Dr. Inxh. Isuf Tushe: Shpërthimet me presion në puset e naftës shkaktuan tërmete në Shqipëri

79
Sigal

Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike

Specialist dhe ish-Shef i kabinetit të vendburimeve në ish-Institutin Gjeologjik të Naftës, Fier

Analizë nga Dr. Inxh. Isuf Tushe, ish-Shef i kabinetit në Institutin Gjeologjik të Naftës/ Bankers Petroleum, krijoi kapitale dhe shkatërroj pellgun naftëgazmbajtës Patos–Marinës-Kuҫovë, që ka peshën kryesore në nxjerrjen e naftës, pa përjashtuar edhe bregdetin e Durrësit. Në këto zona nuk aplikohet shpërthimi hidraulik, por në puset horizontal apo të devijuar injektohet ujë me presion që ka shkaktuar tërmete në Shqipëri. Kontratat që favorizuan mafien, pazaret me kokat e politikës dhe të Qeverive dhe skema  korruptive nga AKBN-ja deri tek Albpetroli shkatërruan naftën shqiptare

Ç’farë po ndodh me ndarjen e prodhimit dhe sa fiton shteti?!

Në gjëndjen që ishin vendburimet në vitin 1994, nuk kërkonin investime nga “investitorë strategjik”. Rënia e prodhimit ishte për mungesë të disiplinës në punë se ajo teknike nuk mungonte dhe me pak investime nga vetë të ardhurat e tyre, prodhimi do të rritej në nivelin e para vitit 1990. Ecuria e nxjerrjes naftës/gazit pas këtij viti, absolutisht, nuk duhej përdorur në ekstrapolim për të parashikuar ecurinë e tij në të ardhmen, sepse nuk përfaqëson rënien natyrale pasi ka ndikim të faktorëve subjektiv të trajtuar më sipër. Por faktet flasin ndryshe, le t’i analizojmë me radhë. “Specialistët” e AKBN-së, Albpetrolit, Ministrisë, janë bazuar vetëm në ecurinë e tij pas 90–tës, duke përfshirë edhe periudhën 1992-2004 kur prodhimi total i naftës arriti nivelin më të ulët të tij prej 250-300*103 ton/vitose e ndarë kjo për ҫdo vendburim dhe e kanë pranuar këtë si “rënie natyrale normale”. Me këtë koefiҫient rënie, jo real, ata kanë llogaritur prodhimin e ҫdo vendburimi, vit pas viti në gjithë periudhën e kontratës, duke manipuluar termat e saj. Ky është një gabim teknik me dashje apo është faj dhe autorët duhet të pëgjigjen sipas ligjit. Prodhimi naftës i llogaritur, me këtë koefiҫient rënie, nuk është real dhe shumë i ulët. Ky është prodhimi i naftës/gazit që merr faktikisht shteti nga kompanitë konҫesionare ҫdo vit, pavarësisht investimeve që bëhen për të stimuluar rritjen e tij.

Le të analizojmë skicat më poshtë mbi nxjerrjen e naftës/gazit dhe ekstrapolimet në disa vendburime, ku mbi këtë bazë është parashikuar ecuria e prodhimit, për gjithë periudhën që ato do të operohen nga konҫesionari dhe si është llogaritur ndarja midis tij dhe Albpetrolit në kontratë. Vërehet se ecuria e nxjerrjes naftës në ҫdo vendburim, është interpretuar me koefiҫient (trend) rënie natyrale më të madh se ai faktik, kur të dhënat janë të mjaftueshme. Aty mund të vizatohet edhe një trend tjetër,më sipër, me kënd rënie më të vogël, që ndërpriten midis tyre. Kjo diferencë midis tyre përkthehet në ton naftë më pak që privati i jep Albpetrolit dhe pjesën tjetër ai e merr vetë padrejtësisht pa bërë asnjë investim. Edhe në rast se ekstrapolimi do të ishte teknikisht korrekt, i gjithë ky prodhim i përket vetëm Albpetrolit. Ai përfaqëson ecurinë e tij sipas rënies natyrale reale, nuk është rritje prodhimi në vendburim që varet nga investimi i konҫesionarit dhe ai nuk duhet të marrë pjesë prej tij. Ndërsa ai, pjesërisht, e ndan këtë me Albpetrolin. Pra ai padrejtësisht, operon brenda fushës së grafikut mbi ecurinë e prodhimit që i përket rënies natyrale, ndërkohë ai duhej të operonte me rritjen e prodhimit në vendburim mbi ecurinë natyrale të tij, sipër fushës në grafik, që do të ishte rritja për efekt të investimit të tij, dhe vetëm këtë ai duhet ta ndante me Albpetrolin, sipas kontratës. Ky është manipulimi që është bërë, në të gjitha kontratat, në mënyrë që kompanitë konҫesionare të vjedhin naftën pa investuar dhe ta ndajnë atë me hajdutët e politikës dhe qeverive. Po ashtu, vërehet se me rritjen e ujit në puse është rritur prodhimi naftës, sepse vendburimet rigjenerohen gradualisht në ecuri.

