Abdi Baleta:Diplomacia serbe turpëron OKB-në

555
Sigal

Vuk Jeremiç, në kapacitetin e tij si President i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka caktuar mbajtjen e një debati mbi punën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës mbi Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, këtë të mërkurë më 10 prill.  Vendimi i Jeremiçit, në shumë qarqe ndërkombëtare po shikohet si një përpjekje propagandistike e Serbisë për të diskredituar punën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, sidomos nga vendimet përfundimtare të kësaj gjykate në lidhje me gjeneralët kroatë Ante Gotovina dhe Mladen Markaç, por edhe Haradinaj. Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Abdi Baleta në intervistën për “Telegraf”, debatin që Jeremiç organizon në Asamblenë e OKB-së, e cilëson si një sfidë të turpshme të OKB-së ndaj parimit të vetëvendosjes së popujve.

– Zoti Baleta, së pari, a mundet  të pritet që nga ky debat,  duke u zhvilluar me iniciativën e Jeremiç, të ketë konkluzione objektive për historinë?

Së pari unë do t’i referohem shkrimit të “Telegraf”, të ditës së djeshme të Frank Shkrelit: Propagandë serbe në OKB”. Një shkrim që jep fakte, që jep vlerësimin, që është një nga shkrimet më të mirë që kam lexuar. Dihet që propaganda serbe ka efektin e vet. Por, duhet të dimë, që në fushën e propagandës, serbët na kanë mundur gjithmonë, neve. Po nuk pranuam këtë, do të thotë që nuk njohim as kundërshtarin, as armikun dhe humbja është e jona. Serbët janë të aftë për të bërë propagandë intensive mashtruese dhe këtë e tregon ky fakt. Ky debat në Asamblenë e OKB-së, që organizon Jeremiç, nuk duhet të ndodhte kurrë. Nuk është në praktikën e OKB-së, nuk i shkon rolit të  saj. Nuk përputhet me frymën që duhet të ekzistojë në OKB, nuk përputhet edhe me misionin që duhet të luajë OKB-ja. Serbët, duke patur  njeriun e tyre sekretarin e Asamblesë të OKB-së, arrijnë deri në këtë pikë. Ky debat është sfidë e turpshme për OKB-në, që e vë PKB-në në një pozicion të vështirë, për hatër të një shovinisti serb, e të një politike shoviniste serbe, ruse, etj.. Është një veprim me implikime shumë të rënda për ecurinë e diplomacisë botërore.

– A mund të përdoret OKB-ja si platformë e nacionalizmit serb, duke mundësuar zhvillimin e këtij debati?

OKB-ja për mision ka që të mos përdoret kurrë për propagandë të njëanshme, të këtij apo atij nacionalizmi. OBK-ja ka për detyrë që t’i përmbahet me rreptësi parimit të vetëvendosjes së popujve. OKB-ja duhet të mbështesë popullin e Kosovës që është për vetëvendosje dhe t’i kundërvihet shovinizmit e gjenocidit serb. Organizimi i atij debati që është tërësisht jashtë sistemit të punës së OKB-së, s’ka të bëjë fare me veprimtaritë tipike të OKB-së. Dhe të bëhet në emër të OKB-së, dhe brenda strukturës së OKB-së, është sfida që asnjëherë nuk e ka bërë OKB-ja ndaj vetes së saj.

– Pas këtij debati,  Ballkani e bota a mund të ketë një  pikëpamje tjetër për çka të keqe ka  bërë Serbia ndaj popujve fqinj?

Rusia dhe disa shtete që mbështesin Jeremiçin këtë synojnë, që në botë të krijohet një pikëpamje, një përshtypje tjetër për Serbinë, që të falet e të harrohet kriminelët serbë, e pse jo, edhe t’u kërkohet falje që i kemi dënuar deri më sot. Sa do t’ja arrijnë, është tjetër punë. Kjo mund të shkaktojë edhe më tej,  polarizimin e politikës botërore. Sepse edhe ata që kanë patur iluzionin e vet, se Serbia në heshtje po e ndjen fajin e vet dhe po korrigjohet, e shikojnë se me të tilla debate në OKB, Serbia është në mësymje, për të mbrojtur një politikë të dështuar, e cila e ka vënë në siklet edhe vetë OKB-në. Ata mund ta bënin shumë mirë në Beograd. Të thërrisnin edhe Jeremiçin, edhe mua, edhe këdo tjetër.

– Nuk e kanë zgjedhë pa qëllim OKB-në! Por çfarë duan në të vërtetë serbët të arrijnë?

