Suplementi Pena Shqiptare/ Emine Sadiku: Vox in deserto!  (Zë në shkretëtirë)

490
Sigal

Emine Sadiku

Refleksione mbi librin “Çamëria, toka pa njerëz, njerëzit pa tokë”të autorit Hyqmet Zane

„Vox in deserto“ është kjo thirrja e Hyqmet Zanes për vëmendje e drejtësi. Është ndoshta i vetmi zë sot në Shqipëri që vazhdon të apelojë me konsekuencë dhe përkushtim për kauzën kombëtare çame.

Autori Hyqmet Zane u sjell këtë herë lexuesve vëllimin me artikuj „……….“.

Shkrimet e përmbledhura këtu përbëjnë një ansambël tematik që e përshkon si fill i ndritur mendimi se çështja dhe kauza çame ka pasur dhe ka luftëtarët e vet që nuk do ta reshtin luftën deri në triumfin e saj.

  1. Zane ka meritën e padiskutueshme të grumbullimit të zellshëm të një materiali të bollshëm për bëmat, aktet dhe aksionet genocide të kohëve të ndryshme ndaj etnosit shqiptar çam. Këtu përfshihen rrëfime të dëshmitarëve okularë, të dhëna e fakte nga dokumente autentike që rrjedhin e lidhen direkt me situatat genocide. Në çdo shkrim është i pamungueshëm pozicionimi, qëndrimi subjektiv i autorit. Materialet e grumbulluara në këtë vëllim për nga tipologjia e teksteve kanë natyrë historike publicisike. Pothuajse në çdo shkrim del publicisti që shfaq para opinionit të përgjithshëm të vërtetat mbi qëndrimet politike, mbi pazaret qeveritare, padrejtësite dhe absurditetet në marrëdheniet ose në bisedimet greko-shqiptare. Autori nuk ngurron të kritikojë e të denoncojë, të zbulojë hipokrizinë e qarqeve të larta diplomatike të të dyja palëve. Siç lavdëron njëherë qëndrimin mbi çështjen çame të kryeministrit Edi Rama në Athinë, e kritikon atë më pas për mungesë konsekuence.  Objekt i veçantë kritikash e sulmesh janë pohimet e qeveritarëve të lartë grekë që duan ta fshijnë çështjen çame nga analet e historisë. Krahas dhelpërive e diplomacive perfide greke autori stigmatizon dhe indeferentizmin shqiptar, angazhimin e vakët të strukturave çame.

*Për të dhënë një ide më të qartë e më të plotë të këtij vëllimi me artikuj tejet interesantë po ndalemi në disa episode e momente që theksohen në ansamblin e shkrimeve të këtij vëllimi.

Genocidi ndaj popullatës çame

Autori H. Zane këmbëngul me argumente se reprezaliet, denigrimi, dëbimi, persekutimi, vrasjet e therjet e çamëve nga grekët (me mirëkuptim dhe mbështetje të qeverisë greke) ishin tamam një genocid, një shfarosje në masë e njerëzve të pafajshëm. Ngjashmëria me holokaustin e hebrejve para dhe pas luftës së dytë botërore është e madhe në shumë pikëpamje. Për të mbështetur më tej mendimin e autorit për genocidin ndaj çamëve do të sjell disa thënie autorësh të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj. Studiuesi famoz, profesori i nderuar S. Repishti, paraqet me saktësi shkencore e bindëse historinë e asaj treve aq te keqtrajtuar, Çamërisë, nga qeveritë, politikat greke e më gjerë. Dokumentacioni dhe retorika e tij nuk flasin, por ulërijnë. (S. Repishti, Referat „Me rastin e 70-vjetorit të masakrave greke në Çamëri“)

Masakrat, dëbimet, diskriminimi ndaj çamëve përbëjnë një genocid në kuptimin klasik të termit. Përcaktimin më  të mirë të këtij termi e bën filozofi gjerman Karl Jaspers, ai që e vuajti vetë tmerrin e një deportimi të mundshëm, meqë Gertruda, gruaja e tij, ishte hebre. Pilulat e helmit i mbanin gati, në rast se do të vinin për t’i marrë. Në bisedën e tij me gazetarin Rudolf Augstein (der Spiegel, 1965) ai e specifikon kuptimin e termit „genocid“: „Krim i shfarosjes në masë (krim kundër njerëzimit) do të thotë t’i japësh vetes të drejtë që të vendosësh se cilat grupe etnike lejohen të jetojnë në një vend dhe cilat – jo. Dhe këtë të drejtë ta realizosh me dëbime e shfarosje. Sot kjo quhet genocid.“ ( Jaspers, K. : Für Völkermord gibt es keine Verjährung“ ‚Për genocidet nuk ka amnisti’, München, 1979, f. 104)