Shëmbuj mbi nxjerrjen faktike të naftës në disa vendburime, ekstrapolimi i manipuluar dhe ndarja e prodhimit midis privatit dhe Shtetit

 

Kompanitë private, menjëherë pasi siguruan vendburimet falas nga qeveria, forcuan disiplinën në punë, shkurtuan fuqinë punëtore dhe shpenzimet, rritën tempet e nxjerrjes naftës në puse mbi kapacitetin e mundshëm të tyre, si rrjedhojë u rrit prodhimi dhe fitimi. Kështu u zgjerua dhe fuqizua Kompania Bankers Petroleum, krijoi kapitale. Ajo ka 19 vite që shfrytëzon pa studime dhe shkatërron pellgun naftëgazmbajtës Patos–Marinës-Kuҫovë, që ka peshën kryesore në nxjerrjen e naftës në vend. Pasi hyri në biznes në 19.06.2004, pa bërë investime rriti nxjerrjen dhe në 2014-tën prodhimi total i naftës në vend arriti në 1,368,328.64 ton, më lartë sa ishte në periudhën 1980-1990. Gradualisht, ato u fuqizuan financiarisht, investuan pak në teknologji, riparuan ca paisje sipërfaqësore dhe vunë puset e ndalur në punë. Prodhimi naftës u rrit në nivelin e para viteve 90’, pa bërë investime. Kështu ato vjedhin naftën/gazin që zbuluan naftëtarët dhe specialistët tanë me paratë e popullit. Nga hiҫi ato u bënë pronarë me pasuritë tona, sepse termat e kontratës favorizojnë vetëm ato dhe fitimin e ndajnë me kokat e politikës dhe të Qeverive Nano–Berisha–Rama. Kjo tregon se “suksesi” i tyre qëndron në organizimin e punës, shfrytëzimin e sforcuar të vendburimeve, abuzimet pa kufi, etj., prandaj rënia e prodhimit në shifrat rreth 250-300*103 ton/vit, që është marrë në konsideratë, nuk ishte reale.

Le ta konkretizojmë këtë më tej, në vendburimet Patos–Marinës dhe Kuҫovë, ku kompania përdor pompa të fuqishme në puse për të nxjerrë naftën, shpon ca puse horizontal dhe injekton fluide me presion të lart në rezervuar që të krijojë ҫarje hidraulike duke vënë kështu në komunikim vertikal gjithë shtresat naftëmbajtëse dhe ujëmbajtëse në prerje, sepse puset prodhojnë rreth 35% naftë, ujë dhe rërë. Këto teknologji që ajo aplikon si “metoda të reja shfrytëzimi”, në këto vendburime, është ai pak investim i saj, që ka rritur pak prodhimin, por për shkak të shfytëzimit të sforcuar ato po shkatërrohen, sepse në shtresë ngelen sasi të mëdha rezervash nafte. Koefiҫienti shfrytëzimit tyre është shumë i ulët. Ky është një dëm i madh që po i bëhet kësaj pasurie natyrore dhe ekonomisë kombëtare. Pikërisht këtë pak sasi nafte që është rritur nga ky investim, Kompania Bankers Petroleum, sipas kontratës, duhet ta ndajë në raport 51/49% në favor të Albpetrolit, por për ta vjedhur edhe këtë, qëllimisht në kontratë, kanë futur koefiҫientin “R” me të cilin kompanitë abuzojnë. Ky koefiҫient ka nxjerrë jasht loje këtë raport duke e bërë atë të pa aplikueshëm dhe Albpetroli nuk merr as ndarjen e prodhimit se konҫesionarët raportojnë se “punojnë me humbje”për të vjedhur gjithë naftën që nxirret. Pra ҫdo gjë ka dalë jashtë kontrollit, jashtë marrëveshjes, sepse i gjithë prodhimi vidhet dhe me sa informacion ka rrjedhur, që nga fillimi, kompanitë konҫesionare, i paguajnë shtetit vetëm rreth 2% të prodhimit, që është Royalty Tax dhe i takon atij që zotëron të drejtën minerare, shtetit ose privatit. Këta spekullantë pse nuk e sqarojnë se sa përqind taksohet ajo tek ne?

