Genc Ruli: Elegji për Kolin!

U ndjeva mjaft në siklet kur m’u kërkua të mbaj një elegji të shkurtër në përvjetorin e parë të vdekjes së Kolit. Sigurisht që s’do të mund të thoja kurrë jo. Me ty Koli flisja lehtë, por për Ty, nuk flas dot aq lehtë. Ndihem në vështirësi, sepse fjalët e mia nuk kanë qenë kurrë të mjaftueshme për të shprehur dhimbjen dhe dashurinë, për këdo që ka qenë i shtrenjtë e që një ditë nuk është më mes nesh. I kam respektuar më shumë për konformizëm, por pa i vlerësuar ritualet tradicionale të përcjelljes së fundit të të tjerëve, apo të përkujtimit të tyre. Sepse më është dukur gjithmonë sikur ka një dhembshuri dhe ndjenjë pak të shtirur e të sforcuar në shumicën e tyre, sa kohë që me të njejtat fjalë, vajtime, lotë dhe epitafe përcillet edhe i miri, edhe i ligu, edhe i vleri, edhe i pavleri, edhe i forti, edhe i dobëti, edhe i tradhëtuari, por edhe tradhëtuesi. Ne të gjallët jemi disi të çuditshëm, pasi pabarazinë e pashmangshme, që individët kanë sa janë gjallë, e vulosim me një ritual barazues e disi të gënjeshtërt në çastin që ata shkëputen nga kjo jetë. Por, edhe një arsye tjetër më vinte në siklet, ndërsa shkruaja këto fjalë. Distanca e kohës, malli që prodhon mungesa e atij që donim, e pse jo: një lloj borxhi që ndjejmë kur kuptojmë që u desh që dikush të vdesë që ne të ndiejmë dhimbshëm se sa i shtrenjtë, se sa i rëndësishëm, se sa i nevojshëm ai paska pas qenë për ne. Gjithe ky reflektim na bën që të trazojmë ndjesitë tona, me realitetet. Duke dashur të kujtojmë e të sjellim në mendje portretin e Mikut tonë, padashur kemi krijuar një kult, një portret të zbukuruar me dashuri, por dhe me tepri, e që nuk është më portreti i Mikut, siç qe dikur. Dhe kësaj dua t’i shmangem, ndërsa flas për ty Koli. Pikërisht ne që qemë miq kur ti ishe gjallë, duhet të të kujtojmë ashtu siç ke qenë Ti, me ato tipare dhe ngjyra që përbënin portretin e Kolit kur qe në jetë. Sepse pikërisht ne e dimë më mirë se si do të tërboheshe ti, po të shihje se si do të ta kishin zbukuruar e rafinuar portretin real.

Pra, mbasi shpreha këtë siklet timin, ndjehem mirë të flas më qetë.

