Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Hushi: “Takim në stepë”

712
Avioni u ul me një vrull jo të zakonshëm në aeroportin e mbuluar dhe të zbardhur nga bora, të Moskës. Betoni i ngrirë sikur e kthente frenimin e avionëve në një vallëzim mjellmash në pistën e akullt! Ernesti sapo vuri këmbën në shkallaren e hekurt të aeroportit, ndjeu erën e akullt t’ia priste fytyrën. Mbuloi shpejt me kujdes me shallin e madh e të leshtë qafën e zbuluar dhe u kujtua se kishte ardhur në një nga vendet më të ftohta të botës së qytetëruar për të kënduar! Ishte hera e parë që vinte në Moskë! Ishte ftuar të këndonte në një festival botëror të operës, që mbahej diku larg në republikën chuvashe, në Cheboksari. Më pas do të këndonte, në kthim, në Balshoi Teatër të Moskës në një koncert Gala të madh, me këngëtarët më të mirë ruse, ku e kishin njoftuar se do ta çelte dhe mbyllte ai koncertin me ariet e tij! Ndjehej i lumtur që do vizitonte këtë vend të madh, me kulturë të madhe, ku kishin jetuar dhe krijuar artistët e tij favoritë; Pushkini, Çehovi, Tolstoi, Kuprini, Esenini, Glinka, Rahmaninovi, Çajkovski… Pasi kaloi kontrollet rutinë të kufirit, në hollin e aeroportit e priste Madam Karpova me një tufë lule në duar, me emrin e tij. U ndje keq për një moment që një zonjë po e priste me lule! 

-Mirë se vjen në Moskë! – e përqafoi ajo gjithë dashuri duke e puthur lehtë në faqe. “Si të shkoi udhëtimi?”, e pyeti Madam Karpova me një anglishte të pastër, pa atë aksentin e njohur rus! 

-Mirë faleminderit, iu përgjigj Ernesti i mahnitur me paraqitjen e hijshme të Ludmillës, që menaxheri e kishte porositur ta thërriste Madam Karpova, e cila dikur kishte qenë një opera-star, një soprano e njohur në botë, tashmë në pension! Flokët e artë kuruar me kujdes, sytë blu të thellë dhe ato buzë të skuqura nga të ftohtit, i jepnin asaj një pamje magjepsëse bashkë me lëkurën e lëmuar si mëndafsh i bardhë! Ehh, rënkoi gati me vete. Jo më kot në këtë vend janë krijuar disa nga kryeveprat e botës! Bukuri të tilla janë muza të vërteta, mendoi gati me trishtim! U futën në një makinë benz të argjendtë dhe Ernesti ndjeu ngrohtësinë e një ambienti të përgatitur me kujdes! Po errej dhe makina po çante rrugën e akullt me shpejtësi. Befas sytë i ndeshën ca drunj të mëdhenj në ngjyrë të zezë, të kryqëzuar. Kanë mbetur këtu që nga Lufta e Dytë Botërore, i shpjegoi Madam Karpova. Janë objekte ushtarake të rrethimit të Moskës nga gjermanët. Ato objekte monstruoze lufte i ngjallën trishtim Ernestit, me ato forma të vjetra të një kohe të egër, të paarsyeshme. 

-Unë i humba të dy prindërit në rrethimin e Moskës. Më vdiqën të dy, nga uria. Unë shpëtova. Më shpëtoi Ushtria e Kuqe. Ne rusët kemi vuajtur shumë për Evropën. -tha ajo me një ton të indinjuar…. Po binte mbrëmja. Para tyre, në qiellin e ulët shkëlqente refleksi i dritave të ndezura të Moskës. Kaluan nëpër Kremlinin e ndriçuar mrekullisht dhe më pas u futën në një rrugë buzë lumit Vollga! Befas makina bëri një kthesë dhe ndaloi në një shesh të bukur . 

