Suplement Pena Shqiptare/ Poezi nga Dritëro Agolli

704
Lopa

Lopa përtypet, në grazhdin e mbushur me bar, 
Unë pështes faqen, në shpatullën e saj të madhe
Dhe ndjej nga thellësi e qenies së saj një zjarr:
Ky zjarr erdhi me barin që u mblodh në livadhe.
Me brirët e murrmë ndrit llampa elektrike
E drita bie në kusinë me qumësht.
Mua nga lopa s’më iket, 
Me faqe në shpatull ndjej qumështin me shkumë.
Mjelësja kusinë ngadalë merr
Dhe me duar me qumësht pret
Më thotë:
-Ju jini veteriner!
Unë faqen nga lopa e heq:
-Jo, poet!
Ajo buzëqesh dhe më vështron me sytë e saj të kaltër, 
të bukur e të urtë si paqe
diçka mendon, diçka sjell në hatër
Dhe e kupton se unë pa lopë nuk shkruaj dot vargje…
Kush nuk sheh veten
Dy macka qimebardha posi shkumës
Në pjatë hanin tok përshesh me qumësht.
Dy qen shikonin vëngër të mërzitur
Dhe kuvendonin, veshët duke ngritur:
-Këto nuk kanë fare edukatë, 
Se futin hundët bashkë në një pjatë!—
Pas pak ju ra një kockë mu në këmbë, 
U shqyen qentë, vap e vap me dhëmbë.
U bë potere, zhurmë e shamatë
Dhe macet thanë:“Ama edukatë! “
Sigal