Qeveria paguan këstin e parë prej 2.5 miliardë lekësh të rrugës së Arbrit

482
Sigal

Shteti shqiptar ka paguar këstin e parë, 2.5 miliardë lekë, të kontratës koncesionare të Rrugës së Arbrit më 21 janar 2019. Kjo pagesë u bë pasi kompania Gjoka 87 deklaroi se kishte përfunduar 7 miliardë lekë punime ose mbi 25% të kontratës, bën të ditur BIRN. Punimet për rrugën e Arbrit, nisën zyrtarisht në qershor 2018 pasi qeveria nënshkroi kontratën koncesionare përmes miratimit të një ligji special në Parlament për negocim të drejtpërdrejtë të kontratës me kompaninë Gjoka Konstruksion. Kontrata parashikon punime me vlerë të përgjithshme prej 33.6 miliardë lekësh, ndërsa buxheti i shtetit pritet të paguajë në total 40.3 miliardë lekë sipas vlerësimit të Ministrisë së Financave në dokumentin e investimeve publike, të dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë. Kontrata, parashikon që koncesionari të paguhet në fund të vitit të parë pasi kontrata është bërë efektive, në rast se ka kryer më shumë se 20% të volumit të punimeve. Megjithatë organet e specializuara të auditimit shqiptar dhe hetimeve evropiane dhe ato të krimit ekonomik amerikanë hedhin idenë e verifikimit të shumë situacioneve, të cilat janë kryer si punime vite më parë. Ajo që mbetet të verifikohet ka të bëjë me faktin nëse këto punime janë veçuar nga punimet e reja, apo janë konsideruar si punime aktuale, qoftë për mbushjen e rrugëve, urave, pjesës së tunelit etj,. Njësia e Zbatimit të Projektit njoftoi Ministrinë e Infrastrukturës se kompania ka lëshuar fatura tatimore çdo muaj dhe kompania mbikëqyrëse, e cila filloi punën zyrtarisht në nëntor 2019, ka kryer verifikimin e punimeve dhe ka firmosur vërtetësinë e situacioneve. Gjoka 87 është kompania e posaçme e krijuar në prill 2018 për zbatimin e kontratës së koncesionit. Ajo u krijua fillimisht me një kapital themeltar prej 80 milionë lekësh, ndërsa në korrik mori një kredi me vlerë 9.5 miliardë lekë nga banka BKT.