-Ky është hoteli yt për sonte…! Nesër në orën 11 do fluturosh për në Cheboksari. Fli mirë dhe kujdesu për veten- i tha prerë Madam Karpova dhe e puthi lehtë në faqe.-Në mëngjes nga ora tetë e gjysmë do vij të të dërgoj në aeroport. Kujdes zërin! -la ajo porosinë e fundit dhe u tret me dritat e rrugës diku nëpër natën e ftohtë… –Mirë se vini zotëri!-iu afrua portieri i hotelit Ernestit dhe pa e pyetur i mori valixhen nga duart! U fut në dhomën e ngrohtë dhe luksoze dhe mori frymë thellë… U shtri me shpinë në krevatin e madh dhe nga mendja nuk i shqitej fytyra e bukur e Ludmilla Karpovës…. Imagjinoi Çajkovskin apo Eseninin në vend të tij… Vallë ç’krijime magjike mund t’i kushtonin kësaj gruaje të mrekullueshme? Me ato mendime u ngrit, hapi perdet e rënda dhe befas dalloi se dhoma e tij binte përballë Vollgës, pamjen magjepsëse të së cilës, ai mund ta sodiste nga afër. U tundua nga ai ballkon i madh i dhomës së tij dhe vendosi të sfidojë të ftohtin e acartë dhe ngricën që ia skuqte fytyrën. Doli jashtë dhe po sodiste ca të rinj që po bënin ski mbi lumin e ngrirë. Ndriçimi i rrugës ishte aq i mrekullueshëm sa dukej si një skenë e vërtetë, një pistë e ndriçuar sportive ku bëheshin gara të mirë organizuara. Për një moment i pati zili ata të rinj të lumtur moskovitë që shijonin mbrëmjen e bardhë, mbështjellë me arin e dritave dhe perlave të shndritshme, të ngrira të borës. Të qeshurat dhe thirrjet e lumtura të tyre thyenin ajrin e ngrirë të natës! Ernesti u fut brenda dhe vendosi të bënte një dush të nxehtë… Por në fillim hapi një shampanjë dhe as vetë nuk e kuptoi pse i erdhi të ngrinte një dolli: Nazdarovje Ludmilla Karpova dhe gjithë vajzat e bukura ruse!, uroi ai me zë… Pas dushit dhe pasi e boshatisi shishen e shampanjës e zuri gjumi thellë, i lodhur dhe nga udhëtimi i gjatë… Papritmas u zgjua nga zilja e telefonit. Kokën e kishte të rënduar nga shampanja e darkës por u kthjellua kur dëgjoi zërin kumbues të Ludmillës. 

-Mirëmëngjesi, e përshëndeti ajo. Kuptoi se kishte fjetur pa u përmendur fare dhe se kish ardhur ora e zgjimit. Papritmas e kapi një panik se mos ishte vonë. Por Ludmilla Karpova sikur ta kish kuptuar nga ana tjetër e telefonit e qetësoi. Mos u bëj merak. Sot avioni është anuluar se ka stuhi në Cheboksari… Por do të udhëtosh me një tren me dhomë fjetje personale. Do jetë bukur dhe rruga zgjat vetëm 12 orë. 

-Do vij për një orë të të marr. Treni niset në mesditë. Pasi pinë kafe dhe hëngrën një mëngjes të lehtë me biskota dhe mjaltë Ernesti u gjet në stacionin e stërmadh të Moskës që më së shumti i ngjante një galerie artesh. Muret e vizatuara, llambadarët gjigantë dhe harqet klasike të tavaneve të pikturuara në stilin e renesansës i jepnin një hije të rëndë me gjithë zhurmën që shkaktonin zërat e njerëzve të panumërt. Ernestit s’i kishin zënë sytë kurrë një stacion kaq të madh sa ky. Pasi kërkuan për pak kohë korsinë e duhur të trenit për në Cheboksari, më së fundmi Ernesti u fut në dhomën e tij. Madam Karpova e shoqëroi derisa u sigurua se dhoma ishte e duhura. Pasi i la disa porosi kujdestarit të vagonit dhe pasi u përshëndet duke e përqafuar Ernestin zbriti gjithë finesë duke lënë pas mahnitjen e tij dhe aromën e një parfumi të lehtë por luksoz… Ernesti mori frymë lehtë dhe e shoqëroi me sy derisa ajo u tret në turmën e pafundme të njerëzve…Ishte dhjetor dhe kurrë nuk e kishte menduar se një ditë si në tregimet e Çehovit apo vargjet e Eseninit do çante mes për mes stepave te ngrira… “Nën hije beriozash me zhurmë”, iu kujtua një varg i poetit të madh…U ul pranë dritares së madhe të veshur me avull dhe u shtri duke u rehatuar në kolltukun e bollshëm. Jashtë kishte filluar bora, fjollëzat e mëdha të së cilës silleshin rrotull nga era e fortë si një grup balerinash në skenën e baletit “Liqeni i Mjellmave”. E bukur por e frikshme mendoi… Papritur treni lëvizi dhe filloi të fitojë shpejtësi… Moska po zhvendosej me shpejtësi para tij. Një qytet me konture të mëdha gri që tymoste si në një përgjumje kozmike. Papritur u ndje larg, i vetmuar. Iu duk vetja si një udhëtar që kish humbur rrugën në një botë të frikshme, të bardhë, të ftohtë, të ngrirë, stepash…