– Padyshim, jo, sepse ka edhe një gjë. Serbia pësoi disfata të rënda në OKB. E para, nuk e përdori dot OKB-në për të ndaluar ofensivën eNATO-s kundër Serbisë në 1999-n.  E dyta, ata duan që të dalë gabim ndërhyrja e NATO-s, e cila ndali gjenocidin serb në Ballkan. Ata duan që të dalë i gabuar vendimi  Këshillimor i Gjykatës së Hagës për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, që është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ata duan që plani 6 –pikës i Ban Kin Minit të zëvendësojë edhe planin e Atihsaarit. Serbët duan të sfidojnë edhe disfatën e tyre që 100 shtete e kanë njohur Kosovën.

– A mund të shihet kjo si një mundësi e Serbisë për të përhapur agjendën nacionaliste serbe dhe njëkohësisht, duke fyer rishtas viktimat e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Bosnje Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë?

– Pa asnjë dyshim. Ky është një thellim i diplomacisë serbe në politikën e gjenocidit dhe spastrimit etnik. Ata dështuan ta bëjnë këtë me armë. Kjo është një ofensivë e re e diplomacisë shoviniste serbe. Serbët kanë patur një aksiomë. “Serbia humbet në paqe atë që ka fituar në luftë”. Tani Serbia e ka ndryshuar këtë aksiomë. Tani Serbia përpiqet të fitojë në paqe, atë që ka humbur në luftë.

– A mendoni se me këtë veprim, bie poshtë kritika greke dhe serbe për nacionalizëm. Bëhet fjalë për kritikat ndaj Berishës dhe AK-së?

Në qoftë se ka më absurde, janë lebetitjet, nuk i quaj kritike, që dëgjohen në Athinë e Beograd për rrezikun e nacionalizmit shqiptar. Nacionalizmi shqiptar është i vetmi nacionalizëm që nuk ka patur dhe nuk ka kurrë tipare agresive, keqdashëse e keqbërëse në Ballkan, gjatë gjithë historisë, që nga lindja e tij. Shqiptarët nuk kanë kultivuar ndjenja nacionaliste ndaj popujve të tjerë. Ku është gabimi ynë. Te ky nacionalizëm i vonuar kryeministror i Berishës dhe te anti-nacionalizmi i prapambetur i socialistëve, që iu hodhën duke i thënë: “Ç’na bëre kështu!”. Por më e keqja është te zoti Fyle, që na bën leksione për nacionalizmin, e për çudi, edhe zoti Fyle e Kukan, paskan studiuar po në atë institut për marrëdhëniet ndërkombëtare në Moskë, ku kam studiuar edhe unë. Ajo frymë ndërkombëtare e studiuar në atë institut të Moskës, vjen në Shqipëri, nëpërmjet të dërguarve të BE-së. Kukan e Fyle nuk bashkëjetuan dot bashkë në Çekosllovakinë, është skandaloze të na japin leksione për nacionalizmin tonë.

– A mendoni se Shqipëria duhej të ishte më aktive në zgjedhjet që u zhvilluan në Mal të Zi dhe Maqedoni duke mbështetur faktorin shqiptar. Rasti i Strugës dhe disa qyteteve të tjera në  Maqedoni tregon se, të bashkuar maksimalizojmë votat dhe marrim drejtimin e komunave dhe bashkive?

– Shqipëria duhet të ishte më aktive në të gjitha  veprimet që kryhen në Maqedoni, Preshevë, Mal të Zi, Kosovë, Çamëri, sikurse përpiqet edhe Serbia të bëjë republikë një grusht njerëzish në Kosovën e Veriut. Pse ne të mos përpiqemi të kishim Republikën “Shqiptarska” në Maqedoni?

Jeremiç përpiqet të falsifikojë historinë e Ballkanit

 – Ky debat i organizuar nga Vuk Jeremiç, a është në konflikt të hapur interesi, ku Jeremiç, si zyrtar i lartë i OKB-së, e shfrytëzon detyrën e vet për përfitime personale dhe të vendit të tij, në dëm të së vërtetës e përpjekjeve për të falsifikuar historinë?

Unë jam plotësisht dakord me konkluzionet e zotit Shkreli, të botuara në “Telegraf”. Ai debat është në konflikt interesi. Por, më keq. Kjo është sfidë për vetë OKB-në. Jeremiç, pasi ka siguruar për turpin e OKB-së postin e Presidentit të Asamblesë, sepse nuk duhet të ishte ai president. Nuk duhet të kishte një serb, pa kaluar, të paktën, 50-60 vjet nga gjenocidet e fundit serbe ndaj popujve të Ballkanit. Vetë prezenca e Jeremiç në postin e Presidentit të Asamblesë të OKB-së është një sfidë e frymës së OKB-së. Është sfidë për historinë që është zhvilluar në Ballkan. Dhe tani, në vend që të ruajë maksimumin e etikës njerëzore, politike, ky njeri sfidon OKB-në,  sepse do ta kthejë  OKB-në në një tribunë kundër  dënimit  që i është bërë gjenocidit serb.

 – Faleminderit!