Afera me inceneratorin e Fierit/ SPAK mbyll hetimet, dërgon për gjykim Lefter Kokën, Alqi Bllakon dhe 19 të tjerë

97
Sigal

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, sekretari i përgjithshëm Alqi Bllako dhe 19 persona të tjerë të përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit tashmë janë në bankën e të akuzuarve për 7 vepra penale. SPAK ka arritur të provojë 8 fakte që i ngarkojnë me përgjegjësi penale të dyshuarit. Konkretisht, SPAK ka provuar se ish-ministri Lefter Koka dhe anëtarët e komisionit kanë shkelur ligjin në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës për inceneratorin e Fierit. Po ashtu është shkelur ligji gjatë shpronësimit të pronës ku u ndërtua kjo vepër që me firmën e Lefter kokës dhe Alqi Bllakos u shndërua nga tokë arë në tokë truall duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 14 milionë lekë. SPAK ka provuar se të pandehurit Alqi Bllako, Arben Dervishaj dhe Etleva Kondi, kanë marrë përfitime të parregullta nga i pandehuri Klodian Zoto. Por ndërsa 3 zyrtarët tashmë janë në bankën e të akuzuarve në gjykatën e posatçme, ish-ministri i Financave, Arben Ahmertaj, i cili po ashtu ka përfituar nga Zoto bileta avioni dhe suita hoteli bileta, ai nuk është hetuar nga SPAK dhe nuk është përfshirë në këtë dosje. 146 milionë lekë sipas SPAK janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga shoqëria që përfitoi koncesionin dhe nga ajo që ndërtoi inceneratorin. Nga shoqëritë janë pranuar fatura tatimore shitjeje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri të tjera të lidhura me ish-ministrin, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer. 14 milionë lekë janë përftuar në mënyrë të tërthortë nga Alqi Bllako pasi babai i tij u punësua fiktivisht si drejtor kantieri. Ndërsa 59 mln lekë ishte dëmi në buxhetin e shtetit nga skema mashtruese mbi tatimin mbi vlerën e shtuar që të akuzuarit kishin ndërtuar.