Sigal

Nuk di si ma gjeti shtëpinë! Erdhi duke trokitur me shkop të bardhë në dorë si dikur u bënte zajeve të Erzenit tek shkonim të laheshim pranë grykës së Pëllumbasit. Por i ra me forcë sikur kushtrim! Një hall i madh do e ketë ngritur nga varri këtë natë e vjen si fantazma e Hamletit të ma thotë kumtin. Është gjallë Dritëro Agolli? -më pyeti. Jo, i thashë, ka një vit e ca vdekur. Po Bujar Lako? Edhe ai në Had! Agim Qirjaqi? Kadri Rroshi? Violeta Manushi? Drita Pelingu? Ai e mori vesh që heshtja ime ishte gëlltitja e lotëve. Robert Ndrenika? Reshat Arbana? Mirush Kabashi? Gjallë, gjallë, gjallë! – bërtita unë nga frika se mos hezitimin e çastit ma merrte për përgjigjen… vdekur! Aherë, tha Kujtimi, thuaji t’u bëjnë thirrje spektatorëve nga 7 në 70 vjeç që të ngrihen e të mbrojnë Teatrin! Të mos lënë ta prishin! Nëse janë pak, le të llogarisin dhe kockat tona! Jemi shumë! Befas këndoi gjeli i parë që njoftoi agun dhe iku, u zhduk! Si fantazma e babait të Hamletit… Ku është, ku është?! – më pyeti Bert Ndrenika kur u takuam me sytë nga retë e çara nga dielli. Ja, ja ajo reja puplore mbi kala të Petrelës!