Mungesa e Gjykatës Kushtetuese/ Jemi në një situatë paligjshmërie, në krye të institucioneve të drejtësisë emërohen njerëz pa integritet

425
Sigal

Gazeta TELEGRAF

Gazeta “Telegraf” boton intervistën me një nga kostitucionalistët më të shquar për problemet e reformës në drejtësi. Kostitucionalisti pohon se reforma në drejtësi u bë nga njerëz që të përfitojnë ata për vete dhe jo që drejtësia t’u japë drejtësi shqiptarëve dhe kjo duket që tani, që në krye të KLP dhe KLGJ janë emëruar njerëz jo specialistë, pa integritet. Kostitucionalisti thekson se Kushtetuta është e qartë: Ministri dhe kryeministri nuk mund t’i delegojnë zëvendësit drejtimin e ministrisë.

Profesor, a mundet që hartuesit e Reformës në Drejtësi, të marrin poste më të larta në institucionet e reja të drejtësisë, të cilat ata i krijuan në ligjet e kësaj reforme?

E para e punës, këtu jemi përpara një paradoksi nga mënyra se si janë zgjidhur problemet, se si janë formuar këto forume, pavarësisht me Kushtetutë apo pa Kushtetutë. Kësaj i thonë: e bën si të duash, pavarësisht se e bën të mirë ose e bën të keqe një ligj apo një paketë ligjesh. E prandaj krijohen edhe këto situata. Tani për pasojë janë po ata njerëz që marrin pjesë në forumet për drejtues e për ekspertë, janë po ata që emërohen në Gjykatë Kushtetuese. Dhe ndodh që tani ata nuk i pengon dot, sepse nuk e përmban ligji që ta pengojë emërimin e tyre në institucionet e reja të drejtësisë, të atyre ekspertëve që hartuan këto ligje për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Por etika nuk e lejon, është shkelje nga ana etike. Shteti duhet të krijojë një komision, të pa anshëm e jo një komision që të mendojë vetëm për veten e tij dhe për njerëzit e tij. Prandaj, mos u çuditni, tani, që në krye të KLP dhe KLGJ mund të emërohen ata që hartuan ligjet e reformës në drejtësi, sepse e hartuan për vete. Reformën në Drejtësi e gatuan për vete dhe për miqtë e tyre, jo për të mirën e Shqipërisë. As mos ushqeni iluzione, që reforma u bë që drejtësia t’u japë shqiptarëve drejtësi.

A ka kompetenca kushtetuese Kryeprokurorja e Përkohshme të propozojë prokurorë, të cilët do të duhet të të jenë anëtarë të KLP?

Ajo emrin e ka “e Përkohshme”, por ajo është e Përhershme. Tani, që të jemi të sinqertë, e përkohshme qëndron 1 muaj, 2 muaj, hajde 3 muaj, ndërsa ajo po bën 1 vit e ca. Tashmë ajo i vendos detyrat, se s’ka kush tjetër të vendosë atje, atë e ka vendosur ligji vetë si kryeprokurore, nuk e ka deleguar Prokurori i Përgjithshëm dhe kryen detyrën e saj. Sido që të jetë puna, ajo e propozon se s’ka kush ta propozojë tjetër.

Atëherë, duke qenë se kjo prokurore e Përkohshme ka marrë në parlament votat me votim të thjeshtë jo të cilësuar, a mundet që propozimet e saj të kenë konsensus?

Nuk ka rëndësi, tani, ajo ka atë votim që i ka dhënë Kuvendi, ashtu e ka kërkuar ligji t’i thotë që me këtë votim bëhet. Ne jemi përpara një situate paligjshmërie, ku gjërat janë jo vetëm të pa stabilizuara, por dhe të paqarta, nuk bëhen në kohën e duhur, krijohet një situatë e tillë, një anomali e s’del dot nga kjo vorbull, sepse s’ka kush i bën tjetër. Po të kishte Kushtetutë, rregull, dhe zbatim të Kushtetutës, do kishte mbaruar zbatimi i reformës në drejtësi, sepse kanë mbaruar afatet me kohë. Jemi përpara një situate paligjshmërie, sepse kur s’ke Gjykatë Kushtetuese, kur s’ke Gjykatë të Lartë, kur s’ke prokuror të Përgjithshëm kur s’ke asgjë je në një situatë të pa ligjshme, kjo situatë pa ligjshmërie ku secili vepron e bën atë që ai do dhe dëshiron sipas qejfit të vet dhe nuk kemi se çfarë kërkojmë më tepër nga ligjet.