Sigal

Koli, pranoma të ta them sot, me më të madhin sinqeritet, se sa kohë që ti ishe mes nesh, vërtet që nuk e kisha kuptuar që më ishe aq i çmuar, aq i nevojshëm, aq mik e shok, sa çe ndjej tani. Duhej dhimbja e mungesës, leximi i zbrazëtirës që le pas, që ta ndjeja thellë se sa të kisha Mik, o bir! Vetëm një ditë pas asaj nate të rëndë plumb, si sot një vit më parë, kur shtangia dhe mpirja nga befasia e gjëmës që ndodhi kaloi, dhe dhimbja filloi të na torturonte zemrën, u ula në tavolinën e heshtjes e pa menduar se çfare flisja, i them Astritit, Ridit dhe të tjerëve: “Djema, më duket sikur dje po qanim Kolin, ndërsa sot ne po qajme veten tonë”. Pa dashur e paditur, kisha artikuluar atë paradoks që ndërton përjetimin dhe kuptimin tonë mbi Jetën apo mbi Vdekjen. Jetën dhe dëshirën për të e lexojme brenda vehtes sonë, ndërsa Vdekjen e shohim dhe e kuptojmë vetëm tek tjetri. Se siç e thoshte Seneka i urtë: “Njeriu kurrë nuk ndeshet me Vdekjen e tij, sepse kur ajo vjen, ne sapo kemi ikur”. Nuk jetove gjatë o Miku ynë, por jetove shumë. Në fund të fundit, nuk janë vitet në jetën tënde ato që kanë rëndësi, por është jeta në vitet e tua. Me atë lum të rrëmbyeshëm jete që rodhi në vitet e tua do të xhelozojë shumë të gjallë të pakallur, por edhe shumë të kallur që zor se kanë qenë gjallë. Sikur e dëgjoj me tinguj reale atë që do të thoje ti, po të mundeshe, pasi të dëgjoje këtë rrëfim timin: “Po ç’ke ti me jetën time mor zotri, sikur dhe shtatë jetë të kisha patur, njëlloj si ajo e para do t’i kisha bërë”. Na e fal o “Qorr”, që po merremi me ty, por përvjetori yt është, e ku ta di unë ç’do të thoje ti, po të ishte përvjetori i im. Ti e bëre jetën tënde miku im Sokol, e jo thjesht e jetove atë. Çdo moment, çdo detaj, çdo ngjarje e saj ishte produkt i vullnetit tënd të pashterueshëm, i asaj energjie që nuk flinte kurrë, i vrullit të ndjenjave e të emocioneve të tua.

Piktura e jetës tënde ka poshtë vetëm firmën tënde autentike.

Ti rendje aq vrullshëm, a thua se kishe vënë një bast të fshehur me kohën, aq sa nëe potretin tëend mplekseshin çuditshëm edhe burri, por dhe djaloshi, i urti por edhe i krisuri, optimisti por edhe i mërzituri, i paduruari për aksion por dhe ai që, qetë dhe ngeshëm, shijon artin e poezinë. Ndalje pak sa për të marrë frymë, e përsëri rendje e rendje. Te lodhur e të dërrmuar na ka rastisur të të shohim, por kurrë të dëshpëruar e të dorëzuar. Ti ishe politikan i devocionit dhe i betejës, në më të shumtën e viteve të tua. Një kontrast domethënës në raport me qëniet e çuditshme, që sot i prodhon me klonim, apo me aplikime, merkatoja e politikës aktuale.

Ishe dërrmues me kundërshtarin, por kurrë s’të mungonte respekti për të.

Kishe të fortë cilësinë e oratorit politik, por fjalimet e tua më të bukura qenë ato kur mendja ishte në sintoni me zemrën. Ishe besnik i kauzës tënde politike, sepse mbi të gjitha ishe besnik i vetvetes. Askujt nuk mund t’i përshtatet më shumë vargu i Kiplingut: “Të jesh i aftë të pish me mbretin e të hash po atë ditë me neferin, por duke mbetur vetvetja, o njeri!” Ti pije me mbretin, por pa u dehur, ishe i nevojshëm e luajal, por pa u bërë fanatik e i përulur. Ti shtroheshe në sofër e haje me gëzim me neferin, por duke ditur të dilje i panjollosur nga vulgariteti që ndeshje aty.