Befas pamjet e ndërtesave të qytetit zunë të rralloheshin derisa humbën fare në bardhësinë e horizontit. Treni ishte futur në zonën e stepave. Syri të zinte vetëm pemë dhe fusha të ngrira si në një botë fantazmash. Rrallë në atë bardhësi si të vdekjes shfaqej dhe zhdukej me të shpejtë ndonjë shtëpi druri fshati e vetmuar që nxirrte nga oxhaku tym të zi si për të sinjalizuar se aty kishte jetë. Papritmas dera trokiti. 

-Hyr, u përgjigj Ernesti në anglisht. Ishte një burrë i madh, me mjekër të kuqe që i mbajti një ligjëratë të pakuptueshme në rusisht. Tamam muzhik, mendoi Ernesti. 

-Ja një znaju paruski, iu përgjigj si i zënë në faj.. -Ah, iu përgjigj rusi me buzë në gaz. Adin moment, ( një minut) dhe u largua. Pas pak ai erdhi me një person tjetër që e përshëndeti me një anglishte të çalë, por i kënaqur që mund të komunikonte me një të huaj dhe të futej në botën e një të panjohuri ndryshe nga miku i tij që s’dinte asnjë fjalë përveç rusishtes. -Konduktori kërkon të kontrollojë biletën dhe dëshiron të të pyesë, nëse do porosisni për të ngrënë apo për të pirë diçka… 

-Patjetër, iu përgjigj Ernesti dhe i nxori biletën… Sa për të ngrënë, a mund të më sillni menunë? iu drejtua “përkthyesit”. 

-Unë jam Aliosha i zgjati dorën duke u prezantuar ky i fundit…. Pas pak, pasi konduktori dhe përkthyesi komunikuan me njëri tjetrin në rusisht dolën; për t’u kthyer përsëri i vetëm Aliosha me një menu në rusisht në duar. -Këtu ka plot ushqime që gatuhen në restorantin e trenit… Ndjesë se e kam të vështirë t’i përkthej, u zu ngushtë ai. 

-Mos u bëj merak iu përgjigj Ernesti. Shpresoj të gjejmë diçka të shijshme. 

-Nga jeni e pyeti befas Aliosha i ngazëllyer që më së fundmi gjeti një mënyrë që mund t’i sugjeronte një ushqim që të përkonte me origjinën e udhëtarit të huaj. 

-Shqiptar, iu përgjigj menjëherë Ernesti… Çfarë? Papritmas sytë e Alioshës ngelën të hapur nga diçka e pakuptueshme që e tronditi… -Çfarë?!-përsëriti dhe fytyra iu zbardh. Shqiptar? pëshpëriti përsëri me një zë gati të shuar… papritur ndjeu t’i këputeshin gjunjët dhe u ul… 

-Më fal iu drejtua Ernestit, skam asgjë me ty…! Ernesti po e shikonte i çuditur pa kuptuar asgjë. Treni çante me shpejtësi hapësirën e ngrirë dhe stepat tashmë i ngjanin një dekori të dhimbshëm që pasqyrohej në fytyrën e trishtuar të Alioshës. -Më thuaj, i foli me të butë Ernesti… 

-Ti je gjaku im, iu drejtua befas Aliosha …Unë kam gjak shqiptar, e përforcoi zërin dhe i dha vetes forcë të rrinte ndenjur pa u mbështetur… -S’po të kuptoj, iu kthye Ernesti… Papritur Alioshës i rrodhën lotët! I zuri dorën Ernestit dhe ia shtrëngoi me forcë! 

