Suplementi Pena Shqiptare/ Kujtim Drishti: Letër e hapur një mikeshës sime shkrimtare

157

…..Më pëlqen ky refleksion i yti!
Intelektualët shkrimtarët dhe artistët duhet të mblidhen rreth disa vlerave të mëdha njerëzore.

Pa pasur frikë se po flasin për politikë sepse ata duhet të mblidhen për t’i kërkuar politikanëve të çdo krahu qofshin:

Mbrojtjen e dinjitetit kundra jo dinjitetit;
Mbrojtjen e transparencës kundra opacitetit;
Mbrojtjen ndershmërisë kundra korrupsionit;
Mbrojtjen e drejtësisë kundra padrejtësisë;
Mbrojtjen e kushtetutës kundra shkeljes se saj;
E të tjera vlera me të cilat politikanët hiqen se ekzistojnë për ato vlera, por populli e di se ato vlera janë tradhtuar.

Mendoj se një takim i tillë do të ruaj nderin e artistëve, shkrimtarëve, inxhinierëve, doktorëve, avokatëve, intelektualëve të vendit.
Populli ka nevojë për iniciatorë. Populli ka nevojë të mbrojë shpirtin e vet të pastër. 
Populli i do njerëzit e tij të mirë. Njerëzit e mirë duhet t’i tregojnë atij distancimin me politikanët e korruptuar.

Ata duhet ta bëjnë këtë për të shpëtuar shpirtin e popullit, sepse ai është i trullosur nga zhgënjimi, siç trulloset një njeri kur goditet në kokë.

Fakti që zëri i intelektualëve nuk ndjehet më krijon një ndjenjë që dhemb dhe të revolton.

Ky veprim i kristalizuar në një deklaratë të përbashkët, i mbështetur nga liria e qytetarit, nga e drejta e qytetarit, nga Kushtetuta e Republikës do të ishte një thirrje qytetare, një thirrje e ndërgjegjes demokratike.

Një thirrje për t’i dhënë fund shfaqjes me maska.

Çdo pikë që përmenda ngrihet nga fakte të pamohueshme, të pa diskutueshme që akuzojnë humbjen e besimit të popullit në politikanët e tij.

Të flasësh për të bukurën, të flasësh për dashurinë, të flasësh për dëlirësinë, të flasësh për paqen dhe demokracinë e të jetosh në një ambient politik mbytës, bllokues të demokracisë dhe vlerave të kushtetutës pa e ngritur zërin, kjo do të ishte një përsëritje e historisë me shumë vrasje ndërgjegjeje.

E dashur mikeshë, populli pret nga ne jashtë dhe brenda të ngremë zërin. 
Koshienca politike dhe demokratike e popullit është sot shumë më e lartë se ajo e politikanëve të saj.
Bëjeni këtë gjest, këtë thirrje qytetare, e cila do të ngrihet më lart se interesat e partive.