Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: I varfëri dinjitoz i lagjes sime

158
Sigal

I varfëri, i harruari dinjitoz i lagjes sime,

mbrëmjeve shushuritëse rend heshtur,

përshëndet me dorë mbi zemrën jetime,

i varfri, i harruari, dinjitozi shpirtqeshur.

Ai thahet, si gjethja e vjeshtës zhveshur,

kërcitjen e nofullës ndiej, tek rri zgjuar,

asgjë s’ka mbetur, veç frymës pa tretur,

errësirës pus, ku dritë e jetës rri shuar.

Për një çast, këngës ia thotë trishtuar,

zërin dëgjoj që dridhet duke qarë.

I varfëri ,i harruari i mëhallës sime vuan,

ofshamën e mjerimit derdh në çdo varg.

E dhimbja shtratit, s’më lë të fle e qetë,

ai s’është si të tjerët, lapanjoz, huligan,

atë se tremb, asnjë shtrëngatë e rrëmet,

i harruari i lagjes sime, është njeri i rrallë.

Ç’dreq bote është kjo?! E vrisni, e shani,

ia rrëmbeni zemrën, copa-copa ia ndani,

pijani gjakun, por këngën mos ia ndalni,

dheut mos e kallni, por dinjitetin ia qani!…

 

Dua të jem gjallë!

Kur lind dielli i them vetes:”Jam gjallë”,

se rrezja më ngroh trupin e zhveshur!

Kur lind dielli i përgjërohem rrezes së parë,

të lyej në bronx skeletin tim të zverdhur.

Mesa më kujtohet, xhaketën ma vodhën,

ma vodhën mes shiut disa vagabondë,

mëngët e këmishës qentë e rrugës ia hoqën,

por shpirtin çakenjtë s’ma morën dot.

Skutës së vampirit, përpëlitem i pakallur,

se sytë e tij të ftohtë më ngjallin frikë,

ah, i pangopuri, thith gjakun duke u tallur,

e më thotë:”Me ty do luaj tragjedinë”!

Dhe bëj çmos, t’i hedh skeletit pëlhurë,

që perëndimi i diellit të më gjejë veshur,

në mos gjetsha gjë, emri do shkruhet në gur,

e udhëve do këndohet kënga e mekur…

Kur lind dielli them me vete:”Jam gjallë”,

se rrezja e tij është e shenjtë për mua.

Kur lind dielli, ndonjëherë më vjen të qaj,

se rrezeartën pëlhurë për shpirtin e dua.