Ka dalë në qarkullim libri “Qemal Isa Koxhaj”, shkruar nga Ilmi S. Qazimi, që botohet në nderim të inxhinierit gjeolog për naftën, i cili u nda nga jeta para një viti. I ndërtuar në skemën e një monografie, libri jep detaje, por më shumë në të spikat përshkrimi i sinqertë i një jete të ngjeshur me aktivitet të dobishëm shtetëror, shoqëror dhe shkencor të Qemal Koxhajt, lindur në Greshicë të Mallakastrës më 30 janar 1940.Njeriu i dy diplomave profesionale të përfituara me studime sistematike, e para, si politeknik i mesëm (gjeolog, topograf, hidroteknik) dhe e dyta si inxhinier gjeolog për shpim-shfrytëzim e prodhim nafte e gazi, punoi 35 vjet rresht në 16 detyra në profilin e vet si inxhinier në sektorin e naftës. Një nga të veçantat e këtij drejtuesi të palodhur të sektorit të naftës në Ballsh, siç mësojmë nga libri, ishte se nuk iu nda edhe punës shkencore. Ai përpunoi e referoi nëntë tema shkencore, një pjesë e të të cilave gjetën zbatim edhe në praktikën e naftë-nxjerrjes dhe shfrytëzimit sa më racional e aspak barbar të rezervave të arit të zi. Po ashtu një ndihmesë të posaçme, ai ka dhënë edhe në ndërtimin digës së hidrocentralit të Shkopetit, ku punoi si teknik gjeolog, por në detyrën e inxhinierit, sepse kish mbaruar shkëlqyer shkollën e mesme dhe atëherë kuadrot e larta shqiptare ishin shumë të pakët. Ai ka derdhur djersë, drejtoi punime dhe dha përvojën e tij të vyer në shtatë rrethe të Shqipërisë: Dibër, Sarandë, Fier, Mallakastër, Lushnjë, Tiranë, Mat duke hedhur kudo hapa të sigurt e duke lënë gjurmë e mbresa të pashlyeshme. Për shumë vite ka kryer detyrat shoqërore,kryetar këshilli popullor i lagjes” 5 Shkurti”,anëtar i komitetit ekzekutiv të qytetit të Ballshit, mësues matematike në shkollën e mesme të Ballshit për një periudhë të shkurtër dhe së fundi anëtar i kryesisë së shoqatës “Mallakastra”, dega Tiranë. Në libër jepen informacione të shumta për pasurinë tjetër jo të vogël që ai ka lënë me shkrim, siç janë shkrime historike, letrare, pamflete, letra, refleksione, përjetime njerëzore e shoqërore etj. Qemal Koxhaj nuk ishte vetëm një inxhinier me vizion të qartë e me kulturë të gjerë, po edhe bashkëshort, prind e gjysh shembullor…Autori ka gërshetuar më së miri faktet, të dhënat dokumentare e fotografike me thëniet e shumë prej atyre që e kanë njohur e punuar bashkë me të, si dhe karakterin e fortë të inxhinierit të talentuar, i cili nuk u përkul para asnjë lloj vështirësie e pengese. Po ashtu me besnikëri, autori i libritka përshkruar edhe anën tjetër të Qemalit, aktivist shoqëror, njeri i drejtësisë dhe harmonisë, ndershmërisë dhe dashurisë, duke hyrë kështu në fondin e vlerave që duhet të ruhen për vijimësinë e brezave të ardhshëm të atdheut tonë.