Suplementi Pena Shqiptare/ Hyqmet Hasko: Kur më erdhe pranë

70

Pa zbardhur mirë dita,
Bëje garë me flladin,
Syri bënte xixa,
Zemra ndezi zjarrin…

Të pyeta ku shkon,
Ti nuk m’u përgjigje,
Dita po agon,
Qielli yjet fikte.

Dhe vazhdove rrugën,
Për tek zemra ime,
Yjet dritën këputën,
Çele mijëra agime.

I habitur mbeta,
Që më zgjodhe mua,
Diell për ditë të nxehta,
Fllad për t’u flladuar…

Kur më erdhe pranë,
Më drithëroj zemra,
Fjala të lëshoi mjaltë,
Zjarre ndezi brenda.

Ti nuk pyete për fjalë,
Për moshën nuk pyet kurrë,
Më the: “Paskam mall!
Zjarrin si do ta shuaj.”

Ende pa aguar mirë dita,
Bëje garë me flladin,
Gjithë jetën të prita,
Si fusha pret malin…

S’di ç’ta bëjë tani
Këtë mal gëzimi…
Zjarri në pleqëri-
Tërmet Lumturimi!