Meqenëse jemi në një situatë të paligjshme siç thoni ju, institucionet e reja të drejtësisë që do ndërtohen vetëm me propozimet e mazhorancës, duke mos pasur konsensusin e opozitës, mund të jenë kushtetuese?

Nuk ka lidhje me konsensusin. Këtu ka një problem tjetër, këtu është problem, që të zgjidhesh nga Gjykata e Lartë që të shkosh në KLGJ ose nga prokurore e Përgjithshme në KLGJ minimumi kërkohen dy veta që të votohen. Ata s’kanë kandidatë të tjerë, vetëm ky ngeli në prokurorinë e Përgjithshme asnjë tjetër, vetëm Mehdi Bici ngeli në Gjykatën e Lartë s’kishte tjetër. Kështu që ata, si të votojnë, si të mos votojnë, ai i ka. Nuk është votim ai, sepse votimi është kur ke konkurrentë. ndërsa ai thotë ky u votua fiton, sepse s’ka tjetër. Se nuk marrin pjesë sa gjyqtarë janë, 300 gjyqtarë, duhen marrë të paktën 151 vota dhe duhet mes tyre të zgjedhim 1 ose dy anëtarë. Se ligji thotë, që të zgjidhet, duhet të konkurrojnë të paktën minimum 2 veta, ndërsa për Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme s’kishte, u votua vetëm njëri, që kishte mbetur i vetëm.

Deri sa kemi gjithë këtë trupë prokurorësh, por asnjë prej tyre nuk do që të jetë pjesëtar i këtij institucioni më të lartë drejtues të prokurorisë, të KLP-së, atëherë a duhet të jenë këta prokurorë akoma në punë?

Unë kam vendin tim si prokuror dhe nuk ma imponon dot se ku vete unë, unë jam në vendin tim si prokuror i shkallës së parë e aty do rri, është e drejta ime. Nëse dua të bëj karrierë apo jo është e drejta ime, nuk është e drejta jote. Tani institucionet e drejtësisë kanë mbetur në pikë të hallit, sepse në ligjin e reformës në drejtësi u vendosën kritere të tilla, me të cilat e shkatërrove drejtësinë edhe tani i bën thirrje e u thua, dilni. E tani, ku të shkoj unë, kur ligji më thotë ‘i marr leje edhe vëllait, se duhet të bëjë deklaratë mbi pasurinë e tij. Vëllai, ta zëmë, është në Amerikë dhe nuk do t’ia dijë fare për mua, nuk do që t’i kontrollojnë pasurinë e tij, për llogari timen. Ata kanë futur në ligj ca kritere paligjshmërie, disa prej tyre shkelin edhe të drejtat e njeriut. Ata me këtë reformë në drejtësi bënë eksperiment tek ne. Ne kundërshtuam në fillim, që nuk mund të bësh ligje, të vësh kritere të tilla, por ata që hartuan reformën në drejtësi, bënë ashtu, sepse ashtu u desh qejfi, tani le ta zgjidhin, por nuk kanë për ta zgjidhur dot, se do dalin probleme tjera. Nga ata që janë në krye të KLP e KLGJ nuk janë specialistë asnjëri. Që në mbledhjen e parë ata filluan nga konfliktet. Siç bëri edhe KLD-ja, ata kanë për të bërë më keq dhe atëherë ka për të parë politika, se çfarë KLP e KLGJ përzgjodhi. Ata që janë aty nuk janë as njerëz me personalitet, nuk janë njerëz me integritet, burra të ndershëm, gra të përgjegjshme, që të mendojnë për kombin. I zgjodhën siç deshën, e tani, këta të zgjedhurit, do bëjnë si duan ata që i zgjodhën.

