Përplasi me makinë çiftin Konomi dhe foshnjën e tyre, nis seanca gjyqësore për Ajas Sulejmanin

123
Sigal

Ajas Sulejmani, 39-vjeçari që përplasi çiftin Konomi dhe beben e tyre po përballet me trupën gjykuese.

Në orën 10:00, i riu është futur në sallën e gjyqit ku me kokën ulur e duke shmangur kamerat pret të njihet me masën e sigurisë. Prokuroria mësohet se kërkon ‘arrest me burg’ për 39-vjeçarin që akuzohet për veprat penale ‘shkelje e rregullave të qarkullimit me pasojë’, ‘drejtim te automjeteve në mënyre te parregullt nën ndikimin e drogës’ si dhe ‘largim nga vendi i aksidentit’.

Në dëshminë e dhënë një ditë më parë, vetë Sulejmani ka mohuar të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike në momentin që ka ndodhur aksidenti.

Ai hedh dyshime mbi policinë duke u shprehur se testi që i kanë bërë nuk është real dhe kërkon që t’i bëhen analizat e gjakut.

Nga ana tjetër, çifti Konomi ndodhen në gjendje të rëndë pasi janë të dy në një fazë që kanë nevojë herë pas here për oksigjen, për shkak të dëmtimeve në mushkëri. Arjan Konomi, i cili po kurohet në spitalin e Traumës ka kaluar në reanimacion, trajtim intensiv. Vilma Konomi është në gjendje delikate gjithashtu.

Çifti po kalonin rrugën me karrocën e bebit në momentin që semafori u dha sinjal këmbësorëve, por Sulejmani u fut me të kuqe dhe i përplasi. Videoja e publikuar tregonte momentin e tmerrshëm të aksidentit. Çifti ra në tokë, por fatmirësisht “G Class”-i i Sulejmanit nuk e preku karrocën e bebit.

Ajo u rrëzua vetëm nga fakti se e ëma që po e shtynte, humbi kontrollin dhe i iku nga duart.

Sulejmani mësohet se ka dalë nga makina në momentin që ka aksidentuar çiftin Arjan dhe Vilma Konomi bashkë me foshnjën e tyre tre muajshe dhe ka vënë duart në kokë kur ka parë skenën e tmerrshme. Por, ai është kthyer në makinën e tij e ka marrë të bijën, 4 vjeçe, të cilën e ka parë duke qarë. Pasi e ka marrë vajzën në krahë është larguar përmes rrugicave të pallateve dhe më pas ka shkuar në një spital privat tek Kthesa e Kamzës.

Aty, ai u vu në pranga dhe rezultoi se ishte nën efektin e lëndëve narkotike (kishte konsumuar kanabis e metamfetaminë).

Sulejmanit i është vendosur gjoba 1 milionë lekëshe dhe i është pezulluar patenta për dy vjet.