Suplementi Pena Shqiptare/ Xhahid Bushati: Naum Prifti, magjistari i letërsisë shqipe për fëmijë

104
Sigal

Biseda tek “Kafja e madhe”, me Naum Priftin, Miço Kallamatën e Paulin Selimin

– Ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare, shkrimtari Naum Prifti (07.03.1932 – 17.06.2023), autori i përrallës së famshme fantastike “Pika e ujit” për të mbetur më shumë se një pikë e përhershme drite dhe model shkrimtari në fushën e letrave shqipe për fëmijë.  Kur largohet nga jeta një mik i dashur dhe i shtrenjtë, aq më shumë papritur, ndien dhimbje që nuk mund të përshkruhet, sytë të mbushën me lot, zemra qan, shpirti qan pa zë e me zë. Kështu ndodhi me mua, ky moment trishtues me shkrimtarin e mirënjohur Naum Prifti, që një ditë qershori (ky muaj është quajtur: Qershori i Fëmijëve) iku në amëshim. U kujtova njëherësh për takimet e paharruara me të, bisedat e përzemërta e shpesh këshilluese, rrëfimet gazmore, të qeshurat, barsoletat plot humor e etikë që tregonte, … Nuk e di se çfarë të tregoj më parë… Takimi i parë më Naumin ishte në një ditë marsi me diell, çuditërisht, te Kafja e Madhe, në qytetin tim. Kur e takova me të në tavolinë ishin edhe shkrimtarët Miço Kallamata e Paulin Selimi. Edhe Miçon e njoha atë paradite kur njoha Naumin. Ishin shokë të ngushtë. Për Paulinin nuk kisha nevojë për prezantim, sepse ishte një nga miqtë e mi më të afërt. Nuk e ndjeva veten të huaj. Më dukej sikur i kisha njohur prej kohësh… Mbaj mend që vinin nga Tropoja. Naumi kishte të bijën mjeke, atje. Kishte shkuar për të bërë përpjekje për ta transferuar në Tiranë. Teksa fliste, një hije brenge i shëtiste në fytyrë. Sikur i kishin premtuar… Besonte dhe nuk besonte. Vajzën e kishte pikë të dobët. Në bisedë e përmendte shpesh. Dhe t’ia largonte sadopak pikëllimin që i shfaqej haptas, shoku i tij i ngushtë Miçoja me humorin fantastik tregonte bukur histori gazmore dhe barsoleta.

Më pas bisedat morën udhë drejt letërsisë, e kryesisht letërsisë shqipe për fëmijë

