Suplementi Pena Shqiptare/ Vojsava Nelo: I gjori poet!

380
Sigal

 

 

Sot takova një të dehur.

Një poet.

Një mik i vjetër.

I vjetëruar edhe më shumë.

I dehur, ndonëse, jo krejt.

I dehur, sa për t’u ligështuar unë.

Dikur i fortë.

Poet i mirë shumë.

Sot i vjetër, sot i rënë,

heq këmbët zvarrë te kjo udhë

dhe ndonjëvargë nëpër dhëmbë,

nëpër dhëmbë ndonjë këngë.

* * *

E bukur qofsh! – uron poeti,

sa më sheh.

Sa më dallon.

– Dhe veç gëzim paç në jetë!

Dhe vargun kurrë mos e ndaj.

Dëgjoje, këtë plak poet.

– Dhe ik tani, ik!

Lermë mua të gjorin.

Se iku vakti im, vrulli im shkoi.

Vrulli im mbeti pas.

Tani siç sheh, veç ndonjë gllënjkë

me pleqërinë qafë për qafë.

Ti ik, vazhdo… Vazhdo të shkruash poezi.

Atë poezinë tënde të bukur.

Dhe më afrohet poeti me lot nëpër sy,

dhe të ballit më lë një të puthur.

Poezia që shkrova, ah, ajo poezi?!

Besoja se do më mbante gjithmonë të paplakur.

Se do më mbante përjetësisht të ri…

Sa shumë e besovar?!

Sa shumë e kam dashur?!

Atë, të bukurën.

Të pavdekshmen poezi.

Po erdh’ një ditë e iku. Më la.

Ajo poezi, oh, sa e bukur!

Këtu, një pikë loti ra,

nga syri i perënduar i poetit,

sikur do të fikej aty për aty,

do të shuhej poeti para syve të mi.

Pastaj, si të vinte nga kohërat që ikën,

erdhi i fortë:

– Po ti ik. Vazhdo… Vazhdo të shkruash poezi…

Unë, nga të më çojnë këmbët…

Dhe rishtaz ktheu një gllënjkë raki.

* * *

I gjori poet…!

Dhe ndala të ndjek ikjen e tij.

I gjori poet…! – thash me vete. – I gjori poet!

Iku, humbi,

si një varkë e vjetër nëpër det…