Suplementi Pena Shqiptare/ Adem Harxhi: Kryetari ynë

132

“Kujdes me këtë person,” i thanë kryetarit shokët e tij dhe vazhduan, “ai favoret i ka fituar me lajka, të cilat i përdor për të pasur avantazhe për vete.”

“Mos u shqetësoni,” u përgjigj kryetari plot me vetë-besim. “Ai nuk do ta ketë të gjatë me mua”.

Kur personi arriti, pa humbur fare kohë tha:

“Sa i nderuar jam të jem në të njëjtën dhomë me kryetarin më të madh të vendit. U verbova nga rrezatimi i bukurisë tuaj, nga bekimi i pranisë tuaj, nga ngrohtësia që ju dhuroni me elegancën …..” Ai vazhdoi rreth njëzet minuta në këtë mënyrë. Kur ndaloi të marrë frymë, këshilltarët e kryetarit gjetën mundësinë t’i thonë shefit: “A nuk të paralajmëruam kryetar?”

“Rrini të sigurtë,” u përgjigj kryetari, “në momentin që ai do të fillojë të më lajkatoset mua, unë do ta flak. Por deri tani, ai nuk ka thënë gjë tjetër veç të vërtetës.”