Idajet Beqiri:“Është domosdoshmëri kombëtare largimi i Berishës nga pushteti”

463
Sigal

Idajet Beqiri, Kryetari i PUK-ut në intervistën për “Telegraf”, hedh dritë mbi realitetin politik të formuar pas “krushqisë” PS-LSI. Zoti Beqiri e pranon, që ky bashkim, ka shokuar vetë socialistët, dhe jo vetëm, ka sjellë një pështjellim te e majta dhe aleatët e saj, por njëkohësisht, zoti Beqiri argumenton se sot, përpara së majtës dhe shumicës së shqiptarëve shtrohet parësore domosdoshmëria e rotacionit politik, ndaj, nga kjo nevojë, duhet parë pozitivisht ky bashkim, duke u zhveshur nga kompleksiteti i moralitetit politik.

– A kanë ndryshuar raportet e aleatëve të tjerë  me PS-në, tani?

– Ardhja e LSI-së në koalicionin e majtë ka krijuar vërtetë një pështjellim të madh. Ishte një akt i papritur. Dinim qëLSI-ja do të dilte e vetme në zgjedhje, ose do dilte në kuadrin e Polit të Qendrës. Pastaj, pas 23 Qershorit, ishim të sigurt që LSI-ja do të vinte te PS-ja dhe te aleatët e saj për të bashkuar rezultatin që do arrinte në  23 Qershor. Për këtë shkak disa parti politike në koalicionin e majtë u dëshpëruan, ju lindi dyshimi se, do përsëritej skema famëkeqe e zgjedhjeve të 2009-s, kur votat e partive të vogla shpërndaheshin sipas qejfit nga numëruesit e PD dhe PS te subjektet që këto kishin interes, apo te ato parti që i kishin blerë këta numërues. Disa të tjera ende kanë dyshimin e “autogolit” që mund të bëjëLSI, domethënë që të marrë votën majtas dhe ta çojë përsëri te Saliu! Janë dëshpërime dhe dyshime të arsyeshme, por që me kohë do të fashiten e rikuperohen. Rëndësi ka që koalicioni është i qëndrueshëm dhe pa firo.

– A do të ndërtohen marrëdhëniet e bashkëpunimit në aleancën e Majtë, në bazë të platformës, apo çdo parti do të ketë kontratë të veçantë me PS-në, me kritere të tjera?

Veç LSI-së, të gjitha partitë e tjera në koalicion janë opozitare me qeverinë. Pika e parë dhe më e rëndësishme e Platformës është rotacioni i pushtetit, largimi i Berishës nga qeverisja. Për të tjerat, gjithsecila parti do të ketë marrëveshje bilaterale me PS-në, ku do të specifikohen dhe nënvizohen interesat e ndërsjella. Ashtu si në marrëveshjen kuadër me të gjitha partitë në koalicion, edhe në marrëveshjen bilaterale do të nënvizohet fakti që ruajtja e votës për çdo subjekt politik brenda koalicionit, mosdeformimi i saj. Kjo do të thotë që do forcojmë mekanizmat kontrollues që  të mos lejojmë në asnjë mënyrë Berishën të vjedh vullnetin e shqiptarëve, sikurse ka bërë këto 23 vjet, por nuk do lejojmë as hajdutët e tjerë numërues të PS-së, që deformojnë rezultatin e zgjedhjeve, sepse votat e partive të vogla të majta, jua japin partive “më të forta” të majta, që kanë lekë dhe i blejnë këta numërues e komisionerë.

A mund të themi se tashmë fituesi i zgjedhjeve të 23 Qershorit është i përcaktuar?
–  Koalicioni PS-LSI garanton maksimalisht, pa dyshimin më të vogël, fitoren e të majtës në zgjedhjet e 23 Qershorit dhe largimin përfundimisht nga pushteti të Berishës. Ndaj ky koalicion duhet të pranohet edhe nga të moralshmit e politikës dhe të vendit tonë. Pastaj, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se LSI-ja është pjesë e trupit të së majtës shqiptare. Ditë më të mirë, më të bukur dhe më dobiprurëse se sa dy muaj para zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, zgjedhje, të cilat ose do na ndajnë përgjithmonë nga e keqja, ku na ka zhytur keqdashësia kombëtare e Berishës, ose do të na fundosi në skëterrën e paimagjinueshme si vend, si popull e si komb, nuk mund të gjendej. Ndaj ardhja e LSI-së te PS-ja është e mirëseardhur, ndryshe për hir të “moralit”, do humbasim Shqipërinë!

3 votat e ish-deputetëve socialistë, që u dhanë qeverisë “Berisha”, ju si do t’i cilësonit?

