Ju rrëfejë natën e fundit me Havzi Nelën,

264
Sigal

Flet gazetari Zylfi TOLA: Natën e fundit me Havziun e kaluam tejk stanin në Krua të Bardhë. Një natë pas 28 vitesh të jetës time që do të mbetet e paharruar, e veçantë dhe befasuese. Udhëtimet mes zakoneve dhe traditave të mikpritjes së malësorëve, nga viset e largëta të Lumes tek bjeshkët e Kroit të Bardhë, nga horizontet e malit të Korabit duke zbritur drejt Veleshicës e Drinit

 

Zylfi Tola- ish gazetar sportiv nga Kukësi

 Ka qenë qershori i 1962. Shtëpia e Kulturës e Kukësit organizon një turne kulturor-artistik, në viset e largëta të Bushtricës. Veç aktorëve Sokol Spahiu, Musë Halilaj, Avdulla Sadiku dhe këngëtarëve Hane Baftjari, Maliq Cenaj, Sheqer Ademi, të katër djemve dhe tri vajzave të gjimnazit të qytetit, merrnim pjesë edhe unë dhe Havzi Nela.

Ne të dy ishim të jashtëm, mësues. Havziu kishte punuar arsimtar në Topojan, Shishtavec në rrethin e Matit, Krumë, në Lojme. Në Shishtavec pat punuar dhe ngritur disa grupe amatore me këngëtarë dhe instrumentistë, valltarë. Dhe kudo që kishte punuar jo vetëm si arsimtar, qe njohur dhe dalluar edhe në veprimtaritë e gjithanshme kulturore e artistike. Në trupën tonë artistike që shkonim në malësi, unë referoja një leksion për zhvillimin e shkencës, kryesisht se si njeriu kishte pushtuar Hënën, si u arrit ky sukses, etj. Havziu bënte pjesë në grupin e valleve, nga më të mirët këngëtarë, me ato melodite e krahinave tona, ku vend të parë zinin ato për Ejup Topojanin, Sahit Gegën, këngë dasme edhe të tjera këngë për rininë e mes tyre edhe ato për barinjtë e sidomos ajo e Bajram Lulit. Kur këndonte Havziu gjithnjë kokën e mbante lart dhe fyti i dridhej. Gjithashtu Havziu i binte edhe çiftelisë, sidomos ato pjesë që shoqëronte vetë. Duke qenë se të dy qemë arsimtarë, por edhe ishim takuar disa herë më parë, pastaj rritë e lindë si unë në Buzmadhe dhe ai në Kollovoz, në të njejtin paralel, mes maleve dhe bjeshkëve të krahinave të Kukësit, na shkonte më shumë muhabeti, edhe në këtë turne të Nahijes sime, në kufi me Dibrën.

Ato vite, si gjithnjë, qendra e Kukësit ishte vetëm qyteti i vjetër, ndërsa ai i riu ende ishte në projekt. Nisemi me një makinë të hallakatur dhe arrijmë deri në Qafë të Kolesjanit. Tani që këndej, deri në Vilë, ku fillonim shfaqjet, udhëtuam në këmbë, nga Domet, Resk, Lusën, Ura e lapave dhe pas një lodhje që nuk do ta harrojmë të gjithë, arrijmë në fshatin Barruç të Vilës.

Në Vilë, një pritje mes zakoneve e traditave të Lumës.

Në Barruç, në atë kodrën e lartë, por edhe të veçantë, na pritën shumë malësoër. U ulëm në një livadh si një tapet i vërtetë. Nuk dhamë shfaqje atë ditë se ishim të lodhur, por Sheqeri dhe Maliqi kënduan disa këngë. Një atmosferë e gëzuar, sa edhe fshati e gjithçka këtu u gjallërua. Në mbrëmje na morën nëpër shtëpitë e tyre vetë banorët. Unë dhe Havziu fjetëm tek familja e Bajram Totës, mësues, në atë odën plot dritë në katin e dytë, ku shikonim nga dritarja si në ekran Lusnën, Tejdrinën, Arrnin, e thellë në horizont masivet e Lurës.

Ditën tjetër, së bashku me pjesmarrjen e malësorëve të Barruçit, Mëzhuzhit dhe vetë Vilës, shfaqjen e dhamë afër Lakut të Erës, gati në qendër dhe pranë të të gjithë katundeve.

