Historia e vjetër dhe moderne ka njohur shumë njerëz të shquar në rrafshe të ndryshme të zhvillimit material e shpirtëror të kombit shqiptar. Ne këtë vijë të historisë, ne plejadën e njerëzve të spikatur per kontributin e tyre në shërbim të arsimit, të shkencës dhe të kulturës kombëtare një vend nderi në piedestal zë edhe Profesor Eqrem Çabej.

Prof. Çabej lindi në qytetin e Gjirokastrës në 1908 në nje familje të pasur dhe me tradita në fushën e arsimit. Në moshë fare të re, vetëm 12 vjeç, ai u vendos në Austri dhe u rrit nën kujdesin e një familje intelektuale, e cila ndikoi shumë edhe në karakterin e të një edukate tepër të lartë të akademikut të ardhshëm.

Prof. Çabej hyri në jetën intelektuale qysh në moshë të re me një formim te admirueshem shkencor. Ai zotëronte mjaft mirë Latinishten, italishten, greqishten e vjetër dhe moderne, gjermanishten dhe një varg gjuhësh të tjera të gjalla e të vdekura. Pasi përfundoi shkëlqyeshëm studimet e Larta për Linguistikë në Universitetin e Vjenës në Austri në vitin 1933, studenti i Norbert Joklit, albanolog i madh austriak, gjithë energjitë, pasionin dhe vullnetin e vet ia kushtoi shkencës gjuhësore, historisë së saj në rrymë të viteve, zhvillimeve të saj në hapësirë dhe në kohë të ndryshme, evolucionit të saj drejt një shqipe të unifikuar letrare, atributeve të saj si një gjuhë qytetëruese. Eshtë interesante që gazeta “Demokratia” në vitin 1934, 30 prill, ka shkruar një artikull ku Prof. Çabej përcaktohej se “…ai do te bëhet një nga kultorët e vërtetë të mendjes njerëzore…” dhe duke e parë nga sot bindesh më shumë se parashikimet dhe vlerësimit për të që në fillimet e karrierës së tij shkencore gjuhësore kanë qenë të sakta.

Ndihmesa e tij e veçantë në fushën e etimologjisë së gjuhës shqipe etj., ka qenë e pandarë nga veprimtaria e tij për forcimin dhe konsolidimin e Shkollës Shqiptare, veçanërisht të Arsimit të Lartë. Në shumë tekste mësimore që lidhen me probleme të filologjisë, me probleme të gjuhësisë historike, të rrafsheve dhe të veçorive te shqipes letrare, të revistave , të buletineve, të redaktimit dhe të oponencave shkencore është edhe nënshkrimi i akademikut Çabej.

Nuk është i rastit edhe fakti se ai në vitet ‘30 ka qenë edhe drejtor i Arsimit të Mesëm në Ministrinë e Arsimit, e kjo natyrisht që lidhet edhe me dëshirën e tij prej atdhetari, ashtu si edhe Naim Frashëri etj për të kontribuar në reformimin e arsimit, për ta vënë atë në shinat e një koncpetimi perëndimor dhe europian.

Ai ka kërkuar që gjuha shqipe të zinte vendin e merituar në të gjithë shtirjen kohore e të niveleve të arsimit mbi bazat e një metodologjie të re, me njohuri nga të gjitha nënsistemet e gjuhës dhe me konceptet e gjuhësisë moderne. Në fushën e shkollës ai ka vepruar në stilin e një pionieri tepër aktiv dhe racional e për këtë ai ka fituar titujt e lartë “Mësues i Popullit” e “Nder i Kombit” dhe ndihmesa e tij tepër e vyer ka ecur në një vijë me atë të Koto Hoxhit, Pandeli Sotirit, Kostandin Kristoforidhit, Aleksandër Xhuvanit, Aleks Budës, Androkli Kostallarit etj.

Prof. Çabejt i takon merita e madhe e përpunimit të teorisë së thellë shkencore për gjuhën shqipe, në shtjellimin, si në aspektin diakronik, ashtu edhe sinkronik të saj, të kulmeve dhe të personaliteteve vendas e të huaj që e trajtuan me dashamirësi atë dhe ai e paraqiti atë si një monument të kulturës kombëtare, si një gjuhë të zhvilluar dhe me një vijë zhvillimi origjinale.

