Suplementi Pena Shqiptare/Ergys Alushi: “Lavdia dhe Pavdekësia e Albert Vërrisë”

49

Tre vjet nga vdekja e Artistit të Popullit Albert Vërria, 17 gusht 2015

A ka kënaqësi e lavdi më të madhe për një aktor se ta thërrasin e ta kujtojnë me emrin e personazheve që ka luajtur. Bertin, pas daljes së filmit “Agimet e stinës së madhe” e deri në ditët e fundit të jetës thërrisnin në rrugët e Vlorës me emrin e Soll Lilit. Por, e thërrisnin edhe “Xha Sulo” apo “Kapedani”. Filmi dhe personazhi që janë lavdia dhe pavdekësia artistike e Albert Vërrisë.

Nga Ergys Alushi

1982 – tetor
Albert Vërria – kandidat për deputet

Lagjet “Lef Sallata” dhe “29 Nëntori” që përfshihen në zonën zgjedhore 239, shtrihet mbi ish-moçalishten e dikurshme. Lagjet kanë rreth 25.000 banorë.
Edhe pse rreth të 40-ave, Albert Vërria ka luajtur disa role ku personazhi ka qenë në një moshë më të madhe sesa mosha e tij reale. “Xha Sulo”, “memeci” tek “Operacioni Zjarri”, Nuredin beu tek “Koncert në vitin 1936”, Jani Ferra tek “Shtigje lufte”, Soll Lili tek “Agimet e stinës së madhe”, Saliu tek “I treti”, kapter Pelegrini tek “Në fillim të verës”, Lec Kabashi tek “Thirrja”

1987 – dhjetor
Albert Vërria “Artist i Popullit”

Atmosferë feste e fund vitit ishte edhe atëherë, 30 dhjetor 1987.
Vlora bëhej me një “Artist i Popullit”.
Dhe ky do të ishte Albert Vërria, “Kapedani”i famshëm i filmit shqiptar.
Atë ditë dhjetori, në teatrin e qytetit, salla u mbush plot.
Qyteti po përjetonte një tjetër ngjarje të madhe, një tjetër gëzim.
Ishte viti i Flamurtarit, i basketbollistëve femra, i peshëngritjes, i mundjes, i notarëve meshkuj e femra.
Ishte viti ku në këto sporte, vlonjatët bënin ligjin, në Shqipëri.
Dhe ëmbëlsira e atij fundviti, do të ishte titulli i madh për artistin e madh.
Si në çdo aktivitet të tillë të ngjashëm, autoritetet, do të ishin me shumicë se, Berti, ishte dhe dy herë Deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Ne teatër, do ta merrte fjalën i pari, drejtori i teatrit, Petrit Qejvani, i cili do të fliste bukur, ashtu si nga të rrallët, vetëm ai dinte të fliste.
Deri në atë vit, Albert Vërria, numëronte 60 role në teatër e në estradë si dhe 25 role në filma.
Albert Vërria ka lindur në 3 shtator 1936 në qytetin e fierit. Shkollën 8 vjeçare e të mesme bujqësore e ka përfunduar në qytetin e lindjes. Nga viti 1956 deri në vitin 1959 ka ushtruar profesionin e zooteknikut. Me hapjen e shkollës së lartë “Aleksandër Moisiu”, më 1959, vazhdon studimet e larta për aktor deri në vitin 1963. Nga viti 1963 e në vazhdim ka punuar si aktor i teatrit dramatik të Vlorës.
ka interpretuar 56 role në teatër, estradë dhe grupe amatore.
Ka marrë pjesë në 28 filma të Kinostudios dhe të Televizionit.
nga krijimtaria e tij artistike veçohen si xha Halili tek “Fytyra e dytë”, Pilo Gremi tek “Buka e duarve tona”, Hlestakovi tek “Revizori”, Nikolini tek “Fundi i një komedie”, kolonel Xhentile tek “Lidhur si fishek gjerdani”, Ferro Basha tek “Vite të vështira”, Vani Bregu tek “Pallati 176”, etj.
në kinematografi, Hiluku tek “Operacioni Zjarri”, kaporal Pelegrini tek “Në fillim të verës”, Lec Kabashi tek “Thirrja”, Nuri beu tek “Koncert në vitin 1936”, Saliu tek “I treti”, Soll Lili tek “Agimet e stinës së madhe”. Veçanërisht është bërë i njohur me rolin e Xha Sulos tek filmi “Kapedani”.
Është Laureat i Çmimit të parë të Republikës dhe me titullin e lartë “Artist i Popullit”.