– Berisha dhe të gjithë të djallëzuarit në botë, që kanë punuar dhe punojnë jo për interesat e popullit dhe të vendit të tyre, por për “agallarët” e tyre të huaj, të cilët i kanë kthyer në shërbëtorë, nuk punojnë dhe nuk veprojnë vetëm me një plan “A”. Ata kanë të gatshëm planin “B” e madje edhe “C” e “D” për të arritur qëllimet e tyre të mbrapshta të “zotërinjve” në interes të të cilëve punojnë. Të jeni të bindur që Berisha, qysh ditën që bëri pjesë të koalicionit LSI-në në vitin 2009, i ka patur të gatshëm “Tanët”, “Kaçët” “Shpëtimët”  e të tjerë deputetë të së majtës, për t’i bërë “mish për top” me qëllimin e vetëm që të bënte dhe të garantonte maxhorancën deri në fundin e mandatit të dytë! Gjithë kapacitetet mendore, intelektuale, kombëtare, e madje edhe financiare, duhet të bashkohen në të mirë të Shqipërisë që këtë prostitucion masiv ta largojnë nga politika jonë, me qëllim që ajo të “freskohet” me ujë burimi. Boll me kënetën 22 -vjeçare të politikës sonë që po mbetet prostitucion i gjallë!
A janë prishur raportet në administratën zgjedhore dhe a e ka më të mbrojtur tashmë votën opozita, meqë komisionerët e LSI-së janë me opozitën?
–  Nëse edhe anëtari i KQZ-së i propozuar nga PBDNJ-shi i qëndron opozitës, atëherë Berisha e ka humbur kontrollin e vendimmarrjes në KQZ, kjo jep edhe një garanci më të madhe mbrojtjes së votës. E njëjta  do të ndodhë edhe në strukturat e administratës zgjedhore, ndaj tani duhet të jemi më të sigurt se vota  e opozitës do të mbrohet më shumë.

– Cila mund të jetë kostoja politike, nëse zgjedhjet nuk realizohen me standarde demokratike?

– Nëse  Berisha do të prek përsëri votat e shqiptarëve, në se do të përpiqet të ndryshojë vullnetin e lirë të tyre, vendi mund të përfshihet në një kaos të përgjithshëm, ku do jetë vështirë të dal kush për ta kontrolluar situatën.
Duket se kemi një ngrirje marrëdhëniesh mes qeverisë dhe Brukselit. Qeveria bojkotoi konferencën e Komisionerit të Zgjerimit, Stefan Fyle në Tiranë. Këto  marrëdhënie a kanë ndikim politik në Shqipëri?
–  Në këtë pikë, për fatin e keq të popullit dhe të vendit tonë, Berisha ka “mësuar” instinktet e qenit. Qenit, kur i vjen ngordhja, vete dhe përmjerr në derën e Xhamisë! Berishës, kur i erdhi “ngordhja” në shkurt-marsin e 1997, “përmori” së bashku me kreun e ish-SHIK-ut famëkeq Gazidede kundër “imperializmit amerikan”! Kjo është një “shenjë e mirë” për shqiptarët, sepse tregon se atij i ka ardhur “ngordhja” dhe do të largohet më 23 Qershor.

Dilema e socialistëve për bashkimin me LSI-në

Ju si e gjykoni largimin e LSI nga qeveria?
– Për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se aleanca PS-LSI, e ka shokuar pjesën dërrmuese të elektoratit idealist shqiptar. Shoqëria jonë ka vite që përjeton një amoralitet të madh, në të gjitha fushat e për të gjitha gjërat. Parë në aspektin moral, opinioni i pastër publik shqiptar, politikanët e ndershëm dhe të moralshëm, jo vetëm që nuk e pranojnë aleancën PS-LSI, por edhe i ka pllakosur një dëshpërim aq i madh, se megjithëse janë idealistë të përbetuar të së majtës, megjithëse të keqen Berisha e konsiderojnë fatkeqësi kombëtare që duhet të largohet një orë e më parë nga qeverisja, përsëri janë në dilemë, të dalin apo jo për të votuar në 23 Qershor 2013 për të siguruar rotacionin e domosdoshëm të pushtetit. Kjo pjesë idealistësh, mes të cilëve bëj pjesë edhe unë, kanë argumentet e veta se përse nuk e pranojnë këtë “krushqi”. Në radhë të parë vlerësojnë se “de fakto” zhduket opozitarizmi në Shqipëri. Nëse bënë koalicion me “zemrën” e qeverisjes së mbrapshtë, të ka rënë motivimi i opozitarizmit, të ka rënë motivimi për të luftuar dhe pastruar korrupsionin galopant, që ka atrofizuar çdo qelizë të jetës së vendit, e që e ka varfëruar popullin në ekstrem, të kanë rënë shtyllat e programit të opozitës për t’i bërë gjërat ndryshe nga sa i ka bërë qeverisja aktuale, të ka rënë “Gërdeci”, të kanë rënë “Ngjarjet e 21 Janarit” etj., etj.. Por, nga ana tjetër, duhen peshuar mirë pluset dhe minuset. Duhen vënë mirë në balancë prioritetet dhe rrugët e arritjes së tyre. Prioritet mbi prioritetet për gjithë klasën e përgjegjshme politike të vendit, për elitën kombëtare dhe për gjithë popullin shqiptar pa përjashtim, qofshin këta të djathtë, të majtë, të qendrës apo pa identitet të caktuar ideologjik, është sigurimi i domosdoshëm i rotacionit të pushtetit, është largimi me çdo kusht dhe me çdo mjet të mirëfilltë demokratik i Berishës nga qeverisja, nxjerrja e tij në pensionin e përjetshëm, pasi përfaqëson fatkeqësinë tonë më të madhe kombëtare në 100 vjetët shtet shqiptar.

– Faleminderit!