Studimet e tij për gjenezën e shqipes, “nga ilirët tek shqiptarët”, “vendi dhe koha e formimit të shqipes”, “marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e tjera” etj., për romantizmin, për veçoritë e strukturës gjuhësore të arbëreshëve të Italisë, patën jehonë në rrethet shkencore të kohës. Ato pasqyruan gjedhet më të mira të shqipes të trajtuara nga këndvështrimi i një eruditi dhe gjuhëtari të madh si ai.

Kongresi i Drejtshkrimit ishte një dëshmi e gjallë e vlerave shënuese të këtij shkencëtari dinjitoz, të njohjes me themel të shqipes në rrymë të shekujve, por edhe të koncepteve moderne që kishte ai për të. Ai kish përqafuar me kohë gjuhësinë historike krahasuese e moderne dhe shtroi në këtë tubim historik të gjuhës shqipe nevojat për studime më të thelluara në preje të ndryshme të saj. Idetë e tij u përkrahën edhe nga studiuesit e shqipes në Kosovë e vise të tjera ku jetojnë shqiptarët nën parimin “një komb – një gjuhë”.

Prof. Çabej ka përpunuar në bashkëpunim me gjuhëtarë të tjerë parimet themelore “Fjalorit të Gjuhës Shqipe” 1980 e një varg fjalorësh dygjuhësh, të cilët kanë ndikuar pozitivisht në përpunimin e vlerave të shqipes dhe në shërbim të nxënësve e të studentëve.

Prof. Çabej ishte tepër skrupuloz dhe tepër kërkues në fushën e studimit e të kërkimit shkencor linguistik. Argumentet që sillte ai në të mirë të tezave të tij ishin të shumta dhe me një logjikë të fortë teorike e me ilustrime të shumta, me detaje dhe elementë të qenësishëm. Vepra dhe produkti i tij shkencor kap mijëra faqe. Vetëm Atlasi Gjuhësor i përfunduar në vitet e Luftë së Dytë Botërore rrok 4500 faqe shkencore. Vepra gjuhësore e tij rrok prerje të ndryshme të Etimologjisë dhe të Fonetikës historike, të evolucionit të shqipes dhe të dinamikës së saj të brendshme, të lidhjeve të saj me faktorë jashtëgjuhësore. Prof. Çabej ka lapidar thënien se “Historia e gjuhës është e pandarë nga historia e kombit të vet”. Po kështu ndihmesa e tij ka qenë edhe në rrafshe të tilla të gjuhësisë si: në Leksikologji dhe Leksikografi, në Semantikë e Semasiologji, në Fjalëformim e veçanërisht ato të kompozitave dhe të rrymave e shkollave që mbizotërojnë në Universitetet e vendeve të ndryshme të Europës e më gjerë. Origjinaliteti, thellësia e gjykimit, argumentet e shumtë, formësimi shumë i lartë teorik bënë që profesori i paharruar të fitonte titullin akademik dhe të ftohej në auditore të nivelit më të lartë evropian, në simpoziume e konferenca të shumta ndërkombëtare.

Vlerat e larta shkencore dhe atdhetare e renditën atë në rradhën e akademikëve të parë shqiptarë, qysh në themelimin e Akademisë së Shkencave, më 1973. Ai ishte poliglot, atdhetar, frymëzues i një varg konsultash, konferencash, simpoziumesh për probleme të gjuhësisë dhe të letërsisë, të shkencës dhe të kulturës. Ai ishte një shkencëtar i një lloji të veçantë.

Prof. Çabej ishte dashamirës dhe mbështetës për të gjithë ata që donin të formoheshin në shkollën e tij, me koncepte dhe praktika të atilla që vetëm ai ishte në gjendje t’i zbatone, për arsimtarët ambiciozë ndaj shkencës dhe qytetërimit të vërtetë, që me punën e tyre kërkonin rrugë kualifikimi, të jepnin edhe ata ndihmesën e tyre modeste në rrugën e bukur e të vështirë të arsimit dhe të shkencës albanologjike.

Të shumtë janë miqtë dhe dashamirësit e akademikut të paharruar në të gjithë vendin, në breza e në vite, të cilët e kujtojnë atë në ditën e 39-vjetorit të ndarjes nga jeta, me veneracion dhe me respekt të veçantë.