Josif Papagjoni për Albert Verrinë

Ndër të tjera në pasthënien e librit “Rrëfim paradoksal” të shkruar nga Albert Vërria, Josif Papagjoni, do të shkruajë kështu për artistin e madh:

“Albert Vërria ishte brezi i aktorëve të shkolluar. Pasi kreu studimet në shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu”, në vitet 1959-1963 duke qenë nga të diplomuarit e parë të kësaj shkolle, nga viti 1963 deri në daljen në pension në vitin 1991, ai punoi si aktor profesionist pranë teatrit “Petro Marko” të Vlorës. Në 40 vjet të karrierës së tij aktoriale ka luajtur mbi 110 role të ndryshme në teatër, në variete, në serialet televizive dhe në kinematografi. Është aktivizuar edhe si regjisor duke vënë pjesë në teatër, estradë, etj…
Në vitet ’60 spikati me rolin e Beqirit në dramën “Familja e peshkatarit” të Sulejman Pitarkës, në vitin 1963, atë të fajdexhiut në dramën 10 minuta jetë (Rrënjët) e Kujtim Spahivoglit (1968), kurse me rolin e xha Halilit te drama satirë “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit 1969, ai konfirmoi dhe njëkohësisht ngulmoi në formatin e tij të pëlqyer për të krijuar karakteret me mbarsje popullore, kryesisht rurale, me mbishtresime etnofolklorike…
Luajti me temperament rolin e kapitenit italian në dramën “Lidhur si fishekë gjerdani” në teatrin e Vlorës, kurse me rolin e Nazifit te komedia “Kumtesa e shtatë” në fund të viteve ’80 mishëroi tipin e një nëpunësi të paaftë, burokrat, intrigant, gjithashtu servil e të trembur… Albert Vërria u bë tejet i njohur në kinematografi ku luajtur mbi 30 role. Kishte një veti: Përkushtimin dhe seriozitetin maksimal në punë. Ai nuk dinte të diferenconte ç’ishte “rol i madh” e “rol i vogël”. Pikërisht pse ishte i tillë shumë nga rolet e tij të “vegjël” në ekran kanë, megjithatë, fytyrën e tyre: Janë të plotë e të individualizuar në detaje. Ai ishte një mjeshtër i karakterizimit fizik, sidomos në mimikë. Por ishte dhe një mjeshtër i detajit shprehës, i cili fitonte fuqinë e metaforës. Kujtoni këtu Hilukun tek filmi “Operacioni Zjarri”(1973), ku veshja e tij kapota e gërryer, e përbaltur, mjekra e kuqërremtë, syri si indiferent, i “paqtë” por tinëzar, dhe pastaj shndërrimi 100 për qind i gjithçkaje, që nga fjala, britmat, gjestet, syri e gjer përmbysja e beftë e ritmi plastik. Të shumta janë rolet e tij në kinema, por mbresëlënës si k Soll Lilit në filmin “Agimet e stinës së madhe”, 1981. Albert Vërria është një aktor i rrallë karakteresh që parapëlqen në të shumtën e rasteve qasjet sarkastike e satirike. Mënyra e afrimit të tij me personazhet është tejet serioze. Ai luan “dramën” e tyre…Xha Sulua tanimë i përket artistike të vendit, pjesës së vyer të trashëgimisë së filmit shqiptar. Aktori ravijëzoi me mjeshtëri të lartë dhe humor popullor tipin e një fshatari patriarkal nga bregu i detit, fort i krekosur e nursëz që përçmon gratë dhe s’ka kurrë farë besimi tek aftësitë e tyre, sjellje kjo që e çon në një seri dështimesh, duke kaluar në peripeci e situata të këndshme komike tok me partnerin e tij, Beqon, interpretuar nga Nikolin Xhoja, një dyshe e mrekullueshme, e ujdisur për bukuri. S’besoj se gjendet dyshe tjetër kaq harmonike, si një simfoni, në filmin shqiptar…”

