Suplementi Pena Shqiptare/ Mehmet Gëzhilli:Edit Durham, një mike e madhe që s’duhet ta harrojmë kurrë

482
Sigal

Me rastin e 75-vjetorit të vdekjes së Edit Durhamit

U mbushën 80 vjet që kur një grua e moshuar shtatëdhjetë gjashtë vjeçare merr një flamur të vogël shqiptar në dorë brohoriste, protestonte, a më mirë të themi, ulërinte nëpër rrugët e Londrës dhe para Parlamentit Britanik në mbështetje të Shqipërisë nga pushtimi fashist italian. Ai zë i vetëm proteste ishte zëri i zonjës Edit Durham, e cila me të drejtë është kurorëzuar “Mbretëresha e pakurorëzuar e shqiptarëve”. Njëzetë vjet në luftë me vështirësitë e peripecitë nëpër malet dhe luginat e Shqipërisë, autore e shtatë veprave të plota kushtuar Shqipërisë dhe popujve të Ballkanit, qindra letrave dhe me dhjetëra fjalime dhe artikuj, qindra fotografi, grafika, piktura me motive shqiptare, faqe të tëra ditarësh të mbajtur nëpër rrugëtimin shiptar janë pasuri e paçmueshme për historinë dhe kulturën shqiptare.

 

Për Edit Durhamin janë shkruar shumë libra nga autorë shqiptarë dhe ata botërorë, janë organizuar konferenca shkencore dhe përkujtimore, por në këtë përvjetor duam të tërheqim vëmendjen e lexuesit shqiptar për botimin e plotë të veprës së Zonjës Durham. Deri tani kemi botuar “Brenga e Ballkanit”, “Njëzetë vjet ngatërresa ballkanike”, “Lufta për Shkodrën”, “Krimi i Sarajevës” “Mbi fiset, ligjet dhe zakonet ballkanike”. Kemi në proces botimi “Shqipëria e Epërme” dhe “Nëpër viset serbe”. Veprën e plotë të Durhamit e kemi konceptuar në dymbëdhjetë volume të plotësuara me letrat, ditarët, artikujt, fjalimet, si dhe me fotot, grafikat e piktura. Ai që e solli për herë të parë dosjen me dorëshkrimet e Durahmit në Shqipëri, në vitin 1972, është profesor Xhevat Lloshi, i cili meriton përgëzimet më të mira dhe mirënjohjen më të thellë që krahas punëve të tjera shkencore, ka gati gjysëm shekulli që përkthen dhe redakton veprën e Edit Durhamit. Më 1929 mbreti Ahmet Zogu e nderoi me dekoratën e lartë “Urdhërin e Skënderbeut”. Presidenti Alfred Moisiu e dekoroi po me “Urdhërin e Skënderbeut”. 70-vjetori i vdekjes së Durhamit në vitin 2014 u përkujtua në Presidencën shqiptare, kurse këto ditë, në Muzeun Historik Kombëtar, Arkivi i Shtetit, Muzeu Historik Kombëtar dhe Shtëpia Botuese “Argeta-LMG” do të organizojnë një konferencë shkencore, shoqëruar me një ekspozitë, ku tregohet udhëtimi i Durhamit nëpër Shqipëri, si dhe lidhjet e bashkëpunimi i saj me personalitetet shqiptare, veçanërisht me Fan Nolin. Me këtë rast, po botojmë disa nga letrat e Durhamit dërguar Fan Nolit, në vitin 1943, ku ajo shpreh mirënjohjen e saj për gjithë dashurinë dhe kujdesin që tregonin shqiptarët për të, dhe që nuk e harruan kurrë.

LETËR E MISS DURHAMIT DËRGUAR FAN S. NOLIT, NË BOSTON.

Londër, 11.9.1943

I nderuar, peshkop Fan Noli.

…Pas letrës së fundit që ua dërgova, u shpall lajmi i rënies së Italisë dhe pozita e Shqipërisë tash është mjaft kritike, ngase është e atakuar nga trupat gjermane. Zotëri Zavalani, i cili erdhi për të më vizituar para disa ditësh, më tregoi se tërë Shqipëria Jugore është pastruar nga italianët dhe se shumë udhëheqës shqiptarë të grupeve guerrile tash janë bashkuar në mbrojtje të vendit të vet.

Shpresoj se ata do të kenë sukses në formimin e një qeverie të përkohshme dhe kur trupat… të vijnë në këtë vend, do të bëhen të mundshme zgjedhjet, me çfarë do të vendoset forma e qeverisë për të ardhmen. Jam e pikëlluar se ju nuk keni mundësi të veproni në mënyrë aktive, por meqë tash jeni bërë nënshtetas amerikan, keni detyra krejt të tjera për të realizuar.