Për genocid kundër çamëve flasin dhe autorë të huaj. S. Repishti citon diplomatin amerikan në Athinë, prof. Ëiliam Mac Neil: Banda të armatosura të gjeneralit Zervas do të formonin njësi të rregullta të quajtura ‚Albanochtones’ (killers of albanians) për shfarosjen fizike të kësaj popullsie. Më shumë se 23 000 shqiptarë, që patën fatin t’i shpëtojnë kësaj masakre, kaluan kufirin gjatë viteve 1944- 1945 dhe gjetën strehim në Shqipëri ku jetojnë dhe sot. (The Greek Dilema ëar and Altermath, 1947, London)

Ose:Filloi një persekutim i popullatës çame në qytetin Paramthi. Vetëm këtu humbën jetën 300 çamë. Popullata në masë u drejtua në veri, nga Filati dhe në katër krahinat përreth. Në shtator u përsëritën luftimet. Sapo hordhitë e Zervës e pushtuan Filatin, filluan dhe këtu përndjekjet dhe masakrat.“  (Ein kurzer chronologischer Überblick, Wikipedia )

Mund të ndaleshim në shumë shembuj e ilustrime që realizojnë dhe tejkalojnë tabllonë e një genocidi. Për të bërë genocid duhen forca të caktuara, të afta për krime të tilla monstruoze. Napoleon Zervas me shpirtin kriminel, që e karakterizonte, arriti të krijojë hordhi me persona, me qenie të llojit të vet. Këto qenie përbindshore iu vërsulën si qen të tërbuar çamëve të pambrojtur duke bëre vrasje, therje e veprime makabre. E keqja, që ndodh dhe përsëritet në botë ka një peshë e një domethënie të tillë negative, sa ka tërhequr vëmendjen dhe është bërë objekt i studimeve të ndryshme filozofike. Fakti, që filozofët i janë drejtuar njerëzimit me teoritë dhe postulatet e tyre mbi të keqen, flet për ekzistencën e së keqes si një kërcënim i përhershëm e me viktima të shumta. Filozofi gjerman, kolosi Imanuel Kant, e trajton këtë dukuri nën  emërtimin „e keqja radikale“.  Për Kantin e keqja është radikale sepse ajo buron, i ka rrënjët në natyrën njerëzore. Në natyrën njerëzore gjendet dhe predispozicioni për të bërë mirë dhe prirja për të këqia. Kanti dallon prirjen kafshore të njeriut si qenie biologjike dhe predispozitat njerëzore si qenie të arsyeshme. E keqja, sipas Kantit, është një zgjedhje e lirë e njerëzve në kundërshtim me ligjet morale. Ndërsa Kanti synon të përcaktojë teorikisht rrënjët e së keqes, filozofja, Hannah Arendt, e trajton të keqen si një akt maksimal kundër njeriut, një veprim antinjerëzor pa kufi. Me konceptin e Kantit „e keqja radikale“ ajo synon të shpjegojë holokaustin si model mendimi e veprimi që qëndron në bazë të shfarosjes masive (Arendt, Hannah: Elemente und Ursprünge totaler Herrschaft, München, 1966, f. 941)

Duke e analizuar më tej konceptin në fjalë ajo shkruan: E keqja radikale është diçka që nuk duhej të ndodhte, me të cilën nuk mund të pajtohesh, që nuk mund të pranohet në asnjë mënyrë dhe mbi të cilën nuk mund të heshtet… Pasojat e saj janë të paparashikueshme dhe nuk ka dënim në botë që të jetë adekuat për të.(Arendt, Hannah: Elemente und Ursprünge totaler Herrschaft, München, 1966, f. 960)

Ja një copëz material dhe pyetja: a i përmbush ndodhia kushtet e të qenit „e keqe radikale“:

