Tradita qindra vjeçare e këngës beratase

6321
Sigal

QYTETI I KËNGËS/ Si u krijua grupi i ahengut “Gorica” në vitin 1819 dhe grupi i “Shallgive” që ishte vetëm për gratë

Berati, për nga vlerat që ka, nuk është vetëm një nga perlat e arkitekturës në Shqipëri apo në hapësirat ballkanike dhe pse joevropiane, por ai është edhe simbol i një kulture të pasur. Ky qytet i lashtë është qyteti i legjendës; i penelit të Onufrit, i Kodikëve dhe i këngës. E pikërisht pas shpalljes së qytetit gjigant mbi faqe kodrash shkëmbore, filloi edhe zhvillimi i kulturës, ngritja e grupeve të këngës popullore beratase. Në jetën e tij shumëshekullore, Berati ka një vijimësi ekonomike-shoqërore e kulturore-artistike që përbën një shembull unikal në Ballkan. Por ato që e fisnikërojnë këtë qytet janë këngët e tij, të cilat mund të quhen me të vërtetë kodikë më vete. Berati qyteti i këngëve, ka vlera të veçanta, nga që ka ditur ta përkundë në djepin e traditës këngën qytetare beratase dhe ta ruajë atë si një thesar nga brezi në brez. Nëpërmjet kësaj dhe legjendave të tjera, banorët e qytetit të Beratit i kanë kënduar në shekuj dashurisë, mërgimit, jetës, gurëve të sokakut, pleqërisë, etj.. Qyteti i Beratit është një ansambël i madh, që i këndojnë të gjithë këngën e tij qytetare në dasma, në tavolina shoqërore, në grupe dhe nga individë të veçantë. Si e tillë, kjo këngë i është transmetuar brezave të ditëve të sotme. Qyteti i Beratit ka pasur grupin e “Goricës”, i krijuar në vitin 1918. Tashmë ky grup me emrin “Shyqyri Fuga” përfaqëson denjësisht këngën popullore të qytetit të Beratit.

Si u krijua grupi i ahengut në vitin 1819

Një grup specifik, për nga puna që bënte, ishte ai që merrej me ahengun, kryesisht nëpër dasma. Në këtë grup janë evidentuar 16 vetë të quajtur sipas profesionit, sazexhi, muzikant, defaxhi, artist apo shallgi. Këta shtonin gëzimin dhe bukurinë e dasmës beratase, që të shoqëruar nga veglat e tyre, këndonin me pasion këngën aq të bukur të qytetit, nëpër dasma që vazhdonin me javë. Pothuajse i gjithë ky grup profesionist banonte në lagjen e “Bregut”, në të cilën kënga dhe veglat që e shoqëronin dëgjohej në çdo mbrëmje të zakonshme. Mësuesi i nderuar Luçi Nushi kujton me nostalgji: “Ne të rinjtë, dilnim atëherë nga Porta e Madhe e Kalasë, dhe uleshim tek qafa e Kalasë, duke dëgjuar si të mbërthyer meloditë e ëmbla dhe këngët e bukura që ngjiteshin si me përtim nga Bregu, ato na përkëdhelnin shpirtin dhe na mbushnin me entuziazëm”. Në, sa e sa dasma beratase kanë marrë pjesë sazexhinjtë babë e bir, Selim dhe Luto Pasho, Avdurrahman Dervishi, Jemin Nuka, Sybi Sadushi, Shaban Hilo etj.. Tundej mëhalla dhe lagjet përbri nga sazet e Beratit. Mbusheshin oborret dhe bahçet e familjeve me njerëz  të ardhur nga lagjet e tjera, duke shtuar edhe më shumë gëzimin e atyre familjeve që ishin protagonistet kryesorë në qytet për ato ditë të dasmës. Por ndërsa sazexhinjtë, orkestrat e asaj kohe, bënin ahengun në anën e burrave, për gratë, që zakonisht grumbulloheshin në dhomë më vete, ku nuk hynin burrat, ahengun e bënin Shallgitë.

Grupi i “Shallgive”, i krijuar për gratë

Ky grup, fillimisht i përbërë nga pesë motra “Çingie”, bënin ahengun në dhomën e grave. Kjo për të vetmen arsye se sazexhinjtë (burrat) nuk lejoheshin në ahengun e grave. Ky emër pësoi ndryshime dhe na vjen më vonë nën termin Çallgi dhe më së fundi Çingi. Çingitë ishin profesioniste që këndonin dhe kërcenin duke i rënë njëherësh të vetmes vegël muzikore që përdornin, defit. Në fillim ishin pesë çingine: Rabjana Diku (Bianka siç thirrej përditë) me të motrën e vet, Rufani Diku. Dy motrat e thirrura nga qytetarët, e bënin së bashku ahengun. Kishin popullaritet të madh në qytet. Ndërmjet të tjerash ka qenë kënduar edhe një këngë nga çingitë e papërmendura më sipër. Përmbajtja e vargjeve ishte glorifikimi për ato vetë dhe punën e tyre.

Si e ngrinin çingitë ahengun në karrocë

Çdo kryefamiljar, para se të priste ditën e dasmës, pajtonte karrocën për të marrë nusen dhe një karrocë për çingitë që do të shoqëronin nusen me defin e tyre. Karroca e nuses zbukurohej me lule dhe fjongo të bukura. Disa nga këto fjongo i vendoseshin kalit në krifën ë tij, të veselitur nga karrocieri. Pasi nisej karroca, grupi i çingive fillonte me def, orkestra e burrave me saze dhe valltarët përcillnin krushqit me karrocë për të marrë nusen. Defi i Biankës nuk pushonte, duke goditur nga duart e saj si kur niseshin ashtu dhe kur mbërrinin krushqit me nusen.