të propozojë zëvendëskryetarin. Këtë, socialistët kanë menduar ta tejkalojnë me një dispozitë tranzitore, duke ia deleguar kompetencën Komisionit të Ekonomisë. Brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kuvendi verifikon menjëherë vakancën të postit të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. “Komisioni për Ekonominë dhe Financat, brenda 15 ditëve vijuese i propozon Kuvendit, kandidaturën që do të komandohet në postin e Zëvendëskryetarit të KLSH-së dhe do të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e emërimit dhe plotësimit të vakancës së Kryetarit të KLSH-së,”- thuhet në draft. Me këto parashikime ligjore, Kuvendit do t’i duhen 84 vota dhe një muaj kohë, për të shtuar një karrige në KLSH-ë, me qëllim zgjidhjen e ngërçit me Presidentin, që vijon që prej dhjetorit 2018, kur kryetarit në detyrë, Bujar Leskaj, i mbaroi mandati. Që atëherë, mazhoranca i ka rrëzuar Ilir Metës 3 kandidatura: Vitore Tushën, Bahri Shaqirin dhe Petraq Milon.