Suplementi Pena Shqiptare/ Vepror Hasani: Puthja dhe thika

83

Vepror Hasani

Puthja dhe thika

Kishte vetëm dy ditë që ndodhej në burg. Plaku Grigor kishte vendosur të vriste veten. Thikën që e kishte mbajtur gjithnjë me vete ia kishin marrë që në çastin e arrestimit. Gjithë jetën kishte punuar kasap dhe prej thikës nuk ishte ndarë qoftë edhe për një çast të vetëm. Kur flinte e vinte nën jastëk…Me atë thikë kishte kryer edhe krimin. Shokut të tij më të ngushtë, mikut të tij më të mirë i kishte prerë buzën. Plaku Grigor nuk e mbante mend mirë se si kishte rrjedhur ngjarja. Për të gjithçka kishte mbetur e trurbullt. Gjithçka kishte ndodhur shumë shpejt brenda një çasti të vetëm. Askush nuk e kishte parë se kur plaku Grigor mori thikën dhe kur e la përsëri në vend.
Gruaja e tij, plaka Marigo, që ndodhej aty si një dëshmitare e vetme vuri re një lumë gjaku që po rridhte pa pushim nga buza e plakut Xhorxhi. Pastaj pa që buza e tij e poshtme mungonte krejtësisht dhe tjetrit i dukeshin vetëm dhëmbët që i kishin mbetur jashtë. Ishte një pamje mjaft tronditëse. Gruaja e Grigorit u mat të thoshte: “Grigor çfarë paske bërë kështu”, por nuk pati guxim. Grigori e kishte akoma thikën në dorë. Megjithatë Marigoja diçka pëshpëriti. Plakut Grigor nuk po i kujtohej mirë se çfarë kishte thënë në ato çaste gruja e tij.Herë i dukej sikur ajo kishte bërtitur: “Ishte një gënjeshtër Grigor, ishte gënjeshtër, Xhorxhi nuk më ka puthur kurrë”, dhe herë i dukej sikur plaka me të njëjtin zë i kishte thënë: “Po, ai që më ka puthur për herë të parë ka qenë Xhorxhi!” Tashmë Grigori nuk ishte më i sigurtë cila kishte qenë e vërtetë dhe cila kishte qenë gënjeshtër. Thjesht nuk donte të jetonte më. I mbetur i zhgënjyer, kishte vendosur të vriste veten. “Ta ketë puthur gruan time, miku im Xhorxhi?- pyeti veten. Nuk kishte asnjë përgjigje as po, as jo. Si tha Marigoja? Ajo ulëriti dhe tha: “Është e vërtetë, Grigor”! Jo, ajo ulëriti e tmerruar dhe tha: “Është gënjeshtër, Grigor”! Si të jetë e vërteta? Plaku Grigor ishte tejet i tronditur. Sigurisht, tha pastaj, edhe mund të mos ketë ndodhur ajo që tha plaka ime, por tashmë kam plagosur një njeri të pafajshëm, mikun tim. Ai do të mbetet gjithë jetën me buzë të prerë dhe gjithë jetën njerëzit do të kujtohen për prerjen e buzës së tij. Do të kujtohet emri im, Marigoja, Xhorxhi… Ndoshta kjo histori do të kujtohet edhe pas vdekjes tonë… “Si ndodhi vallë?”-pyeti veten. Plaku Grigor kishte qene i njohur nga të gjithë. Sa herë që në qytetin e tij ndodhte ndonjë mosmarrëveshje, ai ishte i pari që ndërhynte me thikën në dorë dhe i ftonte për njerëzit për t’u pajtuar. Të më ketë tradhëtuar plaka, mendoi. Ta ketë patur të dashur mikun tim Xhorxhin? Që kur vallë kanë qenë të lidhur ata të dy? Si ta marr vesh të vërtetën? Të besonte që ishte e vërtetë nuk donte, të mos e besonte, nuk ishte i qetë. Grisi çarcafin dhe nisi të përgatiste litarin me të cilin do të varej. Tashmë miku i tij ndodhej në spital, ndërsa ai vetë në burg. Pas pak ditësh do të dilte në gjyq që të tregonte se si kishte ndodhur ngjarja. Kishte vendosur të mos