Në librin “…Rrëfime paradoksale” të shkruar nga Albert Verria në vitin 2015, ai përshkruan dhe një takim imagjinar në parajsën nëntokësore me aktorin nikolin Xhoja, me të cilin ai luajti në filmin “Kapedani”.
Ja si e përshkruan ai këtë takim:

“…Diku në një kthim parajsor nëntokësor takova mikun tim Nikolin Xhoja.  Ai sa më pa, më përqadoi përzemërsisht dhe më tha:  – Po ç’u bëre o kapedan, më mori malli?! – Edhe mua më ka marrë malli, – I thashë duke e përqafuar plot dashur, – por ja tashi u takuam e do jetojmë bashkë aq sa koha të “ndalet”… Por nuk rri dot pa ta thënë o Nikolin, se më ka mbetur disi hatri nga ty! – Nga unë? – Po. Shpeshherë ma dridhje, më dilje i pabesë… por megjithatë të shkuara të harruara. Të kisha mik e të dy së bashku kemi qenë si një simfoni e hareshme, mbushur plot me gaz, hoka, qesëndi e humor. Dhe për këtë ti, o Nikolin, ke ndikuar shumë tek unë. Ti ishe një aktor brilant, me një plastikë e kreativitet të mahnitshëm, improvizues virtuoz, e për çudi unë u ambientova shpejt me ty, duke ruajtur secili individualitetin e vet të patjetërsueshëm në krijimin e figurave tona, një dyshe plot kripë e lezet, megjithëse antipod i njëri tjetrit, krijuam një harmoni që shumëkush na pati zili. Më fal, miku im, se u mburra disi, por s’mund të ta thosha diçka të tillë për ty… Nikolini jetonte në parajsë ku shpirti i tij i butë e gazmor prehej në paqe. Që nga larg ai më tha: – Edhe ti vendin e ke këtu në parajsë, sepse ne të dy dhe shumë të tjerë që janë si ne, këtu e kanë vendin. – Faleminderit, thashë, ti vërtet jeton këtu, në parajsën nëntokësore, por unë e di se ti jeton gjithashtu dhe në parajsën tokësore, ke dy forma, dy jetë, du ekzistenca, dy kujtesa. Unë shpesh të shikoj të gjallë, dua të them në film, duke më mahnitur me lojën tënde. Je një fenomen. Habitem nga fuqia e talentit tënd. Pra ti, i dashur Nikolin, je i pavdekshëm jo thjesht si imazh, si virtualitet, por si kujtesë. Dhe kjo është e zakonshme, një privilegj që vetëm artistët e kanë kaq me bollëk për hirin dhe kënaqësinë e Zotit. Nikolini buzëqeshi, siç dinte të buzëqeshte ai dhe më falenderoi me atë thjeshtësinë e tij të njohur. – Të shoh të lodhur, më tha, ç’kërkon në këto gremina e humnera nëntokësire? – Eh, o Nikolin, dua të takoj ata maskarenjtë e mi, atyre që u kam dhënë formë, jetë dhe ekzistencë në art nga qenia ime. Dua t’ju them nja dy fjalë me qëllim që miqte e të dashurit atje lart mbi tokë të hapin vesh e sytë, se nga njerëz të atillë ç’nuk pret: Të kenë kujdesm, mos t’u prishet mendja, të mos gënjehen, t’iu largohen të ligave e kurrë mos t’i harrojnë. Kurrë…
E përqafova dhe u ndamë miqësisht secili në punë të vet”