Ai fliste dhe unë rikujtoja plot tregime dhe përralla të shkruara prej tij mjeshtërisht e plot jetë. E kush mund t’i harronte personazhet-kafshë, që shëtisnin në përrallat e Mjeshtrit? Sa bukur rrëfente subjektin, sa fëminore e kuptimplote ishin veprimet e personazheve. Sa botë kishin ato e sa botë i jepnin lexuesit të vogël. Veçanërisht para syve të mi, shfaqej e shëtiste Pika e famshme e Ujit. Një mrekulli në vetvete. Ajo shëtiste para syve të mi dhe për asnjë çast nuk largohej e avullonte. Është talenti i shkrimtarit, që në procesin krijues na dha një krijesë të tillë, që në bisedat tona të ishte “pjesëtare” dhe ajo. Një arritje e tillë, domosdo fliste për vlerat e përrallëtarit Prifti që shokët i kishte të rrallë. Gjatë bisedës, Naumi më pyeti: “Xhahid, ç’po shkruan?” Iu përgjigja sinqerisht: “Kam një poemë-përrallë me titull “Ujku, dhelpra s’na gënjejnë”, ku në konkursin e revistës “Fatosi” u nderua nga juria me çmim të dytë. Dua të them se, ilustrimet e piktores Dolli Gjinali ishin të përkryera. Nganjëherë funksioni i tyre ishte më edukativ se vargjet e mia të shkruara në monokolonë. E dërgova për botim në Sh. B. “Naim Frashëri”. Recenzentët ma kthyen si të pabotueshme. Bile një shkrimtar me emër, ishte shprehur në recensionin e tij se kishte edhe “gabime ideologjike”. Me të thënë të drejtën, ky shkrimtar me fjalët e tij “ma humbi buzëqeshjen”. Nuk di si t’ia bëj? Naumi qeshi e më tha: “E ke në çantë krijimin”? “Po, – i thashë”. “Ma sill ta lexoj…” Ia dhashë. Nisi ta lexonte dhe unë prisja me ankth çfarë do të thoshte… Pasi e lexoi, përsëri, duke qeshur më tha: “Vërtet qenka e bukur! Gabime ideologjike nuk ka. Ai, recenzenti, e di se kush është, kështu vepron përherë, veçanërisht me shkrimtarët e rinj. Fjalët e tij në recenza janë të idhta e u ngjajnë portave të mbyllura për krijuesit e rinj. Sado të trokasin, nuk hapen. Po ti nuk ke pse të kesh frikë. Vazhdo e puno. Unë të shoh të talentuar. ” Më dha krahë, më ktheu buzëqeshjen e munguar dhe në rrugën e nisur, më tha: “Të mos ndalesh!” Ashtu bëra. Në jetën time si shumë të tjerë, edhe Naum Prifti hyri e mbetet si një rreze që vinte nga dielli i shpirtit të tij të pastër.  I kujtoj këto thërrime kujtimesh, që më erdhën të parat në mendje. Këto kujtime, nuk e di pse më ngjanin si parathënie libri. Janë kujtime, për mua, të shtrenjta, por teksa i shkruaja fshihnin dhimbjen time. Iku nga jeta shkrimtari më i moshuar i letrave tona shqipe për fëmijë. Ai, që tregimit dhe përrallës për fëmijë i vuri themelet e shëndosha. Nderim! (Në një moment tjetër unë do të flas më gjatë, sepse në projektin e shkrimit tim kam vënë shumë piketa). Brezat dhe Letërsia shqipe do të kujtojnë dhe përulen me nderim e respekt për pasurinë e vyer që na le me emrin Biblioteka “Naum Prifti”. Dhe shkrimtarët e mëdhenj lënë testamente ndriçuese për kohën. Në rrëfimin e së bijës, lexojmë amanetin e fundit të Naum Priftit: “Në bisedimet e fundit folëm me babanë për një udhëtim në Atdhe këtë verë, pasi ishin hequr kufizimet nga Covid 19. Donim të vizitonim së bashku vendet për të cilat ai kishte shkruar në kujtimet dhe mbresat e tij të shumta. Babai vuri buzën në gaz dhe na tha se tani ishte “i moshuar” ( nuk e donte fjalën ‘plak’) dhe se kishte ardhur koha për të bërë një udhëtim vetëm. Atëhere e kuptuam ku e kishte fjalën. Meqenëse babai nuk na i prishte kurrë dëshirat, ai u mendua pak dhe tha: “Ne mund të udhëtojmë së bashku, por me një ndryshim të vogël. Unë me Rinën e vura në vend amanetin e vëllait tim, për t’ia çuar hirin në Shqipëri. Ju mund ta merrni një pjesë të hirit tim atje dhe, në çdo vend që të shkoni, ne do të udhëtojmë bashkë. Pjesën tjetër do ta lini këtu, se dua të jem përgjithmonë në “Cypress Hill” pranë Erit, nipit të dashur.”

Kush ishte Naum Prifti

Naum Prifti i lindur në Rehovë, Kolonjë, më 7 mars 1932, ku ka kryer shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare. Në 1953, mbaron Politeknikumin Mjekësor në Tiranë. Punon një vit si ndihmës mjek në Sanatoriumin e Korçës. I pasionuar pas letërsisë, vazhdon studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën ‘Hosteni’. Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas ka punuar si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjes. Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76. Në këto vite ka shërbyer edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, emigron në Amerikë (New York), ku vazhdon të japë ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar këtu dhe për Letërsinë Shqipe. Në vitin 1995, zgjidhet sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra, detyrë që e mbajti deri sot. Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjedhin kryetar të saj. Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash. Në vitin 2001 nderohet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, As Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, New York, 2003. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe “Urdhrin Naim Frashëri klasi ll-të”. Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi, dhe të hedhura në kompjuterin e ditëve tona, qindra e qindra analiza, diskutime.