Kristo Mërtiri: Shoku Zylo dhe fasadistët

841
Sigal

Kur filloi të botohej si novelë në revistën e mirënjohur “Hosteni” (meritë e guximtarit të mençur e “optimist i përjetshëm”, kryeredaktorit historik, Niko Nikolla), unë po kryeja shërbimin ushtarak të detyruar e të rrëmbyer dhunshëm nga Shkolla Pedagogjike “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër. Atje ku pas një viti e ca duhej të diplomohesha e të merrte flatra ëndrra ime rinore, Mësuesia! Sot e kësaj dite nuk e mësova dot se kush dhe përse e gatuan atë ligësi të pashoqe vetëm për mua dhe Xhafo Shehun nga Buzi i Tepelenës. Në një kohë kur thuhej me të madhe se kishte aq shumë nevojë për “komisarë të Dritës së Diturisë”! Në një kohë kur mjaft djelmoshave nëpër kooperativa e fshatra, paradoksalisht u shtyhej disa herë afati për të mbaruar atë “detyrë mbi detyrat”(?). Pas vrasjes tinëzare të asaj ëndrre, jo dosido e përmes zymtësisë shpirtërore e mendore të moshës, befas nisi udhëtimin natyrshëm e si një shaka e madhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Shumicën e fletorkave, Dritëroi ynë i kishte mbushur në plazhin e Shëngjinit. Përveç ditës së shtunë (kur dilte ajo faqja e dashur letrare në gazetën “Zëri i Rinisë”, si ngjarje vërtet e shënuar për talentet e reja e jo vetëm), tashmë do të shtohej dhe kjo Revistë e veçantë plot humor e satirë therëse për shtetarë e qytetarë. Pra, bashkë me një tjetër “thyerje disipline” për të arritur në kohë te libraria e lagjes së Kombinatit Tekstil në Tiranë. Sepse çdo vonesë mund të të kthente duarbosh në repart. Falë komandant Kujtimit (Halili), oficer e poet i ri me rrënjë pranë vendlindjes sime, që bënte sikur kish një sy qorr e një vesh shurdh, e realizonim në kohë atë objektiv të përhershëm leximi e kuvendimi. E pse jo edhe një oaz përtëritjeje, humori e optimizmi real. I kujtova dje te Brryli këto detaje të paharruara, kur po debatonim për fasadat dhe fasadistët e kohës së sotme. Dhe këmbëngula t’i vija kapak muhabetit me dy miq të lexuar nga Përmeti, duke rrëfyer diçka nga dialogu i Zylos me Demkën. Dhe sidomos aforizmat, eskizat dhe 17 esetë e tij origjinale pas një meditimi në lëndinë, ku fare pranë kullotnin pela me mëzin. Nuk bënte më referate e diskutime të shkruara zyrtare. Prandaj po përkushtohej te aforizmat e esetë “për të larguar mendjen nga andrallat”. Në vetmi, pa Demkën. “Dhe unë u largova për të mos ia ndrydhur mendimet”. Kur u kthye pas pak orësh, e gjeti të shtrirë barkas. Kur Zylo filloi leximin me zë të lartë, mëzi po hidhej në tërfil: “-Ese nr. 10. Formalist: Kokërr arre pa thelb brenda!…” Qeshëm të gjithë, por jo si gurgullimat e vërsnikëve të mi ushtarë, kur Revista kalonte dorë më dorë.

