Suplementi Pena Shqiptare/ Jakup B. Gjoça: Erota është…

594
Sigal

– Çfarë është për Ty Dashuria? – më pyesje,

e ndërsa më lije një zjarr mbi buzë

sa herë më puthje.
– Të rrugëtoj me ndjenjat e mia në sytë e Tu, – të përgjigja.

– Po Erota, ku dallon nga Dashuria? – më pyete pastaj.
Çfarë të të thosha me fjalë.

Ndoshta e kishe harruar

herën e parë të Erotës tonë.

Me dëshmitar Yjet dhe dritën e Hënës,

në erën e barit të prillit…
E mban mend?
Të thashë të bënim një lojë dashurie.

Të putheshim.

Kush do duronte më gjatë të puthurën,

si triumf, do t’i plotësohej çdo dëshirë.

Ti pranove dhe e para më pushtove kokën,

me përqafimin Tënd.

Por nuk munde dot të duroje gjatë të puthurën…

Me zor u çlirove.

Dhe e pranove që …humbe.
Unë, fitimtari,

të kërkova të bënim Erota…
– Këtu?
– Tani? – më pyete e trembur.
– Fitimtari i fiton të gjitha!

E humbura humbet gjithçka!
Ti nuk pranove se humbe.
– Unë doja të ishe Ti fituesi,

që të të plotësoja çdo dëshirë tënden, – më the.

Edhe në dashuri kishe Ego.

Edhe në dashuri,

nuk pranoje asnjëherë të humbisje.
Vetë-dorëzoheshe…
Nuk e di, a e mban mend akoma

herën e parë Erotës tonë të asaj nate,

me Dëshmitarë yjet dhe dritën e Hënës,

në aromën e barit të prillit…
Do ta kesh harruar, natyrisht,

derisa sot, kur u gjendëm sërish, p

as 30 viteve, më pyet

ku ndryshon Dashuria nga Erota.
Unë të pushtoj sërish, si atë natë,

dhe nuk të lë të marrësh më as frymë.
Dua të jetosh nga Fryma ime.
Kjo është Erota.

Dashuria ngjan kaq shumë me Sytë e tu,

sepse kur je e dashuruar,

e qeshura jote ka të gjitha ngjyrat e dashurisë.
E ke pyetur vetveten ndonjëherë

pse Unë humbas gjithherët në sytë e tu,

sa herë takohemi?
A e di sa udhëtime kam bërë Unë

brenda syve të Tu?

Dashuria ngjan me duart e Tua

kur më ledhaton.
A i ke numëruar rrahjet e zemrës time

që lind e prekura jote tek Unë?

Erota ngjan me buzët e Tua.

E ke ndjerë sesi buzët e mia

thithin frymën Tënde,

që Ti të jetosh

vetëm nga Fryma ime?
E ke ndjerë sa Jetë

më japin buzët e Tua,

kur çdo puthje jotja në buzët e mia

ndez një zjarr?

Dashuria sonte,

në Natën e Erotës tonë,

ka Emrin Tënd.