Suplementi Pena Shqiptare/ Maksim Zarka: Në vendin tënd i huaj për dy metro vend

699
Sigal

Babai im kishte qenë partizan dhe gëzonte statusin e Veteranit të Luftës. Meqenëse unë isha djalë i vetëm i familjes, babai erdhi në Itali dhe jetonim bashkë. I rënduar për shkak të moshës dhe të disa problemeve shëndetësorë, kishte disa ditë që nuk ndihej mirë. Madje edhe nga krevati ngrihej vetëm për nevoja personale. Një natë më ftoi t’i vija pranë krevatit.

-Urdhëro baba, iu përgjigja, dhe iu afrova pranë. Pas pak erdhi dhe mamaja. Ajo u ul dhe në heshtje po dëgjonte bisedën babë e bir.

-Bir, do të largohem nga kjo botë dhe do të le një amanet.

-Jo baba, ti je mirë dhe do rrosh gjatë, -ia ktheva unë.

-Jo bir, jo. Unë e ndjej, jam në fund të rrugës, por më dëgjo pak. Nuk do të më çosh në Shqipëri. Do më djegësh këtu në Itali dhe hirin të ma çosh në Shqipëri kur të kesh mundësi. Kur të vesh në Shqipëri, ngjitu në malin Tomor dhe ma hidh hirin në Majën e Partizanit.

Mamaja, e cila ndiqte bisedën me zë të ulët më tha: “Lere, lere, mos ia vër veshin se ndoshta nuk është mirë nga mëndja”.

Por plaku, ndonëse veshët i ishin rënduar, e dëgjoi dhe reagoi: Nuk ma ka lënë mendja jo, por m’i digj kockat dhe hirin ma hidh në majën e malit Tomor. Atje mor bir ne, Toskët, kemi farën e lashtë të gjakut tonë. Këtë mos e harro!”

– Baba, ti të jesh mirë, por unë i kam dy lekë të të çoj në Shqipëri.

-Jo, jo bir. Nuk dua që ti të mundohesh, dhe në fund të mallkosh veten.

-Ç’po thua baba. Pse dua të mallkoj veten unë?!

Por, plaku nuk e vazhdoi më bisedën. Ai i shtrëngoi dorën djalit, e pa në sy fort dhe me zë të ulët shqiptoi: “Bëj siç të thashë, dhe tani më lerë se do qetësohem pak.”

Nuk vonoi pas disa ditësh babai u rëndua dhe ndërroi jetë dhe shpirti i tij kaloi në paqen e përjetshme.

Trupin e të ndjerit baba me arkivol e çova në Shqipëri. Kërkova lejë për varrim, me pak mundim më dhanë lejë. Kur vete te vendi i caktuar për të hapur të zezën gropë, pashë që punëtorët e komunales rrinin me lopatë në dorë dhe asnjëri nuk punonte. Njëri prej punëtorëve siç duket i mësuar me shqetësimin e njerëzve hallexhinj si puna ime, më drejtohet: Ka tabelë, dhe tregon me dorë një tabele prej llamarinë ku shkruhej: “varr i xan”.

Po mirë, bëjmë pak më tej, i them. Pa shiko më thotë punëtori dhe bën me dorë diku më tutje. Hedh sytë në drejtimin e treguar dhe shikoj disa tabela me mbishkrimin “varr i xan”.

Për një moment nuk dija çfarë të bëja dhe po mendoja, kur një i afërmi im më thotë:

“E çojmë te toka jonë”. Nuk e zgjata. U nisa me arkivol në makinë drejt fshatit ku kishim tokën tonë të trashëguar nga familja.

Ç’të shikosh! Në krye të arës tonë ishte vendosur një tabelë: “Tokë e xan”. Ç’bëhet këtu?! -thashë me vete. Në këtë kohë vura re se dikush na ishte afruar. Ai pa na përshëndetur, sikur ta dinte hallin tonë, foli: “Mos u lodhni. Më jepni 100 euro dhe ua gjej unë një vend për varr te varrezat publike.”

Desha, s’desha pagova 100 euro dhe u kthyem përsëri prapë në qytet dhe varrosëm babanë. Kaloi një vit dhe erdhi koha për t’i bërë qivur. Vij në Shqipëri me të afërmit. Shkoj në varrezë dhe me dy punëtorë filloj e sheshoj varrin e babait, mbi të cilin do ngrihej qivuri. Pa mbaruar mirë sheshi, vjen dikush dhe na thotë se ky është varri gjyshit tim. U përpoqëm t’i themi se këtu kemi eshtrat e babait dhe sot do t’i bëjmë qivurin. “E di, u thotë. Unë kam vetëm varrin, ju eshtrat.”

-Po mirë, i them, mbaje varrin por të paktën të marrim eshtrat.

-Që të merrni eshtrat duhet të paguani qiranë.

-Çfarë qiraje, i them me nervozizëm.

-Qiranë e varrit për një vit ku kanë qëndruar eshtrat. Në të kundërt unë i shes eshtrat e babait tuaj. – O zot, thashë. Ç’bëhet kështu?. Të jesh në vend tënd dhe të jesh i huaj për dy metro vend! Kjo është më shumë se marrëzi. Edhe të huaj të ishim do të më jepnit një varr.

Paguam qiranë për një vit. Hapëm varrin morëm eshtrat. Kur mbërriti një tjetër person, i cili me fodullëk na thotë: “Këto janë eshtrat e babës tem”.

-O perëndi thashë. Mirë tokën për varr ma morën, lekë për qiranë morën, tani do më marrin edhe eshtrat!

-Unë i djeg, -i thashë- dhe nuk t’i jap eshtrat e babait.

-Po pse do t’i përjetësosh eshtrat e gjyshit tonë, hidhet e i thotë një nipi ynë, i cili ishte lindur dhe rritur në Itali.

-Hej mik. Ju i keni xhepat me lekë. Ne me se do të jetojmë. E di ti sa i blejnë një palë eshtra në Kosinë? Po mi shitët mua, ato do futen në një varr bosh te varrezat greke. Aty eshtrat e babait tuaj nuk i trazon njëri, do jenë me mermer, do ruhen me rojë dhe do nderohen nga udhëheqja greke. Ah harrova diçka të vogël. Vetëm se mbi qivur nuk do shkruhet emri i babait tuaj, por emri i një ushtari grek të vrarë me italianët në vitin 1940 dhe te koka do t’i vihet flamuri grek.

-Unë i djeg eshtrat këtu në vend dhe nuk e lejoj që eshtrat e babait tim të tjetërsohen si eshtrat e një ushtari grek. Si familje morëm vendim t’i digjnim eshtrat e babait. Pasi i dogjëm eshtrat, hirin e futa në një qese najloni të bardhë.

Po tani- tha mamaja,- çdo bëjmë?

Mua m’u kujtuan fjalët e babait.

-Tani, mama,do të bëjmë atë që na tha babai. Do ta çojmë hirin në malin Tomor, atje ku është fara e lashtë e gjakut tonë. Dhe u nisëm…

Fier 2014