Suplementi Pena Shqiptare/Meri Lalaj: Pjesë nga libri i Adem Demaçit “Dashuria Kuantike e Filanit

1065
Sigal

Nga libri “Dashuria kuantike e filanit”

 Ajo ishte mësuesja ime në klasën e parë dhe të dytë. Ishte e bukur, e dashur dhe përplot imagjinatë në punën e saj. Në klasën tonë çdo ditë, para se të fillonte mësimi, ne, nën dirigjimin e mësuese Vezires, këndonim “Himnin Kombëtar” dhe këngën “Po çka je o djalë i bardhë…” Ne e donim mësuesen baras me nënat tona. Kam shumë gjëra për të treguar për mësuesen Vezire, por një ngjarje më ka mbetur e thadruar fort në kujtesën time…

Atëhere ishte koha e okupimit italian, koha e Musolinit dhe e Viktor Emanuelit… Po e festonim Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin, ishim në klasën e dytë. Ne ishim fare të vegjël për të ditur rëndësinë e kësaj feste, por mësuesja jonë shqiponjë e organizoi festën në mënyrë të jashtëzakonshme, duke i dhënë rëndësinë e merituar. Gocave ua lidhi flokët me nga një fjongo kuqezi, ndërsa neve çunave na e lidhi fjongon kuqezi rreth qafës. Mbi tabelën e zezë të klasës ajo nguli flamurin e kuq me shqiponjën dykrerëshe dhe me dy sëpata në të dy anët e shqiponjës. Mësuesja nxori nga sirtari i tavolinës së vet të punës një qeskë letre të madhe dhe të gjithëve me radhë na vuri përpara mbi banka nga dy karamele.

“Këto karamele” na tha mësuesja “keni për t’i hëngër pasi ta këndojmë “Himnin e Flamurit” dhe këngën që e këndojmë përditë…”

Mirëpo, unë duke shikuar herë karamelet, herë flamurin, harrova karamelet, sepse më tërhoqën më fort vëmendjen ato sëpatat në të dyja anët e shqiponjës. E pyeta unë shoqen time të bankës, me faqe të kuqe, me sy të shkruar e me gojë të vockël, Nihal Hasanin, se për çfarë ishin ato dy sëpata në të dy anët e shqiponjës, mirëpo ajo vetëm shtrëngoi buzët e kuqe, m’i hapi sytë e shkruar dhe rrudhi krahët. Dhe unë pa një e dy, iu drejtova mësueses Vezire me pyetjen:

“E dashura mësuese, për çfarë janë ato dy sëpata në të dyja anët e shqiponjës?”

Mësuesja Vezire së pari më shikoi me habi të madhe, vështroi edhe gjithë të tjerët, pastaj, vrik, mbuloi fytyrën e vet me pëllëmbët e duarve, na ktheu neve shpinën dhe nisi të qante… Pas dy-tre çastesh edhe ne nxënësit, një nga një iu bashkuam vajit të mësueses, pa ditur përse qanim… Pas pak mësuesja jonë ndali vajin, u kthye kah ne, rrahu shuplakët e me zë të lartë na tha:

“Këto, në të dyja anët e shqiponjës sonë janë sëpatat e pushtuesve fashistë, por shqiponja jonë shumë shpejt ka për t’i lëvizur krahët e vet të fuqishëm dhe ka për t’i bërë copë e grimë sëpatat fashiste!…”

Ne nga gëzimi, rrahëm shuplakat. 

“Tash, tha mësuesja Vezire, “ngrehuni në këmbë dhe le ta këndojmë Himnin e Flamurit tonë!…”  [1]

 

Shënim:  Pas reformës arsimore që ndërmori ministri Mirash Ivanaj, u përgatitën mësueset në shkollën “Instituti Femnor “Nana Mbretneshë” dhe në vitin 1941, kur qemë bashkë Shqipëri e Kosovë ministri Ernest Koliqi dërgoi në Kosovë 200 mësues, midis tyre edhe zonjën Vezire Gjiraku (Mezini), e cila i dha mësim Adem Demaçit. Pjesën e shkëputur nga ky libër e kam përdorur tek libri im “Instituti Femnor “Nana Mbretneshë”.