Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xhafka: “Hedh polici një gur në lumë”

924
Sigal

Më ndodhi fiks një vit më parë. Ishte fundmaji dhe kthehesha nga një javë pushime në Vollos të Greqisë. Sa kalova Kakavijën dhe hyra në tokën shqiptare, më del para një polic. Barkderr si gjithë policët shqiptarë, me këmishë lëshuar dhe me kapelën anuar. Ndaloj dhe, ndërsa e pyes pse më ndaloi, ai nisi një komunikim me radio. Dëgjova që ishte 38-a dhe i drejtohej 97-s. Dha targën time e pas pak nxirrte “bre, bre, bre”. Mbylli radion dhe plot pordhë më tha:

-Ke një gjobë pa paguar. Ka qenë 2 mijë të reja, por do paguash 3.500 se ia ka shaluar kamata. Nuk mbaj mend asnjë gjobë, as qortim. Jo se jam shofer i rregullt,por kam pasur fat.

-Po kur e paskam marrë këtë gjobë?

-Në shkurt,-erdhi vetëtimë.

-Në shkurt ne ishim në Amerikë!-u çudit gruaja.

-Me makinë shkuat apo me aeroplan?- na qesëndisi polici.

-Me tët ëmë, -gati i thirra.

Na mori patentën, dokumentet dhe do qaheshim tek komanda në Tiranë, në Kinostudio. Gruaja mallkonte, unë shfryja se më dukej gomarllëk të merrja gjobë kur isha në USA? Sa u gdhi drejt te policia. Radha, si radha e djeshme te qumështi. Pas dy orësh ia thashë hallin një goce pas një sporteli.

-Nuk ankohesh dot pa paguar gjobën, – më sugjeroi.

-Si të paguaj një gjobë kur unë s’kam qenë këtu.

-E ka ligji. Ose shko e zgjidhe në gjyq. Inatin e kisha të madh. -Në gjyq do shkoj.

Dhe shkova. Njerëzit kapicë, rrëmujë e madhe. Për fat njoha Blertën ish-fqinjën time. Më ndihmoi të regjistroja ankesën. Pas tre javësh ishte dita e gjyqit. Por mungonte përfaqësuesi i policisë. U shty dy javë. Në seancën tjetër erdhi përfaqësuesi. Na i dhjeu, se tha, që ky zotëria, për mua, ka qenë në Amerikë se e vërteton me vulën hyrëse atje në pasaportë, por makina ka qenë këtu. Ne gjobën ia vumë makinës për shkelje semafori. Gjyqtarja pyeti: -Kujt ia le makinën? -Askujt. E mbyll në garazh. -Sill një dëshmitar, p.sh. ai që ka garazhin ngjitur me ty.
U shty për një muaj. Pranë meje e le makinën Gjergji. I thashë të delte dëshmitar.

-Do jem në Gjermani, më tha. Fola me Altinin. Ai më tha se nuk më ndihmonte nga që ka një gjyq për vete me policinë. Ngela. Por më nxori Beni nga halli.

-Makina jote ka çip regjistrimi të lëvizjes. Shko te koncesionari dhe merrja hartën për muajin që do. Shkova dhe mbusha një formular si fillim.

-Presim aprovim nga Gjermania, -më thanë.

-E ke gati për dy ditë. Sa ika, tek dera një inxhinier më tha ttë mos vij më. Se na intereson të mos e mërzisim policinë, atje nxjerrim targat. U pataksa dhe ngela pa shpresë si mes një kënete që po më thithte. Shkova sërish në gjyq. Gjyqtarja priste dëshmitarin. Nuk i thashë që e kam, por bëra blofin.

-Do sjell hartën e lëvizjes, regjistruar nga koncesionari. Tregon që makina në shkurt nuk ka lëvizur asnjë metër.

-Ok, -tha gjyqtarja. -Shihemi pas një jave. Ecja rrugëve dhe gati po më mbushej mendja se nuk kam qenë fare në Amerikë.

-Mbase na ka kapur polici në shkelje?- pyeta gruan.

-Po kur,mor i zi? Kur ishim matanë oqeanit? Kur na ngelën dhe dy ditë nga gjyqi,më del një polic para. Më dha në dorë një gjobë 3.500 lekë. Shoh emrin tim. Por unë isha në këmbë. Kisha tre muaj që përdorja taksi. Nuk fola se më tha që më pret shefi në zyrë. Shkova dhe:

-Ja,ku t’u bënë dy gjoba, -nisi.- Por unë po e gris këtë dhe ti paguaj atë të muajit shkurt. Se mbetëm gjyqeve, nuk të ka hije. Isha nervoz, por dhe i pashpresë. Po detyrohesha të paguaja një gjobë që kur unë isha në Amerikë bëja shkelje në Tiranë. Më vinte dhe turp. Doja ta kundërshtoja,por i zgjata dorën.

-Grise, -i thashë. Jashtë më priste gruaja. I dhashë gjobën e vjetër.

-Shko paguaje, -i thashë. Duke e pritur te lokali pranë në TV shihja kryeministrin që bërtiste dhe i binte podiumit me grusht në parlament:

-Do bëjmë shtet doni nuk doni ju! -Do bësh pçkst…,-bërtita.-Urdhëro! Fole gjë?- pyeti kamerieri. Dola dhe pashë gruan nga fundi i rreshtit. M’u dhimbs ajo, vetja dhe lekët që m’i vodhi shteti im…