fliste. Çfarë të tregonte! Të tregonte për një histori që mund të mos kishte ndodhur kurrë apo t’u tregonte të tjerëve se Xhorxhi kishte qenë i pari që kishte puthur gruan e tij. Njerëzve u pëlqejnë tradhëtitë që u ndodhin të tjerëve… do të besojnë puthjen, mendoi. Të vërtetën e dinte vetëm Marigoja. Plaku Grigor ishte 82 vjeç, por më të trishtuar se atë ditë nuk e kishte ndjerë veten ndonjëherë tjetër. Kurrë më parë nuk kishte menduar të vetëvritej. Kishte qenë njeriu më i lumtur deri në atë kohë. Marigoja kishte qenë gjithnjë një grua e bindur. Jetonin në një qytet të vogël. Plakun Grigor e njihnin që të gjithë. Ishte shumë i shpejtë në punë. Nxirrte thikën dhe coptonte mishin sakaq. Punonte me një shpejtësi të çuditshme. Bënte edhe ndonjë shaka, por gjithnjë pa lëshuar thikën nga dora. Kishte punuar kasap që kur kishte qenë i vogël. Edhe kur kthehej nga puna nuk bënte gjë tjetër veçse mprihte thikat. Zanatin e kishte marrë nga gjyshi i tij. Kur u rrit ra në dashuri me Marigonë. Thonë se plaku Grigor që në atë kohë ishte 20 vjeç u çmend pas saj. “O marr Marigonë, kishte thënë, o vdes në vend!”. Marigoja nuk vendoste dot. Thuhet që një ditë ajo kishte thënë: “Grigorin e bëjnë njeri të frikshëm thikat që mban me vete. Thikat e tij janë shumë të mprehta. Nuk më pëlqen kur bën shaka me thikë”. Nuk dihen arsyet, por thuhet që edhe prindërit e Marigosë nuk kishin dashur që bija e tyre të martohej me Grigorin. Megjithatë Grigori nuk u tërhoq nga synimi i tij për asnjë çast. I delte në rrugë e në krua në periferi të qytetit, në mbrëmje e në mëngjes, por ajo gjithnjë i thoshte: “Jo, Grigor!”, dhe shihte nga brezi i tij ku mbante thikën e kasapit. Krejt si papritur, kur kishin kaluar ca kohë, dhe kur Marigoja çuditërisht kishte filluar të ndihej e trishtuar, kishte shkuar vetë te dyqani i kasapit dhe i kishte thënë: “Të dua Grigor!”. Kishte qenë kaq e vendosur sa nuk kishte dashur t’ia dinte për thikën e Kasapit, njësoj sikur t’i thoshte: “Do të vij me ty edhe sikur të më therësh”! – Mos je grindur me prindërit dhe kërkon të ikësh nga shtëpia?- e kishte pyetur Grigori – Nuk grindem kurrë me prindërit,- i ishte përgjigjur ajo – Mos të ka ndodhur ndonjë gjë tjetër,- e kishte pyetur sërish Grigori – Asgjë nuk më ka ndohur… Grigori e kishte marrë në krah e kishte rrutulluar në ajër dhe e kishte puthur. Sa nuk po çmendje nga gëzimi – Do të jem vetëm i yti, i tha, dhe ti do të jesh vetëm e imja”. Ai ishte i pari që kishte puthur Marigonë. Lajmi për Grigorin dhe Marigonë u hap në gjithë qytetin e vogël. Nuk mbeti njeri pa e marrë vesh. Nuk vonoi shumë dhe dasma u bë. U thirrën shumë njerëz dhe gëzuan gjithë natën, deri në mëngjes. U pi shumë raki dhe u kënduan shumë këngë. Që nga ajo ditë e deri kur plaku Grigor mbushi 82 vjeç në gjithë qytetin kishin mburrur harmoninë që kishte kishte ekzistuar mes këtij çifi. Gjithkush tregonte se Marigoja mbeti një grua e përkryer. Bënte gjithnjë shaka, por gjithnjë e përmbajtuar dhe e kujdesshme. Nuk e tepëronte asnjeherë. Kur dikush donte ta shtynte më tej shakanë e saj, ajo përgjigjej me të qeshur: “Buri im është