Ishe i bindur deri në kokëfortësi në atë që dije, por të kam parë që pa siklet e shtirje, pyesje e dëgjoje përulshëm për ç’ka nuk dije ende. Kishe shumë besim te vetja, madje me tepri, por kjo s’të pengoi asnjëherë t’u jepje respekt e vlerësim atyre që dinin më shumë se ty. Nuk sforcoheshe të shtireshe si i ëmbël e i butë, jeta jote që në fëmijri s’ta kishte sheqerosur kurrë këtë ndjesi. Por brenda teje ekzistonte një oaz jo i lehtë i gjetshëm, i poetizmit dhe dashurisë. Por jo çdo udhëtar mund të ndalej aty. Ishe cinik, kudo e me këdo, sepse urreje komoditetin e shtirjes dhe hipokrizisëe konvencionale, qëe aq shumëe pëerdoret mes tëe gjallëeve. Por edhe sepse cinizmi ishte pëer ty forma mëe pa hile dhe mëe pak konformiste e komunikimit me të tjerët. Asnjëherë dhe askush nuk mundi të të kapte në befasi në fjalë, por mjerë ai që kapej në befasi prej teje. Ta dija këtë huq, dhe avantazhi që më jepte urtëesia e dinakëeria e njëe moshe mëe tëe madhe me shtynte shpesh tëe tentoja tëe tëe kapja në befasi, ose të paktën mos ma shkaktoje ti befasinë. Por qe përpjekje e vështirë. Lejomëni të kujtoj një rast të vetëm, të ndodhur në orët që kaloja më shumë me Kolin, në mbledhjet e kabinetit qeveritar. Ai qe mbërthyer prej disa minutash në një debat të fortë në nerva e argumentime, ishte realisht nervoz. Ulur ngjitur me t, duke dashur ta qetësoj, i nis një sms ku i shkruaja: “Koli, çfarë do të bëhesh ti kur të rritesh?”. Pa u shpërqendruar nga debati dhe replikat e forta, e lexon mesazhin tim dhe duke vazhduar të replikojë, shkruan përgjigjen: “Xhaxhi Genci, unë kur të plakem dua të bëhem Ministër Bujqësie”. Dhe vetëm kur e mbaroi debatin – me një fitore sigurisht – u kthye nga unë me një pamje të embël e me një vetëkënaqësi prej Bude, dhe më tha: “S’të eci mo xhaxhi Genci!”. Qeshëm mes nesh si të marrë.

Sokol, vetëm një vit larg e mungon shumë o Mik. Jo vetëm i mungon Kozetës, Kelës e djemve, por na mungon edhe ne. Por ti sot i mungon më shumë ngjarjeve që me ty do të ishin ndryshe, aksioneve politike ku mungon vullneti dhe energjia jote e pashtershme. Ndoshta janë ende pak ata që e kuptojnë sot këtë fakt, por kjo nuk më nguron të them se shumë gjëra do të kishin qenë më ndryshe e më mirë, sikur ti të kishe qenë mes nesh në këtë vit.

Vdekja veçse i ndërpret jetës rrjedhjen e kohës së saj tek një individ.

Koha dhe mosha kanë ngrirë tashmë tek ti, Miku im. Çdo vit e më shumë që do të rishihemi në përvjetoret e tu, ti do të mbetesh po ai, por ne jo ama. Koha për ne ecën, na plak edhe më tej.

Ky fakt i thjeshtë më ngjall padashur edhe një farë ankthi, or Mik. Sepse shumë kthjelltas të shoh që tani, ulur mbi një gur e me cigaren në gojë, në anë të atij shtegu ku natyrshëm një ditë të gjithë ne do të kalojmë. E ti që na pret pa ngut, dhe kur secili prej nesh atij shtegu do kaloje, ti, me vështrimin tënd ironik, do t’i lëshosh ca fjalë: “He mo i paudhë, erdhe dhe ti? Po qenke fishkur si mafishe mo!” Ndoshta veç Kozetën do të kurseje në këtë fshikullimë të fundme ironizimi, o Koli. Por duke e ditur që s’duht tëe të le pa kundërpërgjigje po aq të hidhur, që sot jam vënë në sikletin të mendoj për të. Por do jetë e mira që dhe ju, or miq, të filloni që tani të mendoni se si do t’i përgjigjeni, atij mistreci që na pret atje. Se po mori përgjigjen e duhur është e sigurt që ai do të zbresë nga guri anës shtegut dhe duke qeshur do të vijë të na përqafoje. Sepse ky është Koli dhe as në atë botë s’ka për të qenë ndryshe. Për më tepër, se jo veç ne kemi mall për të. Edhe ai, mall të madh ka për ne. Dhe të gjithë dimë që Koli vetëm kështu di ta shprehë mallin.

 

*Shënim: Ky shkrim është përgatitur në 20 nëntor 2014 dhe po botohet nga Gazeta Telegraf në nderim të 9 vjetorit të ndarjes nga jeta dhe 50 vjetorin e lindjes të Sokol Olldashit -17 dhjetor 1972