Suplementi Pena Shqiptare/ Ergys Alushi: Takim i veçantë për promovimin e librit “Vëllai im, Dionisi”

864
Sigal

Në takimin e organizuar në gjimnazin jopublik “Perla” që është kthyer tashmë në një qendër të mirëfilltë të evidentimit dhe stimulimit të vlerave më të mira të qytetit të Vlorës, u promovua dhe u fol për librin që Spiro Qirzidhi, kishte botuar për vëllanë e tij, Dionis Qirzidhi.
Kishin ardhur nga Tirana për të nderuar shokun e tyre të fëmijërisë por edhe idhullin e tyre, Timo Flloko, aktori i njohur shqiptar, Nestor Jonuzi, Piktor i Popullit, Harallamb Fandi, ish-dramaturg vlonjat, nga Bari i Italisë, por edhe shokët e tij që jetojnë në Vlorë, si Petrit Stefa, ish-trajneri i ekipit të basketbollit të femrave “Flamurtari” në vitet ’80-90, Petraq Truja, Nikollaq Papa, Mihal Çela, Medin Xhelili, Bardhyl Osmani, Petrit Osmani e të tjerë miq e shokë.
Në parathënien e librit, Moikom Zeqo do të shkruante, ndër të tjera për Dionis Qirzidhin:

“Kam në duar librin e Spiros, që ka shkruar për Dionisin vëllanë e tij, vërtet një libër i çuditshëm, dlirësues dhe suigeneris, kjo më ka mrekulluar sinqerisht. Unë i njoh prej vitesh të dy, di të lexoj gjithçka të thënë ose të pathënë tek ky libër, leximi i tillë i dyfishtë është më i epërm, më përfaqësues. Ky libër nuk është thjesht një gjest dashurie, nga ato vëllazërore, por një libër i domosdoshëm edhe për shkak të mungesës së deritanishme, të kapërcyer. Ky libër është për të qenë përherë. Dionis Qirzidhi është miku im më i hershëm, një natyrë njerëzore e profilizuar si askush. Poet, prozator, studiues, përkthyes, Dionisi është, padyshim, një personalitet i kulturës me të gjitha atributet semantike të kësaj fjale…”

 

Libri “Vëllai im, Dionisi”

Libri me më shumë se 500 faqe shkruan dhe për Dionisin si besimtar ortodoks, për publicistikën e tij, për poezinë, prozën, studimet, vlerësimet e të tjerëve për të, angazhimin ë fillimet e lëvizjes demokratike në Vlorë, pjesëmarrjen e tij në grevën e minatorëve të Valiasit, fjalimin e tij në sheshin “Skënderbej” dhe të tjera episode dhe kujtime nga jeta e vrullshme e një prej të rinjve vlonjat të viteve ’60 e në vazhdim që krijoi një imazh dhe një pikë referimi për rininë vlonjate të atyre viteve, për shokët e tij të fëmijërisë e rinisë.

Timo Flloko
Aktor

“Poezitë e tij kanë një ndjenjë të veçantë lirike, muzikalitet e janë plot figuracion Tani që po shkruaj edhe unë poezi, më bindje them se ai, Dionisi ndikoi katërcipërisht në formimin tim kreativi-poetik. Ai ishte dhe mbeti një lloj idhulli që shpesh më pëlqente edhe ta imitoja. Dionisi ka qenë për ne një natyrë simbiotike, ngaqë ishte edhe më i madh si moshë, ne e shikonim si fëmija, nga poshtë-lartë dhe dimensioni i tij ishte i madh në sytë tanë. Ai ishte poet, ishte muzikant, i binte shumë mirë fizarmonikës dhe mbante gjallë mbrëmjet e shkollës, mbaje mend edhe dasmat. Në momentet e shumta kur vija tek shtëpia juaj, përherë e më shumë fiksoja mendimin se Dionisi ishte njeri me pasione të shumta dhe në shumë drejtime. Kjo e bënte Dionisin të veçohej, dhe nga ana tjetër qe edhe një student shumë i mirë.

 Prof. Dr. Kristo Frashëri

“Lord Bajroni ka qenë i njohur prej kohësh në opinionin shqiptar, por vetëm për hir të veprës së tij “Shtegtimet e Cajlld Haroldit”. Kjo për arsye se në këtë poemë romantike që të magjeps me vargjet e saj Shqipëria, shqiptarët dhe Ali Pashë Tepelena kanë zënë një vend të spikatur sa te askush autor tjetër evropian. Me librin e tij “Shtegtari i Lirisë” Dionis Qirzidhi më riktheu te Bajroni, të rifreskoj dhe të plotësoj ato që kisha shkruar pesëdhjetë vjet më parë në një trajtesë të shkurtër kushtuar shtegtimit të Lord Bajronit në Shqipëri, në fillim të shekullit XIX.