“Eksperti” L. Nikolla që punoi pak vite në Institutin Gjeologjik të Naftës, nën ombrellën e specialistëve në grupet e rilevimit, pas vitit 90’ kërceu në dikasterin e hajdutëve, AKBN dhe para ca kohësh kur aty kërcitën prangat, ai shpëtoi paq dhe kaloi pedagog në universitet kur s’kishte më studentë për gjeologji. Midis të tjerave, duke ju mbajtur goja, ai theksoi: “Fatmirësisht sot, në vendin tonë, kemi kompani që kryejnë këto punime, studime, kompani që janë me emër në botë, që kanë aftësi nga pikëpamja shkencore dhe ekonomike për të zhvilluar vendburime të tilla”. “Janë vlerësuar sasira rezervash të mëdha, të cilat gjënden në strukturat tashmë më të komplikuara dhe që janë më të thella, mbasi strukturat që kanë qënë më lehtësisht të zbulueshme dhe të shfrytëzueshme kanë qënë ato që kanë qënë në afërsi të sipërfaqes. Sot evidentohen dhe janë evidentuar struktura më të thella, më të komplikuara, që konsiderohen të kenë rezerva të konsiderueshme dhe mendohet që të jenë jo më pak sa dyfishi, që kemi patur zbuluar deri më sot”. . .Ky s’është fat i mirë, por një dështim i plotë i shtetit me aktivitetin privat në Industrinë e Naftës!

Po mirë more “ekspert” ku janë këto kompani me emër që po kryejn punime? Apo mos e ke fjalën për ato që erdhën rreth vitit 90’, shpuan nga një pus negativ dhe u larguan nga sytë këmbët? Apo e ke fjalën për Kompaninë SHELL dhe ato para saj, që kanë mbi 20 vjet që vijnë rrotull Malit Shpiragut dhe kanë shpuar 4-5 puse rreth atyre që projektoi Instituti Gjeologjik dhe akoma nuk janë në gjëndje të deklarojnë vendburimin, madhësinë, tipin, rezervat e tij, si dhe ҫfarë do bëjnë me të, do ta zhvillojnë dhe kur do ta vënë në shkfrytëzim apo do ikin andej nga erdhën, kurse ju “ekspertët” dhe qeveria e propagandoni atë ҫdo 2-3 muaj sikur është Lindja e Mesme që do t’i ndryshojë faqen Shqipërisë dhe jetën shqiptarëve? Atëherë ku qëndron aftësia e tyre për të zbuluar dhe zhvilluar vendburime të tilla, apo gënje të gënjejmë se populli i ha!? Apo mos e ke fjalën për ca kompani fantazma, që kanë ozurpuar ca struktura të përgatitura nga Instituti Gjeologjik si Velҫa, Papëri, Godarti etj., që firmosën kontratat për kërkim dhe u zhdukën ose i mbajnë ato për të pastruar paratë e pista? Apo do të thuash për “kompanitë konҫesionare” fasadë me oligarkë të qeverive që ju i falët vendburimet ekzistuese, me ato kontratat tuaja famëkeqe me terma të manipuluara, të cilat kanë qysh nga viti 1994 që vetëm vjedhin naftën/gazin që zbuluan specialistët tanë dhe raportojnë se “punojnë me humbje” që të mos i paguajnë detyrimet shtetit! Ato fitimet i ndajnë mirë me eprorët tuaj hajdutë të fshehur si “aksionerë” pas tyre dhe sa herë ndërrohen qeveritë, i freskojnë këto kompani me oligarkë të rinj me po ato kontrata të dështuara dhe shtojnë hajdutët e tyre si “aksionerë”, kurse ju tellallët e tyre shikoni për të zhvatur ndonjë gjë për vehte dhe bëni propogandë mashtruese.