Gati dy orë, këngë, valle, skeçe, leksioni im e gjithçka tjetër u prit shumë bukur dhe me kënaqësi.

Natën tjetër bujtëm në qendër të Vilës, te Azem Billa së bashku me Havziun. Një pritje sipas zakoneve dhe traditave të këtyre anëve, Azem Billa qe një kuadër dhe personalitet i njohur. Të gjithë anëtarët e trupës tonë qëndruan dy netë në Vilë. Kudo gjetëm një atmosferë pritje e bujari të rrallë e të veçantë, mbi të gjitha një pastërti shëmbullore, le pastaj ato darkat me lloj-lloj ushqimesh të traditës, mes tyre flija, kosi dhe djathi me erë lulesh.

Në Kalis, mes Veleshicës e Drinit, në horizont mali i Korabit.

Pasi mbaruam shfaqjet me sukses në Vilë, trupa jonë u nis për në katundin Gurrë-Kalis.

Udhëtuam këndshëm andej nga livadhet e Bares, ku në perëndim ndodhej një nga pyjet më të njohura në këto vise, Gjineta me drurë dhe lisa që kishin shoqëruar shekujt. Gjatë rrugës që e përcollëm me shumë shaka e kunja, qoftë Sokoli, Musai, por edhe Havziu, na porositën që në Kalis veç të tjerave të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm pasi kjo zone është në kufi me Dibrën, kështu anekdodat, batutat, fjalët dhe shprehjet i kanë me spec, të holla si maja e gjilpërës. Të mos na bëjnë budallenjë dhe të tallen me ne. Havziu vërtetë ishte nga Kollovozi, treva e Dollovishtit, por zakonet, traditat e historinë e Nahijes Lumës e njihte në hollësi, pastaj Kollovozi i tij bënte pjesë në gjeografinë e Lumës sonë. Unë dhe shoku im, pasi Havziu qe me moshë më të madhe, kudo ku shkonim nëpër fshatra takimin e bënim në shkollë. Por sa arritëm në Gurrë, gati në mesditë pranë njëri tjetrit, por edhe dorë për dorë, zbresim tek shkolla. Ata ishin në mbyllje të vitit arsimor 1961-1962. Takuam mësuesin përgjegjës Xhemali Prendin, pasi këtu ishte vetëm fillorja, se shkolla 7- vjeçare ishte poshtë në qendër të Kalisit. Pasi u përshëndetëm i treguam dhe qëllimin tonë. Xhemaliu duke qenë se Havziun pak e njihte dhe po kaq ia kishte dëgjuar edhe zërin, u ndal më shumë me të, duke e pyetur për familjen, ku shërbente, Kollovozin që shquhej për emrin dhe historinë e tij. Me mua pak u ndal, se ishim nga e njejta krahinë, e shumë mbledhje e takime siç veprohej në ato kohë i bënim bashkë në qendër të zonës. Havziut i pëlqeu shumë katundi Gurrë, veçanërisht vendi i mbuluar me pemë, e ai pylli që rrethonte fshatin si një kordon me argjend. Xhemaliu megjithë të tjerët, aktivistët e nxënësit e shkollës morën masa që pasdite ne të jepnim shfaqjen. Së bashku me shokët e këshillit por edhe me mësuesit zgjodhëm vendin se ku do të jepnim programin tonë. Në skaj të Gurrës ishte një livadh i rrumbullakët, plot bar dhe lule, pikërisht këtu u organizua edhe shfaqja me banorët vendas. Erdhën nga të gjitha fiset edhe nga shtëpia më e largët, duke filluar te lagja e Shehut përballë Draj-Reçit të Dibrës e deri afër Pralishtit. Ato vite nuk kishte dritë elektrike, gjithashtu edhe rrugë makine dhe qendra e vetme qoftë e arsimit por edhe e kulutrës ishte shkolla. Një jetë e varfër por optimiste, kështu qe edhe trupa jonë artisitke e ardhur nga Kukësi, edhe ajo në këmbë duke përshkruar një terren të ashpër dhe tepër të vështirë, u prit këtu me shumë entusiazëm dhe këtë e vërtetoi pjesëmarrja e shumtë e të gjithë moshave. Programi ynë ishte vërtet i bukur pasi gjithçka e patëm menduar mirë, por edhe në përshtatje me vendin, katundin e njerëzit e tij. Havziu si zakonisht dy këngët për Ejup Topojanin dhe Sahit Gegën, që kishin në themel të tyre luftën heroike të Topojanit kundër Serbëve, i demostroi me shumë pasion, me shumë shpirt dhe zemër. Kur mbaroi këngën për Sahit Gegën, plaku 80 vjeçar Tahir Zeneli, duke u mbështetur në shkopin e tij shkoi pranë Havziut dhe e puthi në të dy faqet, i shtrëngoi fort duart, duke u ngritur në këmbë dhe duartrokitur me të gjithë pjesmarrësit. Pra shfaqja u pëlqye shumë dhe këtë e dalloje në fytyrat e fjalët e atyre burrave dhe grave të Gurrës së largët. Në mbrëmje nuk u largua asnjë malësor pa na dhënë dorën dhe ftuar në familjet e tyre. Ne së bashku me Xhemaliun e shokët e tjerë të fshatit e kishim planifikuar ku do të kalonim një natë në Gurrë. Hanja, pjestarja e grupit tonë së bashku me vajzat e gjimanazit i morën në familjet e tyre cucat e nuset e fshatit, si shoqe dhe motra të vërteta. Unë dhe Havziu fjetëm tek Dervish Marku, një burrë me gjërësinë e meritën i nderuar në Kalis, Lumë e Dibër. Në mëngjes kolegu im Havzi Nela, ende pa dalë nga krevati më tha:” Një natë pas 28 vitesh të jetës time që do të mbetet e paharruar, e veçantë dhe befasuese”. Në trupën tonë artistike bënin pjesë vajzat e djemtë e qytetit edhe disa të rinj të tjerë. Atyre u bënte përshtypje gjithëçka nga jeta e malësisë, shprehjet, veshjet, ushqimi etj. Në mbrëmje kur hanin bukë, kështu ishte zakoni, shtrohej një sofër druri e rrumbullakët, në mes të saj një tenxhere e madhe me ç’të ishte gatuar dhe të gjithë i drejtoheshin me lugët e tyre asaj. Nxënësve nga qyteti kjo pra u bënte habi të madhe, qeshnin nën buzë dhe shikonin njëri tjetrin.

