Punonjësit e Kantierit Detar hedhin në gjyq KURUM-in, nuk u njeh vjetërsinë në punë

726
Sigal

DURRËS/ Avokati që ndjek çështjen, Rajmond Todhe: “Kodi i Punës e përcakton qartë të drejtën për shpërblim”

Punonjësit e Kantierit Detar të Durrësit i janë drejtuar gjykatës për të zgjidhur konfliktin me ndërmarrjen e tyre, në të cilën kishin punuar prej vitesh. Ndërmarrja e tyre nuk ua njihte vjetërsinë kur kanë filluar punën rregullisht në vitet e përcaktuara sipas shënimeve të zyrave të kuadrit të asaj periudhe në librezat përkatëse të punës. Ata kur janë përballur me kërkesat e njohjes së vjetërsisë, u është komunikuar nga shoqëria KURUM, e cila është edhe pronare e Kantierit Detar se kishin nxjerrë një afat që u njihej vjetërsia duke filluar që nga viti 1993. Të gjithë ata punonjës të kësaj ndërmarrje që kishin filluar punë para këtyre viteve kjo vjetërsi nuk u njihej. Ata e kanë kundërshtuar, por nuk kanë gjetur zgjidhje dhe kur e kanë parë se nuk po përfitonin gjë ashtu siç u takonte ligjërisht, ata i janë drejtuar gjykatës së rrethit në mbrojtje të të drejtave të nëpërkëmbura. Sipas tyre, kur i takuam para hyrjes në sallën e gjyqit janë rreth 50 punonjës që janë prekur nga kjo reformë absurde e kësaj ndërmarrje, por një grup që po bënte gjyq ishte i përbërë nga 28 vetë.

Reagimi i avokatit

Avokati i tyre Rajmond Todhe, tha se kur janë shkurtuar nga puna, atyre nuk u është njohur kjo e drejtë e vjetërsisë. Ai i përfaqësoi në gjyq dhe gjyqin ndërkohë e fituan punëtorët. Todhe thotë për “Telegraf”, se kjo shoqëri i ka paguar punëtorët për ndërprerje të marrëdhënieve të punës vetëm për periudhën pas 1993-it. Duke filluar ekzaktësisht nga muaji maj i këtij viti. Ndërkohë që, punonjësit rezultonin në marrëdhënie pune në periudha të ndryshme duke filluar edhe nga vitet e shkuara si p.sh nga viti 1975. Fakti është, sipas Todhes se KURUM nuk ka qenë fare me aktivitet në atë periudhë në marrëdhënie kontraktuale me to, pasi ajo një pjesë të aksioneve e ka blerë nga kompania polake “Gdansk” rreth vitit 2000, ndërsa pjesën tjetër të aksioneve shtetërore e ka blerë rreth viteve 2008. Kjo, sipas avokatit Todhe, është e papranueshme, një shkelje flagrante e të drejtave të punonjësve. Todhe shprehet: “Fakti i ndryshimit të pronarit nuk mund të cenonte të drejtën e shpërblimit për vjetërsi pune nga momenti i provueshmërisë së marrëdhënieve të punës me librezë pune”. Ai shton se, “Kodi i Punës e përcakton qartë dhe shprehimisht të drejtën për shpërblim mbi bazën e vjetërsisë së marrjes së punës dhe nuk ka asnjë dispozitë tjetër (fakultative) për punëdhënësin. Gjyqi është zhvilluar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësore të qytetit të Durrësit me gjyqtare Joana Qeleshin. Vendimi gjyqësor i saj ka kërkuar që t’i plotësohet e drejta e shpërblimit të pagesës secilit prej tyre mbi bazën e vjetërsisë së shënuar në librezat personale të qendrës së punës.