Po ato studimet shkencore që paskan kryer këto kompani për strukturat e komplikuara dhe të thella perspektivë me rezerva të konsiderueshme, mbi dyfishin e atyre që kemi zbuluar dhe llogaritur ne, ku janë? Apo mos e ke fjalën për studimet shkencore të specialistëve të instituteve të naftës dhe nd/jeve që ju bashkë me shokët tuaj jua “falët” atyre për ndonjë shpërblim nën dorë apo për ndonjë vend pune me to? Këto janë fakte, sepse keni shkatërruar gjithë arshivën e institutit ku ruheshin këto studime dhe gjithë të dhënat gjeologjike-kantierale, të siguruara nga mundi dhe djersa e shkencëtarëve tanë për 5 dekada me paratë e popullit. Atëherë me këtë perspektivë kaq të madhe pse nuk vazhduan kërkimet kompanitë me emër në botë, por u larguan dhe ca të tjera afrohen për të marrë ndonjë vendburim kur largohet ndonjë kompani mafioze? Në këtë intervistë ti, ish-specialisti i AKBN-së, deklarove se shteti përfiton në total 145,000 euro/ditë (rreth 53 milion euro/vit) nga konҫesionet në vendburimet e naftës, ku 130,000 euro/ditë vetëm nga Kompania Bankers Petroleum! Fitim i “madh” ky, po sa naftë dhe gaz nxirret afërsisht ҫdo ditë prej tyre? Saktë e dinë vetëm ata që e vjedhin dhe nga cilët terma të kontratës vjen ky fitim? Asnjë shpjegim, ҫdo gjë mjergullë, të gjithë gënjejnë, ngado që të vërtitesh, por shumë pak duket!