Pikërisht edhe skeçet e programit tonë me gjuhën e artit i kritikonim këto fenomene të vjetra të fshatit, mes tyre edhe veshjet, fejesat në moshë të mitur etj. etj. Duke prekur në ato plagë që mbartte bota e jeta këtyre viseve, programi ynë pëlqehej shumë dhe duartrokitej nga të gjithë. Ne fjetëm e hëngrëm bukë për dhjetë ditë në familjet e malësorëve, jo pak por mbi 15 vetë. Kudo gjetëm një pritje e ngrohtësi të jashtëzakonshme. Veç të tjerave nuk harrojmë flinë që përgatisnin me kaq merak nuset dhe grate dhe që Havziu e pëlqente aq shumë, bile thoshte që edhe në Kollovoz gatuajmë fli por këtu në Kalis është edhe më e shijshme, ndoshta ndikon druri i fortë i dushkut. Sidoqoftë malësorët e Kalisit mikpritjen e bujarinë e kanë të veçantë, ku çdo miku dhe mysafiri i krijojnë një atmosferë tepër të këndëshme dhe të bukur. Në qendër, në Kalisin e vërtetë, arritëm ditën e nesërme. Në qendër të Kalisit me Havziun këmbën e parë e vumë te shkolla. Takuam kolegët tanë Han Lamën, Ramazanin, Alinë dhe Hjaredin(Din) Shirën por edhe Ahmet Keçën moshatar me ne. Atë ditë do të shpërndanin në një ceremoni dëftesat e nxënësve për atë vit që mbyllnin. Ramë dakord që dëftesat së bashku me fletët e lavdërimit për nxënësit e dalluar të jepeshin gjatë shfaqjes sonë. Na pëlqeu shumë mjedisi i shkollës, bile Havziu u ndal më shumë tek muzeumi për materialet e mbledhura për trimin Mahmut Daci, udhëheqësin dhe komandantin e këtyre viseve, që sulltani i perandorisë turke edhe pasi ja dërguan kokën e rivalit të tij nuk e besonte ende nëse ishte gjallë Mahmut Dac Kalisi. Kalisi ato vite, mes pesë fshatrave pati vetëm një shkollë 7 vjeçare, ku vinin e mbaronin atë fëmijët e të gjitha lagjeve, duke filluar tek Ymeret buzë Drinit, lart te Lamet, Pralisht dhe Gurrë. Gjatë bisedës me mësuesit, Havziu mësoi edhe një fakt tjetër, po nga stendat e muzeumit, se në vitin 1913 pushtuesit serbë, në masakrën e tërbuar dhe gjakatare në Lumë, këtu në Kalis therën me bajonetë 96 malësorë, të cilët prehen atje lart në Sukë, emrat e tyre tashmë ishin në muzeumin e ri të fshatit. Pastaj Havziu nuk harroi t’thotë se barbari dhe katili serb ka vrarë 300 burra në Topojan, ka djeg e përvëluar gjithçka ku vinte e shkelte me këmbë.