Së pari, pamjet e jashtme të fasadistëve nëpër ekrane e faqe gazetash, të ardhur nga istikamet partiake e shtetërore, shpesh na gënjejnë duke fshehur diçka të keqe me ngjyra të ndezura kallpazane për publikun. Ashtu si vezullimet verbuese e tunduese të fushatave elektorale me skenarë, regjisorë e aktorë politikë të sprovuar në premtime e mashtrime. Sa shumë ka parë e dëgjuar ky Tranzicion i pafund rrumpalle për gati 30 vite me radhë! Flet varfëria e mjerimi migjenian i mijëra individëve e familjeve në male e kodra, në fushat djerrë e pa pikë uji nga kanalet e rezervuarët e djeshëm “komunistë”, por edhe në trotuaret e periferitë qytetëse. Politikanët u bien tamburave të majta e të djathta, bashkë me kalemxhinjtë militantosahanlëpirës dhe bëjnë sikur u këputet shpirti për hallexhinjtë. Mjafton të rrëmbejnë vota me baule e daulle dhe të ulin prapanicat nëpër kolltukët legjislativë e ekzekutivë, të shtojnë pasuritë pa djersë e mundime. Ndërsa elektoratin e ngopin me lugë bosh! Premtimet thahen e bëhen trokë nëpër sheshet e sallat që oshtijnë ende nga thirrjet e urra-të marramendëse. Solidariteti po bëhet gjithnjë e më tepër pronë e fukarenjve, duke na trokitur përditë ajo urtësia e moçme : “Barkngopuri nuk pyet për barkboshin!” Këtë tablo drithëruese e pamë edhe te familja e Adem Mustës, në Velkan të Beratit, të ajo strehëz-kasolle e rrënuar (20 metra katrorë) ku pikonte ditë e natë mjerimi e dëshpërimi. Kishin zbritur nga Sinja malore, fshati më i largët i krahinës së Shpiragut, gati krejt i braktisur në kohët “moderne”! (Ky informacion i hidhur, mua më dhembi jo pak. Mbi 40 vjet më parë, si student në degën Gazetari, kam shkuar me shërbim nga “Zëri i Popullit” për një reportazh në atë trevë me një mal histori. Kam ecur me këmbë e makinë, jam ulur në disa fshatra e vatra të ngrohta, që nga Mbreshtani ku dëgjohet ende zëri i Heroit kokëplot Qemal Stafa në internim dhe gjer në Mbolan e Sinjë. Kujtoj me dashuri mjaft të gjallë e të vdekur…). Personalisht, braktisjen masive të fshatit e vlerësoj si një plagë të madhe kombëtare që do kullojë gjatë. Sot, nesër e pasnesër. “Po pres të rritet çuni, e të marrë udhën e kurbetit”. A e dëgjuat? Kaq tha publikisht Ademi i dëshpëruar. Ndërsa nëna e sëmurë Festime, ka vite që nuk i qeshte buza e as festonte dot asgjë. “Shpirtin e fëmijëve po e mban gjallë njerëzia, shoqëria e miqësia në fshat dhe sidomos komshinjtë…”. Ndihma e shtetit “social” me 30 mijë lekë të vjetra në muaj për familjen me 4 persona, nuk mjafton as për bukën thatë! Nga t’ia mbajë fatziu njeri?… Një qiri i patretur shprese u është bërë 15-vjeçari Zbukurim, që mbase një ditë ua zbukuron sadopak këtë “jetë qeni” (jo nga ata që mbajnë zonjëzat edhe në dhomën e gjumit). Këtë nxënës të mbarë e duan shumë në shkollë e jashtë saj. Sepse historikisht, te shqiptarët e vërtetë uria për Arsim ka mundur e mposhtur jo rrallë urinë e stomakut. Në një kohë kur fëmijët e politikanëve të kamur hyjnë e dalin nëpër universitetet evropiane e perëndimore, nëpër fuoristrada qejfi e epshi të shtrenjta, në vilat e shtëpitë luksoze me shërbëtorë në pastrim, gatim, kopshtari e rojtari etj. Dhe këta fasadistë mjeshtra na shesin moral me okë! Por nxënësit e shkollës “Jani Dodi” e të tjerë në rreth, i dhanë një