Këtu pranë, – dhe ajo më tregoi vendin, – është vrarë një familje e tërë, 9 ose 10 vetë. Kishte mbetur i gjallë një fëmijë i vogël që ishte pak më shumë se një vjeç. Ai kërkonte të pinte sisë nga gjiri i nënës që kishte vdekur. Një nga zervistët tha se na ka shpëtuar gjallë një kulish mysliman dhe u bë gati ta vriste. Një shoku i tij i tha: mos e bëj këtë. Une s’kam fëmijë dhe do ta marr ta rris. Por zervisti i parë nuk deshi ta di dhe e vrau. Tri herë pushka nuk i ndezi. Pastaj e theri me thikë…”

A mund të ketë aparat njerëzor perceptimi që të mos e rrokë këtë ndodhi si krim-llahtari, si të keqe monstruoze? Kësi veprime demoniake kryhen nga një racë e veçantë njerëzore së cilës i përket:

Napoleon Zervas

Siç del nga shkrimet e përmbledhura në librin në shqyrtim të H. Zanes, N. Zervas si ushtarak “u afirmua me trimërinë” e treguar në krimet apokaliptike ndaj popullatës çame. Para këtij aktiviteti ai ishte një ushtarak problematik, i përjashtuar disa herë nga ushtria greke.

(Brockhaus Enzyklpädie, Ëiesbaden, 1974, Band 20, f. 662)

Para luftës së parë botërore Zervas vijoi një shkollë kadetësh në Athinë prej nga u përjashtua pas dy vjetësh si dembel dhe i padisiplinuar.

Si politikan, kur dolën në dritë informacione mbi bashkëpunimin e tij me pushtuesit gjermanë, ai u detyrua të dorëzojë karrierën politike. Nga politikanët e majtë grekë ai akuzohet për spastrim etnik, për dëbimin dhe shfarosjen e çamëve, operacione me shumë viktima nga popullsia civile. (Napoleon Zervas, Ëikipedia, gjermanisht)

Drejtësi !

Një tematikë e rëndësishme e shkrimeve të H. Zanes është kërkesa, lufta për drejtësi. Se genocidi çam, edhe pse është denoncuar disa herë nga instanca, institucione, persona në zë, nuk është përballur asnjëherë me drejtësinë, asnjë gjykatë ose forum juridik nuk ka dalë me verdikte për t’i dalë në krah popullatës çame, pre dhe viktimë e përndjekjeve dhe genocideve. H. Zane i drejtohet madje dhe kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte. Ajo, që ka shfaqur sensibilitet të veçantë ndaj krimeve të luftës, për çështjen çame, nuk pipëtin.

Autori është kthyer disa herë në përmendoren e ngritur nga grekët “në nderim” (!?) të Napoleon Zervës. Ata, që duhen dënuar për genocid, përjetohen me përmendore. Lidhur me dënimin e genocidistëve Karl Jaspers në bisedën e famshme me gazetarin e Spiegel, Rudolf Augstein, thotë: Askush nuk ka të drejtë të gjykojë dhe të vendosë që një grup etnik të mos jetë më në vendin (truallin) e vet. Ai/ata, që nisen nga gjykime e vendime të tilla dhe me forcë ndërmarrin shfarosjen e popullatave, ai/ata kanë kryer një krim krejt të veçantë. Sepse veprojnë kundër  principit themelor mbi të drejtën e ekzistencës njerëzore. Ata injorojnë të drejtën e çdo njeriu për të ekzistuar. Duke ngritur dorën kundër këtij principi-bazë, ata nuk meritojnë të jetojnë midis njerëzve të tjerë… Edhe nëqoftëse nuk ngrenë padi të afërmit e  viktimave të masakrave, duhet themeluar një instancë e veçantë për të gjykuar rastet kur një grup njerëzish shfaros një grup tjetër. Do të ishte në interesin publik të njerëzimit që ata, që e bëjnë ose e kanë bërë këtë, të dënohen me vdekje.

Edhe kundërshtarët e dënimit me vdekje do ta pranonin një dënim të tillë në raste krimesh të tilla që shfaqen me dimensione krejt të veçanta.”  (Jaspers, K.: Für Völkermord gibt es keine Verjährung, Müncen, 1979,  f. 104-105)

Sot në Europë nuk flitet më për dënime me vdekje, por thënia e filozofit kolos, Jaspers, që ka zhvilluar një eksperiencë, një tmerr, tmerrin e njeriut që pret nga dita në ditë deportimin për shkak të gruas hebre,  ka një domethënie e një vlerë të veçantë. Ai e di shumë mirë ç’do të thotë holokaust, ç’do të thotë genocid.