Në Kalis, veç mësuesve, kolegët tanë, na pritën edhe drejtuesit e Këshillit Popullor, veteran etj. Lajmi për mbërritjen tonë tashmë ishte shtrirë në të gjitha lagjet e fshatrat deri në Sllovë, Vleshë, Ploshtan e trevën e Dibrës. Shfaqjen e dhamë pak matanë shkollës nga lindja, në një lëndinë në një shpat si një amfiteatër, të gjithë të ulur në bar. Them se do të kënë qenë afro 300 burra dhe gra të zbritur edhe nga katundi Pralisht. Para fillimit të aktivitetit, na përshëndeti një nga burrat me emër, figurë e shquar në Nahijen e Epër, Mazllum Fetahi. Praninë tonë në këtë ditë qershori e quajti edhe festë dhe një dasëm të vërtetë. Pastaj u ndal tek Sokol Spahiu, një derë e njohur në Kolesjan, Musë Halilaj nga themeli i Lumës, fshati Canaj, Maliq Cenaj këngëtar i njohur i këngës “Cucë Lumjane” dhe shumë këngëve të tjera kushtuar Lumës, pastaj për Havziun e vuri kaq lart portretin e tij, si një kreshnik nga Kollovozi, që është krenaria e Dollovishtit për ato trima e burra dheu të paparë. Për mua vetëm dy fjalë tha, nga Buzmadhja, djalë me shkollë por edhe trim siç janë malësorët e fshatit të tij. Ndërsa për Hane Baftjarin, bijën dhe cucën e tyre, këngëtare e njohur që i ka dhënë emër vendlindjes, por edhe e ka ngjitur aty lart aq sa mali i Korabit që e shohim për së largu, e porositi që të mos e harrojë bukën e ujin e Kalisit të vet. Programi u prit shumë mire, veçanërisht këngët dhe ato skeçet që preknin e thumbonin edhe disa zakone e bidate të këtyre anëve. Kur gjithçka u mbyll kaq bukur, veterani na ftoi në dyqanin e fshatit, pasi klub nuk kishte ende, na qerasi me çfarë deshëm, pa harruar edhe gotat me raki, llokumat etj. U ulëm në ato stolat e thjeshtë prej druri, por jo të gjithë, pasi një pjesë u ulëm rrafsh në lëndinë. Pranë Mazllumit në krah të tij qëndronte Havziu dhe herë pas here qeshnin dhe i jepnin dorën njëri tjetrit. Në mbrëmje vetë malësorët na morën në shtëpitë e tyre, ndërsa unë dhe Havziu qemë miq dhe mysafir tek Masllum Fetahu. Kaluam një natë, deri afër mëngjesit, mes ngjarjeve, tregimeve, gojëdhënave, proverbave, por edhe me këngë e çifteli e mes tyre ato për trimat që kishin lënë pas historinë e tyre të lavdishme.

Në lagjen e Imereve buzë Veleshicës e Drinit.