shuplakë Varfërisë, por edhe Polit(h)ikës së madhe hipokrite në metropol: Moshatarët e Zbukurimit të urtë e plot mirësi dhe ata të motrës së vogël Armela, përkrah mësuesve dhe drejtorisë përkatëse në rreth, arritën të sensibilizonin e të ndihmonin për ngritjen e një shtëpie modeste të re! Gëzimi e buzëqeshja sikur u kthyen pakëz nga shpellat e skamjes vrastare. Një shembull i rrallë nga jeta shqiptare në periferi, pa bujë e tepër adhuruese. Por edhe demaskuese për çdo pushtetar a opozitar fasadist…

Së dyti, mizërisë me Demka rreth Njëshave, u ngjiten e nuk u shqiten si urithë edhe ca tipa e prototipa që sot sfiliten për të dhënë ndonjë “thelë” dhe nesër kërkojnë të rrëmbejnë një pelë! Favore të ligjshme e të paligjshme, me rrjeta nepotizmi e militantizmi ulërak sigurojnë vende pune të pamerituara hiç profesionalisht e moralisht; me nder tenderë korruptivë ku burojnë miliona të thata e të njoma; poste të larta me grada madhore në Administratën Shtetërore a në institucionet e pagëzuara “të pavarura”; në Kabinete Presidenciale; Kryeministrore; Parlamentare e ministrore; në Borde që në mos rrjedhshin, do pikojnë me siguri të ardhura shtesë; në Komisione e Këshilla Drejtuese etj. Janë nga ajo racë që “Ta thyejnë arrën në dorë”. Populli e ka fjalën edhe për ata që kusarojnë shumë e me marifet të qërojnë deri të bardhët e syrit… Në pamje të jashtme shëmbëllejnë me qengja pirës e lëpirës, por sapo privatizojnë kolltuqet mbyllin sytë, celularët e formularët. Njerëzit e thjeshtë e të ndershëm mbeten si jetimë pa zot. Dalëngadalë fasadat propagandistike kthehen në shurdhëri e shëmtirë, në zhgënjim e këllirë përballë elektoratit të rrudhosur e të inatosur. Edhe shifrat taze për ato mbi 30 mijë ankesa vetëm në selinë kryeministrore ose për 300 zyrtarë të shkarkuar (zero informacion për ata që i “përzgjodhën”, ngarkuan-dhuruan nëpër bedenat e kala-piramidës shtetërore!), janë një lloj fasade e vjetruar, që shoku Zylo mbase do bëhej nostalgjik e aspak hermetik. Se fasadistët e pjekur e të papjekur zakonisht nguten e rrëmbehen, hutohen e shullëhen në faqe reklamash xixëlluese e trumbetuese. Shkurt, janë nga ata delirantë që nuk shkundin vetëm manin në prill, por edhe arrën në korrik! Së fundi, qeverisjet e majta e të djathta nuk po na thonë ende se çfarë mrekullirash kanë bërë gjatë 3 dekadave pluraliste p.sh. për pensionistët e rrëgjuar civilë e ushtarakë; për qindra fëmijët jetimë dhe njerëzit e vetmuar e pa asnjë përkrahje; për të sëmurët e sfilitur që duken si të vdekur e të pakallur, pa ilaçe; për rininë që nuk po e ndal vrapin drejt dherave të huaj etj., etj. Dhe hajdutëria e Polit(h)ikës vazhdon. Se këta të paudhë, siç shfrynte Noli i madh, “të vjedhin kur ke, e të tallin kur zgjat dorën”! Mirëpo “shtresat e paprivilegjuara” i thërrasin kallinj pa bukë, kokëboshë ose arra fyçkë. Por Drejtësia u bie në gjunjë?! Harrojnë se një ditë do të kthehen më këmbë e nuk do rrinë tërë jetën në majë të kalit. Pa reklama e piskama të llojit “Kemi qëlluar në shenjë korrupsionin”. Të mençurit e moçëm në nahijen time e kanë dhënë herët përgjigjen: -Koburja bosh nuk tremb më shumë se dy veta! Pa harruar Esenë nr.10 të Zylos famoz për fjalët e punët pa vlerë të fasadistëve e formalistëve: |Kokrra arre pa thelb brenda…|”