Le të bëjmë ca llogari të trasha: Mbas pandemisë, një specialist i Kompanisë Bankers Petroleum deklaroi se prodhojmë 20,000 fuҫi naftë/ditë (pra 3,180 ton/ditë) ose 1,160,000 ton/vit), kaq sa prodhohej para vitit 1990 nga gjithë vendburimet. Po ashtu ai deklaroi se do ta rritin akoma prodhimin për ta ҫuar në nivelin para pandemisë! Le ta pranojmë jo shumë, por 25,000 fuҫi naftë/ditë (pra 4,000 ton/ditë) ose 1,460,000 ton/vit, vetëm nga vendburimi Patos-Marinës. Po të shtojmë këtu edhe prodhimin e vendburimeve të tjera, prodhimi total i naftës nga kompanitë konҫesionare shkon mbi 1,5 milion ton naftë/vit, që për mendimin tonë, me atë shfrytëzim barbar që aplikohet prej tyre, duhet të jetë më i lartë! Le të pranojmë këtë shifër dhe të vazhdojmë analizën, se e vërteta nuk gjindet dot as nga ju “ekspertët”, as nga kompanitë dhe as nga qeveria se ju të gjithë bashkë vidhni dhe nuk bëni transparencë. Nafta jonë është e tipit BRENT dhe aktualisht ҫmimi në treg është luhatur mbi $80/barrel, por le ta pranojmë $75/barrel ose $472/ton, që është më i ulët se ajo Ëest Texas Intermediate (ËTI) dhe fitimi bruto rezulton $710 milion/vit kurse Albpetroli merr $53/$710 milion ose 7.4% të fitimit bruto ose 110,000 ton/vit ose 300 ton/ditë. Pra, shteti gjithsej merr vetëm këtë si fitim, që është realisht më i vogël se taksa minerare (Royalty Tax), e cila në SHBA është12.5% dhe nuk merr as prodhimin që i takon sipas rënies natyrale, as ndarje prodhimi dhe as tatim mbi fitimin e kompanisë, por merr vetëm këtë sasi të vogël nafte që është vlerësuar arbitrarisht. Kjo dallohet qartë edhe në skicat më sipër, ku sipas manipulimeve në ekstrapolim të prodhimit për vitet e ardhshme, në ҫdo vendburim është parashikuar ndarja e tij midis konҫesionarit dhe Albpetrolit. Këtë e vërteton edhe shitja e sasisë naftës prej 105,000 ton, në ankandin e datës 22 korrik/2023 nga Kompania Albpetrol, e cila i përket 6 mujorit të parë të vitit 2023. Mbi gjysma e kësaj sasie është nafta, që prodhon vetë Albpetroli, nga puset që punojnë periodikisht në sipërfaqet e vdekura rreth disa vendburimeve dhe pjesa tjetër është sasia e naftës bruto që kompanitë konҫesionare i detyrohen, sipas kontratës, Albpetrolit, pra Shtetit shqiptar. Të nxjerrësh 1.5 milion ton naftë/vit dhe të kamuflosh gjithҫka brënda 7.4 përqindëshit dhe këtë ta quash fitim është një skandal i vërtet, që tregon vjedhjen që po i bëjnë pasurisë shtetërore konҫesionarët, politikanët dhe qeveritarët! Atëherë ku është fitimi i madh që merr shteti nga nafta? Në pamje të parë, për një amator, ky duket si fitim i madh. Pra, nga konҫesionet në vendburimet ekzistuese, për shkak të korrupsionit, shteti nuk merr asnjë lloj fitimi. Privatizimi i tyre me këtë tip kontrate, me ndarje prodhimi, duke e shoqëruar me kushtet e koefiҫientit “R”, ishte gabimi dhe faji i dytë akoma më i rëndë, por me qëllim për të vjedhur gjithë këtë pasuri natyrore, prandaj objektivi i marrveshjes mbahet tepër sekret dhe shteti me qëndrimin e tij në heshtje, po i shkatërron ato plotësisht.

Pra, n.q.se të dhënat faktike do të ishin interpretuar korekt, kompanitë konҫesionare nuk futeshin në vendburimet tona, sepse rritja e nxjerrjes naftës me investimet e tyre, që bazohen vetëm në shfrytëzimin e sforcuar, është shumë e vogël dhe ato nuk kanë interes të investojnë paratë e tyre me rrisk të lart. Fitimi i tyre qëndron pikërisht tek manipulimi i termave në kontrata që i lejon ato të vjedhin naftën pa investuar. Ato kanë në plan vetëm fitimin, prandaj vendburimet në tërësi, kategorikisht, nuk duheshin dhënë me konҫesion, por ato duhet të qëndronin pronë shtetërore, nën administrimin e Kompanisë Albpetrol ose t’u jepeshin në përdorim me kontratë nd/jeve nën kontrollin e rreptë të saj, e cila ligjërisht është e vetmja pronare e pasurive hidrokarbure. Gjithë fitimi do shkonte në buxhetin e shtetit dhe nuk do pasuronte konҫesionarët, hajdutët e politikës, të qeverive dhe Industria Naftës nuk do të shkatërrohej.

 