-Po, ne jemi të një gjaku… S’e mendoja kurrë se do të ndodhte një ditë kështu… Papritmas vuri kryet mes gjunjëve dhe nisi të qajë… Ernesti hodhi sytë përtej xhamit të ngrirë të dritares. Degët e përkulura të mështeknave i dukeshin sikur ishin rënduar nga një dhimbje e madhe përtej të ftohtit! 

-Ç’ka ndodhur e pyeti me gjysmë zëri dhe i vuri dorën me dhimbje në sup… Ka shumë vite… s’e kam njohur kurrë e zuri të qante me ngashërim Aliosha… Ai iku e na la të dyve… kam vetëm një fotografi të tij… Duket i bukur, i qeshur…! Na braktisi pa kthyer kurrë kryet pas. Unë s’u mësova kurrë pa të, megjithëse nuk e njoha kurrë. Isha vetëm një vjeç kur na la. Nëna ime që e deshi aq shumë nuk u martua kurrë dhe më mësoi ta dua dhe ta pres. Ajo akoma beson se ai jeton, se nuk e ka harruar dhe se një ditë do të kthehet tek ajo, tek mua, biri i tij. Unë jam shqiptar! Ernestit s’po i besohej e gjitha kjo! S’po e kuptonte plotësisht Alioshën dhe historinë e tij që dukej si një braktisje klasike, ikje pa kthim… Jo jo. Ata duheshin dhe u lidhën me synim të krijonin familje përjetë, ndërhyri Aliosha sikur ta kishte kuptuar paqartësinë e Ernestit. 

-Të lutem më ndihmo ta gjej babain tim!, iu drejtua papritur Aliosha Ernestit që u shtang nga kjo kërkesë e beftë e bashkëbiseduesit. Ai gjendet në Shqipëri. Ka studiuar mjekësi në Moskë…Është doktor kardiolog… 

-Çfarë, iu mbajt goja Ernestit? Çfarë? Zemra zuri t’i rrihte me shpejtësi dhe fryma gati po i zihej! Je i sigurt? Si quhej? Ia di emrin? E pyeti me ngulm dhe kërshëri Ernesti. 

-Natyrisht, ia di… është babai im! Kam një jetë që dua ta takoj… Befas Ernesti ndjeu një këputje…Para syve po i shfaqej i ati dhe vargjet e Eseninit që ai gjithmonë i recitonte me trishtim… “Mbaj mend kur më thoshe po treten /Dhe netët e kaltra o shpirt,/Por ti do të duash një tjetër,/Dhe s’do të më kujtosh më një ditë…” Në grykë ndjeu një lëmsh që s’po e kapërdinte dot…

I ati i tregonte për aktin kriminal të diktaturës komuniste që kishte ndarë shumë çifte studentësh shqi

ptarë që ishin lidhur apo martuar me vajza ruse. Të paktë kishin qenë ato që i kishin shpëtuar tragjedisë së dashurisë së tyre. “Baba, s’të kam kuptuar deri më sot”, mendoi si i zënë në faj Ernesti dhe nga sytë i shpëtuan lotët! Aliosha sikur e mori veten, por u çudit tek i pa lot në sy… 

Ç’ke, deshi ta pyeste Ernestin. 

Po , iu përgjigj Ernesti dhe iu hodh në qafë teksa po e përqafonte me dënesë…-Babai yt dhe i imi është Bernardi… Vëllai im i mirë…!!! 

-Si, çfarë??? Alioshës iu mbajt goja!!! Çfarë??? Bernardi babai yt ? Pra ne jemi vëllezër…??? Mështeknat në stepa e kishin përkulur trupin akoma më shumë nga bora e dendur që s’të linte të shikoje më asgjë.. Si sytë e zënë nga perdet e lotëve… Vështirë ta besonte kush në atë tren se ç’kishte ndodhur! Aq shumë ishte ngarkuar me mall dhe lot ai udhëtim përmes stepave, në zemër të Rusisë, atë dhjetor! Buria e trenit i ngjante një klithme të zvargur si vargjet e trishta të Eseninit. Mbaj mend kur më thoshe po treten, Dhe netët e kaltra o shpirt, Por ti do të duash një tjetër, Dhe s’do të më kujtosh më një ditë… Ato të dy kishin mbetur të përqafuar në atë udhëtim të bardhë stepash që dukej i pafund. Si një pafundësi malli dhe dhimbjeje…
Sigal