Fytyra i është mbushur me puçrra. Aty i është mbledhur lëngu i fëmijërisë, i cili ngadalë ngjizet e bëhet djersë djaloshare. Edhe poret e lëkurës së fytyrës i janë bë më të dukshme: janë zgjeruar nga fara e rinisë së hershme, nga do mbijnë shenjat e burrërisë së ardhshme. I janë ngatërruar edhe gjërat që e bëjnë të lumtur me ato që dikur e hidhëronin. Herë në të ngjallet fëmija lazdrak, që gjithmonë i vë në sprovë durimin e atyre që e duan, herë ai djaloshi që ka vendosur të bëhet banorë në qenien e tij dhe që dëshiron të shpallw të paprekshëm territorin e vet djaloshare.
O Zot, jemi në hall me dyshin në djalin tonë, i cili nuk na lejon ta përkëdhelim as si fëmijën e dikurshëm në të, as si rioshin që është nisur të na vijë. Ai ngjitet nëpër shkallët e shpirtit fëmijërorë, që të arrijë deri te majat e hutesës trupore për ndryshimet e befta që ndodhin me të. Më ngjan si akrobat, i cili ecë nëpër tel: në dorë mban shtagën e gjatë të hamendjes nga të shkojë; drejt prehrit të nënës, që të qetësohet në ngrohtësinë aq të dashur, apo rrugëve të jetës nga do e prijnë epshet dhe ëndrrat djaloshare. Unë rri anësh telit nga ecën ai, ashtu si i ka hije babait të brengosur, i cili nuk din vallë duhet ta mbaj që të mos rrëzohet, apo ta lë që të mësohet të arrij baraspeshën mes shpirtit dhe trupit. Më dhimbset: i ka shputat shumë të njoma dhe mund ti gjakosen. Nuk janë ende të mësuara të shkelin mbi telin e hollë të vetmisë, qe të ngulet në mish. Muskujt e trupit të tij, sapo kanë filluar të marrin formën e shigjetës, që duhet të flatrojë drejt fatit të jetës. Në sy i është lëshuar mjegulla e pranverës jetësore, e cila ngadalë ia mbulon livadhet fëmijërore, si dhe majat e jetës nga është nisur të ngjitet. Në vend të xixave të dikurshme, bebëzat i shkëlqejnë nga vetëtimat, që shpërthejnë në largësi të udhës përplot ëndrra. Ia shoh vetëm ylberin e heshtur djaloshar, i cili në cep të buzëve, i ngjallet në formë të buzagazit të trembur. Shtrëngatë, furtunë e vërtetë i ka kapluar ndjesitë e tij. “Sa i mjerë jam, askush nuk më do mua!” – klith në të fëmija, duke mos dashur ta dëgjojë djalin epshorë i cili ngjallet heshturazi në qenien e tij dhe përnjëherë e ka vështirë të bindet se duhet të mësohet edhe të dojë, e jo vetëm ta duan. “Ki kujdes, me djalin ndodhin gjëra të çuditshme!” – më thotë gruaja. E unë e di se pse ai tani aq shpesh e fut dorën e majtë në xhepin e pantallonave: nga frika se të tjerët do e hetojnë se muskujt e tij janë bërë të ndjeshëm ndaj paraqitjeve të jashtme. Ka filluar të ecë paksa i përkulur. Thuajse i turpërohet rritës së ngutshme. Apo ndoshta mbi supe e ka rënduar malli për lirinë fëmijërore, si dhe frika nga fluturimi nëpër qiellin e vetmisë. Kanë filluar t’i mbijnë edhe leshra nëpër gjoks. I është bë një vizë e hollë në mes të kraharorit, në gropëzën që ndan anën e ndjesive nga ajo e epsheve. Edhe këmbët i janë mbuluar me qime të zezë, janë bë livadh i pranverës së hershme. E di, ai fare nuk e kupton nga u mblodhën aq Un-a në të, të cilët trokasin në derën e qenies së tij, e hutojnë me britmat dhe kërkesat çdonjëri prej tyre të bëhet shenja e tij njohëse. Dhe fillon lufta e pamëshirshme në shpirtin e tij nga e cila do del fitimtar ai Uni që do arrij ta ngre flamurin e vet njohës, në kështjellën e qenies së tij nga edhe do e kumtojë lajmin e rëndësishëm e do bërtasë: Unë jam ky që do më keni tani, e jo ai lazdrani i dikurshëm i mamit dhe babit. “Dua të mbetem në kraharorin e ngrohtë të nënës dhe s’dua asgjë më tepër!” – ngufatet në thellësitë e shpirtit të tij klithja, të cilën do ta thotë, por zmbrapset posa më vëren mua përderisa mundimshëm shtirem se nuk i dëgjoj britmat në kështjellën e qenies së tij, të cilën e kanë sulmuar të gjithë ushtarët që duan ta pushtojnë: grindaveci në të, përtaci, lazdrani, intriganti, hajduti i mundshëm, një i pafytyrë, një i urtë dhe skofiar…., të gjithë sa njeh e s’njeh burrnia, duan të bëhen shenjë njohëse e burrit të ardhshëm, i cili posa është futur në malin e djalosharisë, nga do dalë ose si princ që sundon vetveten, ose si shërbëtor, i cili i është nënshtruar vetvetes. “Mos lësho pe, shtrëngoi fortë dizgjinët e epsheve dhe kujdesu që ajo karrocë – trupi – me të cilën shëtit shpirti yt, të mos përballet me shumë gropa!” – dua t’i them, por balli i tij tani më i vrenjtur, është bë fortifikatë që nuk lejon askush të vizitoj qiellin e imagjinatës së tij.
Edhe kur bie ne gjumë, tani nuk lë asnjë pjesë të rupit të shpaluar si dikur, por mbulohet deri në fyt. Dhe as që pret puthjen time dhe të nënës së vet. Thuajse e ka kapluar frika se kur ta shohim atë që tani bëhet djalë, nuk do njohim fëmijën që puthnim dikur, se kur të përballemi me ato sytë e tij të përgjumur, në bebëzën e tyre do shohim bubullimat dhe vetëtimat e shkaktuara nga hutesa djaloshare. Dhe sa herë që shkoj në dhomën e fjetjes që ta puth duke i dëshiruar gjumë të ëmbël, ai i zgjat duart thuajse do të ma bej me dije të mos i afrohem aq afër sa dikur kur ishte i mitur, thuajse ka frikë se do mund t’i dëgjoj pëshpëritjet e mia të qeta: “Mos u tremb biri im, unë e di se tani je strofull ku flenë bashkë luani dhe pëllumbi në ty!”
(Marrë nga përmbledhja “Në xhepin e jelekut të gjyshes”, Sh.B. “Toena”, Tiranë, 2007)




















