Suplementi Pena Shqiptare/ Ali Bregu: Fabula

722
Sigal

Pesha e fjalës

Lepuri fjalë me peshë

Thoshte kur të tjerët heshtnin,

Ndonëse bërë sy e veshë

Zunë ta tallin e ta qeshin.

 

Kur sërish ato fjalë

Tha luani, (mos e zgjatim)

Ç’qenë atje gjë e gjallë,

Filluan ta duartrokasin.

 

Vlera e zeros

 

Gjithë numrat zeros njëherë

I thanë : -Ti je pa vlerë.

Flet zerua e i dha frymës:

-Varet nga vendi i punës.

 

Pastaj ngre zërin e thotë:

-Mbas çdo numri a zero tjetër,

Shtoj me saktësi të plotë

Dhjetë fish vlerën e vjetër.

 

Dhe kur vihem mu në ballë,

Para jush e vendit s’luaj,

Zhvleftësoj pa zë e fjalë,

Dhjetë fish moj, vlerën tuaj.

Mjekra dhe truri

 

Mjekra e njeriut si ferrë,

Qimet e saja të gjata,

Trurit që s’foli njëherë,

I mburrej ajo e ngrata:

 

-Shiko pak aty te mua,

Te çdo qime, brenda krifës,

Porsi uji nga një krua,

Zë fill rrjedha e logjikës.

 

Ia pat truri, ku qe strukur:

-Pse më hiqesh mendimtare?

Përveç lukut për t’u dukur,

Vlera të tjera s’ke fare.

 

Operimi

 

Shihni mjek Levendin,

Sa shpejt ta bën tetën,

Para se pacientin,

Operon kuletën.

 

Në stomak të mpirë,

Harron, bën kërdinë,

Mbasi e qep mirë,

Brenda bisturinë!

 

Ankimi i peshkatarit

 

Ankohet peshkatar Lonka:

-Çdo ditë kap veç cironka,

Thënë ndryshe, me shumicë,

Peshq të vegjël, kacamicë .

 

Të mëdhenjtë, dredharakë,

Peshkaqenë e lavrakë,

Gjithnjë ata në të vetën,

Sa i kap, e shqyejnë rrjetën.

 

Tha vetingu, bëri benë

 

Tha vetingu, bëri benë:

-Do dënoj, do t’iu luaj fenë,

Deputetët sharlatanë,

Grykësit politikanë

Krimin dhe hajdutërinë,

Drogmenët, makutërinë .

 

Dosjet me bëmat sekrete,

Do hap unë – drejtësia,

Kur fajtorët, përtej jete,

Do t’i rrokë perëndia.

 

 

Të rroftë shkolla

 

Te pacienti dy – tre orë

Mjeku me shiringë në dorë,

Tej të sëmurit në krizë

T’i bëjë gjakut analizë,

Po kërkon ai i vrarë

Dhe s’i gjen kurrkund damarë.

 

Me ato “Bëz…bëzz” të holla,

-O doktor, të rroftë shkolla !-

Tha mushkonja e fët smakun,

Gjen damarin e thith gjakun.

 

 

Kur i bën varrin vetvetes

 

Ujkut plak në pyllin “Mbret”

Kandidat për deputet,

Kur i ra dhëmbi i fundit,

Thanë delet e katundit:

 

-Sapo që t’i japim votën,

Për të zhvatur gjithë botën,

 

Vrapin shpuzë ne nga këmbët,

Te dentisti që me natë,

Për t’i rinovuar dhëmbët

Më të mpreht’ e më të gjatë.

 

Lepuri dhe kopshtari

 

I trembur dhe i tmerruar,

Veshët kas duke vrapuar,

-Kriu..kriu..kriu ,- lepuri thotë,-

Kopshtar – o, për një karotë,

“Bam..bam..bam”, shkrepe të shkretën,

Për pakëz më more jetën .

 

Për ç’ t’u prishën, -shtoi nga shtegu,-

Veçse për mungesë tregu

Dhe t’u kalbën, morën erë ,

Nuk ia bëre”Bam..” njëherë!