Intervistë me shkrimtarin Rezart Palluqi: “Romanin tim të fundit ia kushtoj vuajtjeve të emigracionit”

688
Sigal

Rezart Palluqi me origjinë nga qyteti i Elbasanit ka promovuar së romanin e tij të fundit “Dallëndyshet pa fole”, për të, është romani dytë  në zhanrin e krijimtarisë së tij artistike. Në këtë intervistë shkrimtari, tregon për jetën e tij artistike.

Si ke filluar të shkruash?

Poezinë e parë e shkrova vonë, kur isha në Greqi, në vitin 1997, atëherë isha 21 vjeç.

Kush ishte frymëzimi?

Atëherë Shqipërinë po e kërcënonte një re e tmerrshme lufte, konflikt vëllavrasës. Kujtimet e turbullta të rënies së diktaturës i ruaja ende të freskëta në mendje. Ishte pra një ndjenje e fuqishme pikëlluese që më frymëzoi të shkruaj një poemë rreth flamurit dhe popullit tonë të stërmunduar.

Më duket se keni shkruar poezi dhe ese në greqisht?

Po. Madje, fill mbasi shkruajta poemthën e parë në shqip kam shkruar dhjetëra poezi në  greqisht dhe disa ese. Pesë poezi dhe disa ese kushtuar bashkëjetesës shumë kulturore janë publikuar në mediat lokale greke të ishullit të Mitilinit, ku edhe punoja e banoja.

Çfarë temash trajtonin poezitë e tuaja?

Detin, klimën e mrekullueshme të ishujve, dhimbjen si fenomen në shpirtin e njeriut por edhe pak politikë. Atëherë shkruajta një poezi, ku satirizoja spektaklin e aeroplanëve turq dhe grekë mbi kokën time; poezinë e titullova “Sorrat e sulltanit”.

Romani i juaj “Dallëndyshet pa fole” u mirëprit mirë. Si e shkruat atë?

Ky është romani i dytë dhe ndoshta i fundit që ia përkushtoj temës së emigracionit. Kur emigrova për herë parë në Greqi, ëndrra ime ishte që brezi im të kthehej mbas një kohe në Shqipëri dhe të ndërtonte jetën e tij atje. Brezi im, duke më përfshirë edhe mua, nuk e arriti këtë. Këtë nuk e arritën dot as dy brezat e mëvonshëm. Mendova pra që këtë ta realizoj në letërsi. Në romanin e përfolur dy personazhet kryesorë, ish- emigrantë në Greqi, e arrijnë këtë duke ndërtuar jetën e tyre në Elbasan me kursimet e tyre. Njëri duke mbjell një serrë me lule dhe tjetri themeluar një zyrë shërbimesh varrimore. Qëllimi nuk ishte pra, jo vetëm që ky roman të shndërrohet një gjenerator shpresash për të gjithë emigrantët për t’u kthyer e jetuar në atdhe, por edhe të krijojë një koncept origjinal letrar. Besoj se këtë e arrita. Koncepti i luleve dhe varrimet e njerëzve besoj se është origjinal në llojin e tij në letërsinë shqiptare.

A mendoni se ky roman do të ndikojë në frenimin e emigracionit?

Siç e kam thënë edhe herë të tjera një roman i mirë jep ide, por është populli ai që duhet këto ide t’i shndërroje në ndjenja, t’u japë jetë. Në Shqipëri jo vetëm që nuk flitet për frenimin e emigracionit, por në të kundërtën, ai po shihet si një burim i pazëvendësueshëm i ekonomisë tonë. Ky lloj emigracioni i tejzgjatur përbën në sytë e mi një lloj gjenocidi të brendshëm shqiptar. Po dënojmë gjenocidin serb dhe atë grek, por po anashkalojmë gjenocidin që po krijon ky lloj emigracion vetëshkatërrues. Kur një emigracioni mirë menaxhohet ashtu si në rastin e Bullgarisë dhe Rumanisë, atëherë ai sjell vetëm dobi financiare dhe shpirtërore, mbasi popullata e emigruar nuk zotëron vetëm burime ekonomike por edhe eksperiencë kapitaliste dhe kulturë demokratike.  Mbi 60% e shqiptarëve i zotëron këto lloj njohurish, por që në fatkeqësisht nuk po i shfrytëzojmë aspak, ose po i marrim qumështin lopës dhe i fusim shkelmin të kullosë përsëri në livadhet e kurbetit. Ky roman pra, në letër e realizoi misionin e tij, tani e ka radhën prakticizmi i idesë së tij.

Cilit do të zgjidhnit më shumë poezinë apo prozën?

Personalisht besoj se proza është vëllai i trurit, ndërsa poezia motra e zemrës.

Çfarë keni në duar në këto momente?

Nuk mund t’ju jap informacion konkret rreth romanit që kam në duar. Mund t’ju them që ai trajton një temë shumë të nxehtë. Është roman universal, kundra atdheut si copë tokë, por atdheut të njeriut që quhet tokë…