Ngritja e dy përmendoreve, përjetimi në to i figurës së Zervas, është një fyerje dhe një provokim për popullatën çame,  që e pësuan tragjikisht nga ai dhe hordhitë e tij.

Autori akuzon dhe fuqi të tjera europiane që i nxitën dhe i mbështetën masakrat ndaj çamëve.

Lidhja nacionale republikane greke, EDES, e themeluar nga Zervas në vitin 1941, pas lufte u pozicionua në anën e aleatëve dhe me urdhëresë të tyre vijoi operacionin kundër çamëve. Urdhërat për këto operacione vinin nga shtabi i përgjithshëm i aleatëve në Aleksandri, Egjipt. Shumë oficerë britanikë shërbenin si ushtarakë ndërlidhës të EDES për koordinimin e operacioneve kundër popullatës çame. (Ëikipedia, Camen, gjermanisht)

Të projektosh fajin e pjesës tek e tëra, të individëve të veçantë te i gjithë grupi, të përgjithësosh dhe të fajësosh gjithë etninë është e padrejtë dhe kriminale. (Ein kurzer chronologischer Überblick, Ëikipedia, gjermanisht)

Një akuzë të fortë ngre autori edhe kundër disa veprimeve aventureske të sotme të palës greke që nuk pranojnë hyrjen në Greqi të personave të lindur në Çamëri. Me ç’të drejtë? Situata të tilla nuk kanë asnjë shpjegim në absurditetin e tyre. Këtu do të vlente ajo thirrja e thekshme latine: O tempora, o mores!

Po e mbyll këtë paragraf me fjalët e H. Zanes: “Ne sot jetojmë e mendojmë edhe për kauzën tonë, duan apo s’duan grekët, u vjen mirë apo nuk  u vjen mirë  pushtetarëve apo akademikëve që sillen privatisht me çështjen kombëtare.” (Artikull: e martë, 18 shtator, 2018)

Avantazhet dhe disavantazhet e historisë

Shpesh pyes veten:  ku e gjetën çamët e dëbuar nga vatani i tyre, prindërit dhe të afërmit tanë , ne vetë forcën për të mbijetuar. Siç thotë dhe thekson autori, H. Zane, realitetit, që gjetën çamët në Shqipëri, ishte gjithashtu armiqësor ndaj tyre. Persekutimi i çamëve në Shqipëri vijoi herë me metodat greke (sa „grupe armiqësore“ çame “u zbuluan“ dhe u asgjësuan mizorisht, me soj e me fis), herë me metoda të tjera. Gjithçka rridhte në një atmosferë nënvlerësimi dhe përbuzjeje ndaj çamëve. Por ne mbijetuam e do të mbijetojmë. Mbijetesa jonë lidhet, së pari, me shpirtin tonë punëtor e luftarak, me vitalitetin tonë që ka triumfuar gjithnjë, me mirësinë tonë pakufi. H. Zane i kushton pjesë të veçanta në librin e tij jetës dhe kulturës çame. Janë mbresëlënëse përshkrimet e tij mbi ato shtëpitë e bukura çamërishte. Të veçanta janë këngët, vallet, tërë folklori çam që shquhet për një origjinalitet tronditës (kujtoni kengën e Çelo Mezanit, tumankuqen etj.). Pjesë e kulturës çame është dhe gjuha e bukur çamërishte me pasurinë dhe koloritin e saj të veçantë në hartën dialektologjike shqiptare.

Në pikëpamje psikologjike mbijetesa jonë shpjegohet me një lloj distancimi dhe një lloj mbylljeje. Me intuitën e tyre të ndjeshme çamët e kuptuan se nuk mund të mbeteshin robër të historisë tragjike dhe as të trazirave psikologjike të kohëve të reja. Ata përvetësuan shprehinë, zakonin e tërheqjes, qoftë dhe formale, nga e keqja që i mundonte, distancimin nga ajo. Dihet që ky është një proces psikologjik tepër i vështirë. Edhe me anë të seancave profesionale psikoterapeutike arritja e një ekuilibri shpirtëror është tejet i vështirë. Sigurisht faktori „kohë“ luan rolin e vet. Kjo më kujton një thënie të shkrimtarit Vath Korreshi: „Kur do të vijë një ditë që ta shoh ndodhinë nga larg, nga tangentja e botës“. Për më tepër një distancim i tillë është dhe konform filozofisë së Nietzsche- s mbi përfitimet e dëmet e historisë.(Nietzsche, F.: Vom Nutzen und Nachteil der Historie, në „Unzeitgemäße Betrachtungen“, Kröner-Verlag, Stuttgart, 1964, f. 95- 197)