– Sipas gjykimit tuaj, kur një ministër betohet në krye të detyrës mund t’ia delegojë këtë detyrë zv.ministrit?

– Tani delegimi është një nocion që duhet diskutuar. Delegimi nuk bëhet për tërë kohën, delegimi bëhet për një episod të caktuar, delegimi mund të bëhet për një ditë të caktuar, delegimi mund të bëhet për të kryer një veprimtari të caktuar, po nuk mund t’i delegohet ministria askujt që të bëjë pernamente. Edhe po të merrni, për shembull Xhafën, ka deleguar zv.vendësin e tij për një ditë, dmth, kur ‘nuk jam unë këtu dhe të delegoj ty si zv.vendës i parë për të bërë këtë punë.

– Domethënë, delegim pa afat nuk mund të ketë?

– Po si mund të ketë delegim pa afat të komandimit të një ministrie?! Po është betuar tjetri për të komanduar ministrinë.

– Është e qartë Kushtetuta në këtë?

– Po, ka nevojë që Kushtetuta të jetë më e qartë se sa kaq, sepse ai bën betimin. Nuk e ka bërë betimin zëvendësi, betimin e ka bërë ministri dhe i kryen ai detyrat, nuk ka bedel dhe që mund t’ia ngarkosh ‘bedel’. Të ishte ashtu, s’kishte nevojë fare që të betohej si ministër. Ministri i betuar nuk shkarkohet nga përgjegjësia që ka ministri, kur komandën në ministri e bën zëvendësi. Pastaj, sado detyra t’i delegojë ministri zëvendësit të tij, ai zëvendësi nuk i kryen dot, kështu siç e ka bërë kryeministri dhe ministri i Jashtëm i yni, i deleguari i tij për ministër të Jashtëm nuk i kryen dot detyrat. Njëherë do takojë ministrin e Jashtëm të ndonjë shteti tjetër, por ministri i Jashtëm i shtetit tjetër nuk pranon të takojë të deleguarin si ministër, sepse kërkon të takojë homologun e vet, sepse i thotë ministri unë delegoj atë pastruesen e ministrisë që të takohet me ty. – Ik o thefsh qafën!, – mund të thotë ministri tjetër. E dyta, do vijë puna për gjëra që i firmos ministri, nuk mund t’i firmosë zëvendësi, sepse e delegoi Rama e t’i thotë ministrit tjetër, që ‘do firmos unë’. Nuk lejohet, janë detyra ekskluzive, janë detyra që i kryen vetëm ministri i betuar e nuk i kryen dot njëri tjetër. Ka detyra pastaj, që kryen edhe zëvendësi, i ngarkuar edhe i thotë: ‘bëj këtë shko merru me llogaritë, fjala vjen, andej këtej”. Do firmoset marrëveshja për detin, nuk firmos dot njeri tjetër veç kryeministrit, marrëveshjet jo për detin, por të gjitha marrëveshjet dypalëshe, nuk firmos dot zëvendësi, le të lëshojë 100 autorizime ai, ministri, nuk e njeh njëri zëvendësin e deleguar si ministër, dëshirojnë vetëm ministrin e betuar. Po këto janë vetëm mendjemadhësi politike, këto janë kështu, që unë s’dua t’ia di për ligj e Kushtetutë dhe unë e bëj kështu siç më do qejfi e oreksi mua, sepse unë jam ligji, jam edhe mbi vetë Kushtetutën.

Detyrohemi të mos publikojmë emrin e kostitucionalistit, për shkak të pasojave që mund të ketë nga pushtetet. Derisa kemi arritur deri këtu, mund të imagjinojmë se jetojmë në një regjim më të egër sesa diktatura komuniste, ku njeriu dënohet për fjalën që thotë kundër pushtetit.