kasap dhe thikën e mban të mprehtë çdo ditë”. Pas kësaj thënieje qeshnin të gjithë, qeshte po aq fuqishëm edhe plaku Grigor. Në të vërtetë ishte i lumtur që pati fat të kishte një grua si Marigonë. Deri ditën që Marigoja i kishte pranuar, ai kishte vuajtur shumë. I dukej sikur dikush tjetër do t’ia merrte. Nuk kishte besuar kurrë se Marigoja kishte patur para tij një djalë tjetër. Do t’i dukej çudi sikur Marigoja t’i kishte thënë: “Grigor, unë dua shokun tënd, Xhorxhin”. Si nëpër mjegull iu kujtua që Xhorxhi i kishte thënë se donte një vajzë, por nuk kishte dashur t’i tregonte cila ishte ajo. Xhorxhi kishte qenë miku i tij më i ngushtë. Kishin hyrë dhe kishin dalë në shtëpinë e njëri- tjetrit vazhdimisht. Tani që ishin pleq e pinin kafen bashkë. Kishte disa vjet që plaku Grigor e kishte hequr thikën nga milli. Nuk e mbante më me vete. “Më lodhi puna e kasapit,- thoshte. Ditën që flaku thikën, Marigoja kishte qeshur me të madhe. Pa thikë, dukesh edhe më i mirë,- i kishte thënë. Tashmë ditët i shtynte bashkë me mikun e tij. Herë shkonte Grigori në shtëpinë e Xhorxhit dhe herë shkonte Xhorxhi te Grigori. Ishin bërë si vëllezër. Befas ndodhi ajo që nuk pritej. Xhorxhi kishte shkuar në shtëpinë e Grigorit. Pinin kafe dhe bisedonin. Në bisedën e tyre ishte përzierë edhe Marigoja. U kishte shkrepur të kujtonin moshën e rinisë. Tregonin mbi dashuritë e asaj kohe, por edhe për vajzat që kishin ndjekur në atë kohë. Grigori po kujtonte se si kishte rënë në dashuri me Marigonë, si kishte shkuar ajo vetë te dyqani i kasapit dhe i kishte thënë Grigorit që e donte. Gjithçka që kujtonin e shoqëronin me të qeshura. Në sy të Marigosë tregonin edhe ndonjë sekret të vogël të rinisë. I kishte mbërthyer dobësia e sinqeritetit. Si për t’i hedhur kripë bisedës tregonte ndonjë gjë të vogël edhe Marigoja. Erdhi një çast kur Marigoja mes të qeshurave tha: “E vërteta është se mua për herë të parë më ka puthur Xhorxhi”! Nuk u kuptua qartë nëse Marigoja donte të gacmonte të shoqin që tashmë ishte plakur dhe sigurisht që nuk do të ndodhte ndonjë gjë apo ajo po thoshte një të vërtetë që nuk e kishte thënë deri atëherë. Plaku Grigor që kishte qenë duke qeshur i mbeti e qeshura në buzë. Pati një turbullim të shkurtër. U nxi në fytyrë e u bë tjetër njeri. Si një njeri i padukshëm ai ishte ngritur nga vendi, kishte marrë thikën që që nuk e kishte prekur me dorë për shumë kohë, bëri një lëvizje të shpejtë aq sa mund të thuhet se nuk e pa askush, dhe e la përsëri atje ku e mori. Pas kësaj një rrjedhë gjaku u pa të rridhte nga buza e Xhorxhit… “Me këto buzë e ke puthur?- pyeti mikun e tij, Xhorxhin, duke u përpjekur të ulej sërish atje ku kishte qenë më parë…
Kështu ndodhi, tha me vete plaku Grigor, por ende nuk e di nëse ishte një shaka apo një e vërtetë… Vetëvrasja është e pashmngshme, tha me vete plaku Grigor. Litarin e kishte përgatitur, por në dhomën ku ishte i izoluar nuk kishte asnjë vend ku mund të lidhte litarin. Iu kujtua thika. Vuri dorën te milli atje ku mbante thikën dhe befas sërish iu kujtua se ia kishin sekuestruar që në çastin e arrestimit…
Nga Vepror Hasani