Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Kur gruaja të do me shpirt

34
Sigal

Një grua e ndien aromën e burrit që do,

edhe kur vesëholla gjurmët ia ka fshirë,

kur karafili stinëve kundërmon ngado

dhe kur dorëzonja deh ditët, me të mirë.

Një grua sheh syrin e burrit që dashuron,

mes muzgut kuqalosh që mbledh bukuritë,

nën velin e agimit, kur nata lodhur shkon

dhe trëndafilja ditë shtron gjithë mirësitë.

Një grua njeh zërin e burrit që dashuron,

mes këngës së valës që ligjëron në breg,

mes korit të zogjve në shtegtimin e vonë,

kur vjeshta zverdhon gjethet nëpër degë.

Një grua e ndjen pranë, burrin që dashuron,

kur ai folenë ngre brenda zemrës së saj,

kur diellin e dashurisë, pa kusht ia dhuron

dhe frymën e shpirtit gjer në vdekje ia fal.