Ditën tjetër kemi zbritë në lagjen e Imereve, mes Veleshicës që vinte me ujin e saj nga shpatet dhe bjeshkët e Korabit dhe pranë Drinit të Zi, andej nga Struga e largët. Edhe këtu veç banorëve, programin tonë artistik e panë edhe të tjerë të ardhur nga Zall Kalisi i Peshkopisë. Këtu përballë kemi edhe Zallë Dardhën e Dibrës e njohur, ku Ansambli Artistik i saj me këngëtarë Lirije Rasha, Sajhe Poleshi, Qerim Sula qe i njohur në të gjithë Shqipërinë. Në zonën e Kalisit do ta mbyllnim turneun me shfaqjen e fundit në katundin Gështenjë. Këtu arritëm në mesditë dhe nuk mund të harrojmë ato qershitë tamam si kokrra qelibari, që na dhuruan në kodrën e lagjes Bodini cucat ku na vunë përpara një shportë aty në lëndinë. Pastaj ato kërcyen një valle së bashku me nxënëset tona të gjimnazit. Edhe këtu pjesëmarrja ishte e plotë që nga Shullani, Kalla, e më tej. Sipas situatës me Havziun edhe e pasuronim programin me ndonjë pjesë humoristike me diçka që hasnim gjatë qëndrimit tonë nëpër familje e në biseda, pra ne e aktualizonim dhe kjo e bënte atë tepër interesant. Dhamë katër shfaqje për të cilat ishim shumë të kënaqur më shumë vetë malësorët e Kalisit. U larguam nga kjo krahinë e njohur për zakonet, traditat dhe krenarinë, që njihet si lavdia e vetë Lumës. Gjatë udhëtimit për në qendër të lokalitetit, në Bushtricë u ndalëm në Cukë, ku preheshin 96 dëshmorët dhe shehitët që kishte vrarë e therë Serbi. Pranë varreve të tyre bëmë homazhe dhe vendosëm tufa me lule mali.

Bushtrica në festë mes këngëve dhe valleve.

Në Bushtricë në fillim na priti kryetari i lokalitetit Bajram Kingji, i cili ishte informuar për ekskursionin tonë artisitk dhe na përgezoi për gjithçka. Aty në qendër me kërkesën e disa të pranishmëve Sheqer Ademi, si pjesëtar i trupës tonë, i cili i binte firzamonikës, mori disa këngë dhe valle. U krijua një atmosferë festive dhe e gëzuar. Pjesëmarrësit filluan të kërcejnë, mes tyre edhe Havziu e kryetar Bajrami, i cili kishte lindur atje ku vallet duket sikur kanë zbritur për të parën herë në tokë, në Shishtavec. Drekën e hëngrëm në qendër të zonës por edhe këtu nuk u ndalën këngët dhe vallet dhe gjithnjë Havziu ishte në krye të valleve me atë shaminë që e tundte si krah shqiponje. Programin zyrtar e shfaqëm në mes të zonës, ku erdhën banorë nga Gjegjet, Matranxhi, Palushet, ndërsa tjetrin e shfaqëm poshtë te Ura e Lapave në lagjen e Lesheve. Edhe këtu shkolla e fshatit u mbush plot e për plot, ku nuk mund të gjeje hapësirë edhe për majën e gjilpërës. Mësuesi i njohur Hysni Billa na ndihmoi për gjithçka dhe për drekë na ftoi të gjithëve në familjen e tij. Në shtëpinë e tij, përballë dukej maja e Aravelit dhe në thellësi lugina e pafund me atë lumin që vinte nga bjeshkët e Radikës të Maqedonisë. Unë dhe Havziu fjetëm dy netë te dajat e mij, Xheladin dhe Arif Tota në Gjegje. Dy netë si nipat te daja, si pëllumba të bardhë. Nusja e dajës Filxharija na lau edhe këmishat e gjithçka tjetër. Edhe këtu Havziu gjeti tamam një ambjent si te familja e tij por gjatë atyre ditëve ndonëse ai qe mjaft i gjallë dhe me humor, kishte raste që ndahej nga ne, ulej në ndonjë ledh, shkruante diçka, mendohej dhe hidhte vështrimin larg larg në thellësitë e qiellit. Në një bllok të vogël, gati katror shënonte diçka me atë lapsin e thjeshtë siç ishte dhe vetë ai. Bllokun asnjëherë nuk e mbante në xhepin e jashtëm të xhaketës por e vendoste brenda, aty ku mbante të hollat.

 

 

 

-Vijon nesër

– Natën e fundit me Havziun e kaluam në stanin tim, në Krua të Bardhë

– Në Buzmadhe, pranë bjeshkëve të Kroit të Bardhë.