Tregu i Rilindjes urbane braktiset nga blerësit. Milionat e qytetarëve të Fierit, shkuan për rrush e kumbulla

1326
Sigal

Tregu i Rilindjes Urbane braktiset nga blerësit. Ja si shkuan për rrush e kumbulla milionat e qytetarëve të Fierit

Bashkia përveçse shkatërroi tregun, u paguan edhe qira të majme pronarëve të tokës

 

I ndërtuar mbi një truall privat dhe në periferi të qytetit me një fond prej 54.8 milionë lekë në kuadër të Rilindjes Urbane, tregu bujqësor konsiderohet një investim i dështuar nga tregtarët dhe konsumatorët, ndërkohë që Bashkia e Fierit vazhdon të paguajë kosto qiraje.

Tregu i produkteve bujqësore dhe blegtorale në periferi të Fierit është i ndërtuar me fasadë prej xhami dhe 102 vende të bollshme tregtimi, por brenda tij me zor numërohen 10 tregtarë, një duzinë pulash në shitje dhe rrallë ndonjë blerës. I hapur me bujë në korrik 2017 pas një investimi prej 54.8 milionë lekësh [441 mijë euro], tregu bujqësor është i zbrazët dhe  thuajse i braktisur dy vjet më pas.

“Sot e dy vite më parë, ne jemi. Në fillim grindeshim për vende, por sa kaloi një javë, pjesa më e madhe u larguan. Mbetëm vetëm ne hallexhinjtë, që mundohemi të nxjerrim bukën e gojës për familjet tona,” tha Kujtim Hoxha, një nga tregtarët e paktë që tenton të shesë fruta-perime në treg.

Investimi për ndërtimin e tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale u financua nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve në kuadër të programit kombëtar të Rilindjes Urbane. Ai është një ndër 28 projektet e Rilindjes Urbane për qytetin e Fierit, të cilat kushtuan së bashku rreth 24.4 milionë euro.

Ndërtimi i tregut u krye nga kompania Alb Star dhe projekti u trumbetua si mbështetje për fermerët, tregtarët dhe qytetarët e Fierit. Por ndërtimi i tij në periferi, në daljen jug-perëndimore të rrugës Fier-Levan e bën atë të vështirë për t’u arritur nga konsumatorët dhe sipas tregtarëve që e përdorin, “një investim të dështuar”.

Përveç investimit prej 54.8 milionë lekësh, Bashkia e Fierit harxhon çdo muaj para për të paguar qiranë private të truallit prej 3466 metrash mbi të cilën u ngrit tregu si dhe kosto shtesë për funksionimin dhe mirëmbajtjen e tij.

Sipas vendimit nr.74, datë 27 shtator 2016 të Këshillit Bashkiak të Fierit, qiraja u kushton taksapaguesve lokalë 346 600 lekë në muaj, me një vlerë tavan të qirasë prej 100 lekësh për metër katror. Afati i kontratës së qiramarrjes është 10-vjeçar.

Tregtarët e kontaktuar nga BIRN e quajnë të dështuar tregun dhe kritikojnë Bashkinë e Fierit se nuk e ka planifikuar siç duhet investimin dhe nuk ofron asnjë zgjidhje se çdo të bëhet më tej.

“Tregu dështoi, është e kotë, na morën në qafë. Të paktën të na kanë lënë koshat pranë, sepse kur nuk e kemi shitur mallin, në fund të ditës ta hedhim aty,” tha e irrituar një tregtare në kushtet e anonimatit.

“Ky treg dështoi sepse është larg qytetit. Ka dyqane afër dhe për qytetarin është më mirë 10 lekë më shumë, por më afër, se të paguajë urbanin e të vijë këtu. Kjo është e gjitha, jemi në pikë të hallit,” shtoi ajo, ndërsa sqaron se vazhdon ende të qëndrojë në treg pasi “dëshiron të punojë si njeri dhe jo ta ofendojë apo t’i marrë kandarin policia”.

Kujtim Hoxha bie dakord me tregtaren, ndërsa fajëson Bashkinë se nuk ka bërë asnjë analizë para investimit.

“Jemi 5-6 veta që presim biletën [paguajnë 100 lekë tarifë në ditë]. Ka bërë një analizë bashkia që shpenzoi kaq para? Ku i del llogaria vallë”, ngre pyetje Hoxha, ndërsa shton se tregu dështoi të funksionojë pasi nuk u mendua siç duhet.

Bashkia e Fierit nuk iu përgjigj një kërkese për koment të BIRN mbi braktisjen e tregut nga tregtarët dhe qytetarët dhe investimin e shkuar dëm. Një zyrtare e Bashkisë, e cila foli në kushtet e anonimatit pretendoi megjithatë se tregu funksiononte normalisht dhe se nuk kishte asnjë plan për mbylljen e tij.

“Në orët e para të mëngjesit, këto ambiente shfrytëzohen si treg shumice nga tregtarët dhe fermerët e rrethinave të qytetit të Fierit, ndërsa gjatë ditës funksionon si treg pakice ku ushtrojnë aktivitetin e tyre tregtarët e tjerë,” tha zyrtarja.

“Ky treg nuk do të mbyllet, pasi u vjen në ndihmë atyre që e përdorin,” përfundoi ajo.