Qeveria kompensoi me 15 milionë euro koncesionin e skanimit në dogana më 2018

425
Sigal

 

Buxheti i shtetit ka shpenzuar nga taksat e shqiptarëve rreth 1.9 miliardë lekë ose rreth 15 milionë euro për të kompensuar kompaninë e S2 Albania që ofron shërbimin e koncesionit në dogana nëpërmjet një kontrate me Partneritet Publik Privat që nga viti 2013. Qeveria u detyrua ta rinegocionte kontratën me 2014 duke ulur koston nga 40 euro në 22 euro dhe ta përjashtonte të gjithë industrinë fason nga pagesa e deklaratës, duke ngarkuar 1,9 miliardë lekë në vitin 2018 ngarkesë tatimpaguesit vetëm për këtë koncesion, sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Koncesioni i dhënë nga qeveria Berisha në ikje në fillim të vitit 2013, aktualisht merr 22 euro për çdo deklaratë doganore mbi 1000 euro dhe 5 euro për çdo deklaratë doganore nën 1000 euro. Negocimi i kontratës për të ulur tarifën u kompensua nga buxheti i shtetit, duke bërë që një pjesë e tarifës koncensionare të mos paguhet direkt nga bizneset por nga të gjithë tatimpaguesit nëpërmjet buxhetit të shtetit. Në vitin 2014 Rapiscan çoi në Gjykatën e Arbitrazhit anulimin e koncesionit të skanimit të kërkuar nga qeveria shqiptare. Për të siguruar mbrojtjen qeveria pagoi me 490 mijë euro zyrën avokatore të “Omnia” . Siç duket, çështja nuk ka qenë në favor të qeverisë shqiptare, e cila rrezikonte të penalizohej në rreth 360 milionë dollarë në formën e dëmshpërblimit për “Rapiscan” në këmbim të prishjes së kontratës. Ndërkohe që kontrata funksionon shumë biznese paguajnë për një shërbim që nuk u ofrohet. Skanimi shërbehet vetëm për kamionët e mallrave dhe kontejnerët, por jo për importet me vlera më të ulëta dhe me mjete të tjera, te cilat e paguajnë tarifën e skanimit. Sakaq biznesi shqiptar po vuan pasojat e papërgjegjshmërisë së qeverive qe e kanë bërë zakon të nënshkruajnë koncesione me karakter klientelist, në kurriz të biznesit dhe të ekonomisë në tërësi, me pasoja që shtrihen përtej mandateve të tyre politike. Por më e keqja është se, shembujt katastrofikë me koncesionet nuk po shërbejnë si precedentë për të frenuar përsëritjen e gabimeve në të ardhmen. E kundërta ndodh. Të gjitha qeveritë pas vitit 2000 janë ngutur të përfitojnë nga pjesa e mbetur e tortës madje të zgjerojë edhe më tej koncesionet, të cilat po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe me më shumë kosto./Monitor