Suplementi Pena Shqiptare/ Hyskë Borobojka: “Më grabitën bir, më grabitën!

63
Vjeshta atë mot erdhi e mbarë, Zaçe Zeqiri e ngarkoi kalin dori me perime e fruta dhe urdhëroi të birin, Demon, të shkonte në qytet e t’i shiste. Kalin qimekuq e kishte si asnjë tjetër në fshat, që s’të linte kurrë në baltë, sado të rëndë ta kishte barrën. Djali, me kalin ngarkuar, mori rrugën e qytetit.. I jati e ndoqi me sy deri tutje, ku rruga bënte një kthesë. Sa hyri brenda në shtëpi, i tha gruas:-Pa na bëj një kafe të mirë! Të na vejë e të na vijë djali shëndoshë e mirë!Dita kaloi e qetë dhe sa filloi të kalonin nja dy orë natë, u kthye Demoja, bashkë me kalin.-E, more bir, – e pyeti i ati,- si dole në pazar?-Shumë mirë baba, por kur po kthehesha më zunë hajdutët e m’i morën të gjitha paratë që fitova nga shitja e mallit!- iu përgjigj i biri me gjysmë shpirti.-Po ti ç’bërë, u dorëzove pa kushte!? Zemër pule! – i çfyri i jsati.-Çfar të beja unë i gjori!? Unë vetëm, ata tre të armatosur deri në dhëmbë, me pushkë në sup e kobure në brez! – u mundua të shfajësohej i biri. Javën tjetër, Zaçe Zeqiri, e ngarkoi përsëri kalin me perime e fruta. Thirri të birin dhe, si e armatosi me koburen e tij, e porositi, që, po t’i dilnin përsëri kusarët, të mos tregohej qull e frikacak, por trim si i ati, t’ua numëronte në lule të ballit, ta bënte beli se ishte i biri i Zaçe Zeqirit, që s’ia kishte ngrënë e s’ia ha kurrë qeni shkopin. I biri iu zotua se, po t’i dilnin përsëri kusarët do t’ua tregonte qejfin e do t’i bënte që të hanin dhe. Kësaj here djali i ra kalit të nxitonte për të arritur sa më shpejt në pazar. Por iku dita, erdhi e shkoi edhe nata dhe djali s’po dukej të vinte, aq sa vuri në siklet gjithë shtëpinë. Të nesërmen, kur po vinte darka, në rrugë u duk djali hipur në samarin e kalit. I ati i doli përpara dhe e pyeti me ankth: -Pa i trego babait, or bir, si dole kësaj here në pazar? -Më vodhën, baba, më vodhën! – iu përgjigj i biri me gjysmë shpirti. -Përsëri të grabitën?! Po koburen që të dhashë përse e kishe në brez, për të vrarë miza!?- e qortoi i ati. -Ç’të bëja, unë i gjori, me një kobure, ata me tre pushkë në supe! – u mundua të arsyetohej i biri. -Zemër pule je, s’ke një pikë gjak nga unë,- i bërtiti e vazhdoi me vrazhdë i ati. – Dëgjo këtu, biri im! Këtë javë do vete vetë në pazar dhe, në qofshin burra ata burracakë le të më dalin përpara. Mos më thënçin Zaçe Zeqiri po mos i dërgova në atë botë! Sa erdhi fundi i javës, Zaçja e ngarkoi si nga herë kalin. Ngjeshi në brez, jo një por dy kobure dhe u nis për në qytet. Pazari i vajti mbarë. Paret e fituara nga shitja e mallit i futi në xhep dhe i kapardisur majë kalit, mori rrugën e kthimit. Kur afroi pranë vendit ku i kishin dalë kusarët, siç i kishte treguar i biri, zbriti nga kali, i hoqi koburet nga brezi e po i mbante në duar gati për të hapur zjarr. Por për çudi hajdutët