Hakerat rusë sulmuan faqen e internetit të KQZ? Zëdhënësja: Ja e vërteta

550
Mbrëmjen e djeshme, më 25 qershor 2017, kur sapo kishte nisur procesi i numërimit të votave për më shumë se dy orë disa faqe on line të institucioneve kryesore në Shqipëri, përfshirë dhe faqja në internet e KQZ-së, nuk funksionuan.
Kaq u desh që të raportohej se hakera të huaj kishin sulmuar faqet e disa institucioneve kryesore të vendit.

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj i tha BIRN se faqja e këtij institucioni nuk është sulmuar, por thjeshtë ka pasur ndërprerje të internetit. “Faqja e KQZ-së nuk është sulmuar, dhe se sistemi ka funksionuar gjatë gjithë kohës,” tha ajo.

“Ajo që ka ndodhur ishte ndërprerja e internetit, për pak kohë, për shkak të ngarkesës që ka pasur në serverat e Agjencisë Kombëtare së Shoqërisë së Informacionit, e cila i ofron këtë shërbim institucionit tonë,” Hoxhaj shtoi.

Zëdhënësja sqaroi se sistemi i teknologjisë së KQZ-së nuk është cënuar gjatë këtyre ditëve, edhe pse ka pasur ngarkesë të rrjetit ai ka funksionuar normalisht.

Hoxhaj më tej sqaroi se për zgjedhjet parlamentare për të garantuar një komunikim në kohë reale janë marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë së sistemit teknologjik.

Për këtë qëllim, më 23 Qershor 2015, mes kryetarit të KQZ-së Klement Zguri dhe Ambasadës Gjermane në Shqipëri, u nënshkrua një kontratë bashkëpunimi.

“Projekti, rrit sigurinë dhe performancën e Sistemit të Teknologjisë së Informacionit të KQZ-së. Republika Federale e Gjermanisë po mbështet institucionin me pajisje teknike për të rritur sigurinë dhe performancën e Sistemit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të KQZ-së,” Hoxhaj përfundoi.
Sigal