Teknologjitë që përdoren në Patos-Marinës (Suita Driza, Gorani, Kuҫova), ku shtresat ranore potente janë të shkrifta, me porozitet të lart, të ngopura me naftë viskoze dhe me energji gazi të konsumuar, shkatërrojnë strukturën e tyre, sepse veprojnë mekanikisht në rezervuar dhe nuk përmirësojnë cilësinë e naftës që të rrjedhë më lehtë në drejtim të pusit. Ato nuk pranojnë injektim uji me kimikate me presion të lartë, brënda kontaktit naftë-ujë ose depresione të larta shfrytëzimi, sepse nuk përmirësojnë gjë, por nga injektimi, ranori ҫahet, gërryhet dhe bashkë me naftën shtyhet drejtë pusit të prodhimit, pra struktura e rezervuarit prishet. Krijohen ҫarje vertikale, kryesisht sipër objektit ku injektohet, që mund të dalin deri në sipërfaqe. Këto presin dhe vënë në komunikim midis tyre gjithë shtresat naftëgazmbajtëse me veti kolektore dhe nafta me cilësi të ndryshme që ndërthuren në prerje me ato ujëmbajtëse. Në rezervuar të tillë këto teknologji shfrytëzimi nuk rekomandohen. Në to duhen përdorur metoda termike, injektim holluesi ose gazesh për uljen e viskozitetit naftës që ajo të lëvizë lehtë në ambientin ekzistues natyral të rezervuarit që ka përshkueshmëri të lartë, por jo efektiv për atë naftë. Ky problem diskutohet sot në shkencën ambientale të gjeologjisë rezervuarit për të zgjedhur metodat më efektive stimuluese.

Flitet se në Patos-Marinës apo në Kuҫovë nuk aplikohet shpërthimi hidraulik, por në puset horizontal apo të devijuar injektohet ujë me presion që ka shkaktuar tërmete. Lidhur me shpimin e puseve të tillë, aplikimin e ҫarjeve hidraulike dhe efektivitetin e tyre në rezervuarët karbonatik ose terigjen (tight gas sand apo oil/gas shale, ku hidrokarburet janë të izoluara në hapësira poroze të vogla me përshkueshmëri të dobët, që nuk nxirren dot me teknologjinë klasike). Për të rritur rezervat e nxjerrshme, sot ka mjaft përvojë, por injektimi ujit me presion të lartë në shtresat ranore në këto vendburime nuk aplikohet se prishet struktura e tyre dhe miliona ton naftë me vlerë miliarda euro mbeten në shtresë ose lëvizin nëpër ҫarje jashtë tyre. Pra, përdorimi i tyre pa kriter nuk ka efektivitet, nuk sjell rritje rezervash, por abandonim të tyre, sepse ulet mjaft naftënxjerrja, për shumë arsye gjeologo-teknike. Çdo injektim fluidi me presion më të lartë se ai gjeostatik, në rezervuar, shkencërisht krijon ҫarje hidraulike, por kompania e reklamon si “injektim uji” ose “teknologji të avancuar”. Ky nuk përdorej dikur dhe ndryshon tërësisht nga injektimi ujit që bëhej nën kontaktin naftë-ujë,në shtresat e Suitës “Marinëza”, por qeverisë i ka zënë sytë korrupsioni dhe kompania ka rritur oreksin për të grabitur këtë pasuri sa më shpejt, pavarësisht pasojave të pallogaritshme ekonomike-financiare që shkakton. Përdorimi i kësaj teknologjie është një katastrofë për këto vendburime, sepse janë futur tërësisht në fazën e shkatërrimit të plotë. Kjo përdoret sot në rezervuarët terigjen me nafta jo viskoze për të rritur naftënxjerrjen në një kohë sa më të shkurtër, për të ruajtur energjinë e shtresës dhe ulur koston e prodhimit, sidomos në vendburimet offshore.

 

Nesër do lexoni:

  • A është parashikuar në kontratën e ҫdo vendburimi, se cila teknologji do përdoret dhe pse nuk flitet fare për to?
  • Kontratat mbajnë vetëm era korrupsion dhe qëllimisht janë të tilla për të vjedhur dhe shkatërruar këto vendburime sa më shpejt, mundësisht brenda afatit tëtyre
  • -Marrëveshjet me firmat e huaja do lënë pas një ambient të ndotur, familje me pasoja shëndetësore të rënda dhe probleme social-ekonomike.
  • Pushtetarët tanë, duan heshtjen, sepse kështu ata vazhdojn të qetë të vjedhin punën, djersën dhe parat e popullit, të investuara në 50 vjet
  • Heshtja ndaj shkatërrimit tëplot të pasurive natyrore është një krim shtetëror i papreҫedent.