s’po dukeshin gjëkundi t’ua hidhte trutë në erë. Si bëri një copë rrugë me këmbë, duke mbajtur në duar koburet dhe kusarët s’po dukeshin të dilnin, u kumbis përsëri sipër samarit të kalit. Kafsha mori rrugën shtruar dhe të zotin e tij e zuri një gjumë i lehtë. Kur u zgjua, pa se nuk ishte në rrugën që të çonte në fshatin e tij, por në një rrugë tjetër. Kur ç’të shihte përpara syve!? Një lokal i bukur, rrethuar me pemë, si në kuvli. Brenda tij dëgjoheshin ca këngë me melodi të bukura, që të pikonin në zemër. Zaçe Zeqiri zbriti nga samari, e lidhi kalin pas një peme dhe hyri brenda. Kur ç’të shihte!? Një bukuroshe këndonte e vinte vërdallë, sa në njërën tavolinë në tjetrën. Edhe Zaçja gjeti një tavolinë bosh e ul. Bukuroshja vazhdonte të këndonte e të vallëzonte, duke hequr një nga një sendet e trupit. Në fillim sandalet, pastaj fustanin, duke ua hedhur atyre që kishin zënë tavolinat. Pastaj duke kërcyer, i hoqi sytienat, të cilat, pasi bënë një rreth në hapësirë, ranë në duart e Zaçes, sikur të ishin një zog pëllumbi. Ato binin një erë të këndshme dhe ai po i shtrëngonte fort. S’kaloi shumë dhe, (o Zot i madh e i plotfuqishëm, na mbaj mendjen!). Bukuroshja i hoqi edhe tangat e i hodhi. Ata të flamosura, si fluturuan në ajër, vajtën e ranë mbi kokën e Zaçes. Të gjithë sa ishin brenda lokalit s’po mbaheshin më. Thërrisnin, vërshëllenin e trokisnin me pirun gotat, që tingëllonin si zile. Bukuroshja, që ishte bërë lakuriqe, duke kënduar e kërcyer vajti te tavolina e Zaçes e iu afrua aq shumë, sa gjinjtë e saj pa sytiena e të fryra, me thithat, si dy kokrra qershi vishnja po i preknin fytyrën. Ndërsa kofshët e saj bardhoshe e të nxehta valë ishin bërë një me shalët e Zaçes. Këngëtarja lakuriqe, nxitoi për ta falënderuar për kapjen sytienave dhe tangave në ajër që s’i la të binin në dhe e të ndoteshin. Si shpërblim e puthi, duke i lënë një trëndafil të kuq mbi faqe. I gjori apo i lumturi Zaçe, e humbi fare dhe s’po përmbahej dot, kur ajo po i rrinte mbi gjunjët e tij. Qejfi s’ka të paguar. Prandaj dhe Zaçja i nxori nga xhepi paratë e fituara dhe i derdhi mbi kofshët bardhoshe të asaj, që fati ia kishte vendosur në prehrin e tij. Orët kalonin, por ato, pranë bukuroshes lakuriqe, ishin minuta. Kur u ngrit Zaçja nga tavolina kishte dalë dielli. I dehur e i drobitur gjeti një hije në të majtë të lokalit dhe e zuri një gjumë i thellë sa mezi u zgjua të nesërmen. Njerëzit e tij të shtëpisë rrinin para portës me merak e ankth në zemër e psherëtinin: -Ç’e ka gjetur ditëzinë, mos vallë e kanë bërë pastërma hajdutët?! Ku s’u vinte mendja njerëzve, kur kryetari i shtëpisë niset për një ditë në pazar dhe mbushen dy e fillon e treta dhe harronte të kthehej. Po afronte mbrëmja kur e panë hipur majë kalit. I biri bëri përpara dhe e pyeti: -Eh, baba, si doli pazari? -Më grabitën bir, më grabitën! – u përgjigj ai me zë të shuar i ati.