Sipas meje, se çfarë qeverisje do të ketë në Shqipëri, duhet lënë që ta zgjedhin patriotët e vendit, të cilat kanë luftuar për çlirim dhe kanë vuajtur nga okupatori italian. Ata e dinë më mirë se çdo njeri tjetër se si janë punët në Shqipëri…

Me nderime,

Miss. Edit Durham

***

 

LETËR E MISS DURHAMIT  DËRGUAR FAN S. NOLIT,  NË BOSTON

Londër, 29.12.1943

I nderuar, peshkop Noli,

Ju faleminderit shumë për dhuratën e postuar, më 13 nëntor, ku kishte kafe, pluhur vezësh dhe gjëra të tjera të mira. Të gjitha këto qenë të mirëseardhura. Koleksioni juaj modest më preku thellë. …Fundosja e anijes së madhe luftarake Sharnhorst (Schanhorst) ishte një fitore e madhe për ne dhe kjo gjë na ka gëzuar. Ne do të jemi shumë të lumtur kur të përfundojë kjo masakër e shëmtuar. Është keq të mendohet se njeriu gëzohet kur fundoset një anije e madhe. Situata në Ballkan është ndërlikuar mjaft. Si duket, mbretërit e mëparshëm ose disa prej tyre nuk do të vijnë në fron.  Shpresoj se ju dhe e tërë kolonia shqiptare jeni mirë dhe shpresoj se keni kaluar mirë në Krishtlindje, ose i keni pritur ashtu si mund të priten në kohëra të këtilla. Le t’i presim Krishtlindjet e ardhshme në paqe dhe le të na prijë e mbara.  Sër Eduard Boili dhe Komiteti Anglo-Shqiptar po bëjnë përpjekje maksimale për Shqipërinë. Po frikësohem se nuk do të mund të jem më e pranishme më shumë nëpër mbledhje, përveçse nëse bëhem më mirë.

Ju dëshiroj çdo gjë të mirë në vitin 1944, duke ju sjellë paqe.

Me nderime,

Miss Durham

***

 

LETËR E MIS DURHAMIT  DËRGUAR FAN S. NOLIT,  NË BOSTON

 

Londër, 31. III. 1944

I nderuar Peshkop Noli,

Prej kohësh kam pasur dëshirë t’ju shkruaj, por mosha tetëdhjetë vjeçare më pengon. Dhuratat e çmueshme që m’i kanë dërguar shqiptarët nga Amerika, i çmoj shumë. E ndiej veten se nuk meritoj të më kushtohet një kujdes kaq i madh. Të gjithë ata artikuj ushqimorë përbënin një shumëllojshmëri ushqimi. Ne këtu kemi mjaft për të ngrënë, por pak për të zgjedhur, dhe për ta marrë atë, duhet të presësh në radhë… …Kohëve të fundit na kanë shqetësuar disa bombardime  që janë bërë kryesisht natën. Si duket, kjo vjen si kundërpërgjigje pas bombardimeve të Berlinit. Për fat të mirë, si duket, Hitleri nuk është po aq i pajisur me aeroplanë për këto anë, ngase ata i duhen për frontin rus… Shpresoj se ju i keni disa miq të fortë amerikanë, që do të kujdesen për interesat e shqiptarëve kur trupat… do të arrijë në Shqipëri. Dhe meqë ata do të ndërtojnë marrëdhënie miqësore me udhëheqësit trima, që tani luftojnë për Shqipërinë, do t’ua mundësojnë atyre të formojnë një qeveri të përkohshme…

Me nderime,

Miss Durham

***

LETËR E MIS DURHAMIT PËR NOLIN NË BOSTON

 

Londër, 3. VI. 1944

I nderuar Peshkop Noli,

 

Është dashur të shkruaj më herët, por shëndeti më pengon dhe kështu po e vonoj korrespondencën…

…Shpresoj se kësaj lufte mizore po i afrohet fundi dhe problemet e paqes do të jetë e vështirë të zgjidhen.  Sa i takon Shqipërisë, shpresoj se do të ketë zgjedhje të lira, që populli të votojë për një qeveri të re, dhe mbreti Zog nuk do kthehet, derisa të vendoset kjo. E njëjta gjë vlen edhe për mbretin Jorgo të Greqisë dhe për mbretin Petar të Jugosllavisë.  … po qe se shqiptarët në Shqipëri mund të paraqesin një front të bashkuar, Aleatëve do të mund t’u thonë qartë se cilat janë dëshirat e tyre, e Shqipëria përsëri mund të dalë nga flaka si Feniksi, e kështu përsëri të zërë vendin e vet në mesin e kombeve. Kjo është shpresa ime logjike. Unë shpresoj se… vendimmarrja duhet të ndërmerret nga njerëzit, të cilët me trimëri u kanë rezistuar si italianëve, ashtu edhe gjermanëve. Janë ata që e kanë çliruar atdheun, dhe ata e kanë të drejtën të zgjedhin….

Me nderime,

Miss Durham

-o-