Sipas Nietzsches mbetja peng e historisë, teprimi me historinë, përmbytja nga historia, ngarkesa e përhershme shpirtërore e prodhuar nga historia „e prish forcën plastike të jetës, njeriut nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të ushqehet shpirtërisht nga e kaluara.“ (f. 191) Si mjete shpëtimi nga teprimi me histori Nitzsche propozon: „Unhistorisch“(pahistori), me këtë koncept mendon „harrimin“ dhe „Überhistorisch“(mbihistori). Me këtë nënkupton terapinë nëpërmes artit dhe fesë.

Kështu në familjet tona flitej shumë rrallë për ngjarje konkrete ngjethëse. Po kur ndodhte kjo, ngjarjet e treguara ishin të paharrueshme. As e kam harruar dhe as kam për ta harruar një rrëfim të nënës sime kur u gjendën në Delvinë pas dëbimit nga Çamëria. (Sigurisht, nuk shkuan pas gjermanëve siç thonë shumë politikanë grekë). Rrëfimi më kujtohet në ligjëratë të drejtë: „Atje m’u sëmur nana. Me mundime i gjetëm një doktor. I dhamë dhe ilaçe. Ishte më tepër adhap i shpirtit se sa i trupit. Nuk bëri asnjë javë sëmurë dhe vdiq. Ishte 54 vjeç. Ne filluam ta qajmë me bolori. Por e qara na mbeti në grykë. Vendalitë na u vërsulën e nuk na lanë të qajmë: ‘Doni dhe të qani, nuk shikoni hallin që ju ka zënë.’ E varrosëm nanën sido – kudo, në truall të huaj, larg shtëpisë sonë që atëherë nuk na e merrte mendja se nuk do ta shikonim më…

Bashkë me distancimin ne kultivuam dhe një lloj mbylljeje të shpirtit. Në fund të fundit kujt i duhet liria pa kufi? Pothuaj askujt. E mësuam shpirtin të jetojë me kufizime. Ndoshta vuante në ato situata, por mendoj se kështu gjeti qetësinë shpirti ynë i trazuar.

Përfundime

Është një meritë e veçantë e autorit H. Zane që ka mundur të grumbullojë material nga dëshmitarë okularë të genocidit grek. Ata po pakësohen gjithnjë e më shumë. Nuk sheh më në rrugët e qytetit gra-nana të moshuara, me tumane e napë. Duket sikur i përpiu përjetësia. As baballarët tanë nuk jetojnë më. Por tregimet e tyre jetojnë të përmbledhura në këtë libër sa historik aq edhe kontemporan.

Hyqmet Zane shquhet për zërin e fortë në mbrojtje të kauzës çame në kushtet kur ajo sulmohet në mënyrë perfide nga politika greke dhe injorohet nga politika shqiptare dhe nga struktura që mund ta mbështesnin atë.

Autori, Hyqmet Zane, është konsekuent në përpjekjet e tij për të zgjuar e sensibilizuar forca të caktuara që mund të shprehen e t’i shërbejnë çështjes çame.

Ai është një kritik i fortë ndaj qëndrimeve antishqiptare greke që përdorin çdo mjet për të injoruar çështjet dhe problemet tona kombëtare, nganjëherë edhe duke kërcënuar  (“rruga për në BE kalon nga Athina” etj.)

Lexuesi çam dhe çdo lexues tjetër do të gjejnë në këtë libër një informacion tejet interesant, historik dhe aktual, do të njohin forcën e përkushtimit, fuqinë e mërisë ndaj së keqes dhe dashurinë pa kufi për viktimat e pafajshme të persekutimeve.

Edhe pse zëri i tij sot është “Vox in deserto” (zë në shkretëtirë) ai paralajmëron ardhjen e drejtësisë, e kohëve më të mira.

Emine Sadiku

Bonn, 16 mars 2019