Viron Bezhani: Letër e hapur zyrtarve të lartë për situatën në Komitetin Olimpik Kombëtar të Shqipërisë

393

Viron Bezhani, President KOKSH

Drejtuar

                   Kryeministrit të RSH SH.T.Z. Edi Rama.

Kryetarit të Kuvendit të RSH Z. Gramoz Ruçi.

Ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini.

Zv. Ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe Rinisë Z. Kostandin Shkurti.

Tiranë më 14.01.2020

 Letër e hapur lidhur me situatën në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar.

 I Nderuar Z. Kryeministër,

Të nderuar,

Në cilësinë e Presidentit të KOKSH ju drejtohem me një letër të hapur e cila është një adresim i situatës dhe gjithashtu një kërkesë për të pasur në konsideratën tuaj situatën aktuale në KOKSH dhe problematikat në vijim.

Aktualisht në KOKSH ka një situatë problematike dhe të paprecedentë. Kjo situatë lidhet me ligjshmërinë e këtij institucioni, zbatimin e ligjit dhe Statutit dhe akteve të tjera nënligjore nga Ish Sekretari Z. Stavro Bello dhe nga disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të KOKSH.

Në cilësinë e Presidentit të KOKSH kam kërkuar transparencë në punën e KOKSH dhe në çdo rast kam pasur si synim interesin më të lartë të sportit dhe sportistëve dhe përfaqësimit të vendit tim në aktivitete sportive në mënyrën më të mirë dhe dinjitoze.

Në përpjekjet e mia për transparencë, zbatim të ligjit dhe ndjekjen e parimeve olimpike të fair play, kam hasur në një situatë tërësisht anormale nga Ish Sekretari Z. Stavro Bello, i cili ka uzurpuar institucionin, vulën dhe financat e KOKSH duke tentuar të mbulojë abuzimet e tij financiare të mëparshme. Konstatohet lehtësisht se ish-Sekretari i KOKSH Z. Stavro Bello ka kryer abuzime me detyrën dhe abuzime financiare, ka kryer sjellje tërësisht të papërshtatshme dhe që nuk ka asnjë lidhje me lëvizjen olimpike. Lidhur me këto abuzime i jam drejtuar Prokurorisë e cila ka regjistruar çështjen dhe është duke kryer hetime.

Ndërkohë, situata vijon e nderë pasi Ish Sekretari i Përgjithshëm Z. Stavro Bello ka uzurpuar zyrat, vulën e institucionit, kodet e e-maileve të komunikimit zyrtar të KOKSH, dhe të gjithë dokumentacionin zyrtar të KOKSH. Në këto kushte unë si President kam marrë masat përkatëse lidhur me kallëzimet penale për këto veprime dhe gjithashtu shkarkimin e ish-Sekretarit Z. Stavro Bello nga detyra, vendim i marrë nga Komiteti Ekzekutiv i KOKSH.

Në situatën ku ndodhemi kërkoj t’ju rendis disa nga shkeljet e konstatuara në punën e Ish-Sekretari të Përgjithshëm Z. Stavro Bello gjatë detyrës së tij. Këto shkelje janë konstatuar nga audituesi i jashtëm i KOKSH dhe, theksoj se ky auditim është kryer vetëm mbi dokumentacionin që vetë Z. Stavro Bello i ka depozituar audituesit, ndërkohë që theksoj se shumë dokumente janë fshehur për të mbuluar dhe manipuluar shkeljet e shumta nga ky individ. Dua të sqaroj se në këtë rast këto veprime të Ish-Sekretarit të Përgjithshëm Z. Stavro Bello janë mbështetur nga punonjësit e administratës, Zv. Presidentit Vojo Malo dhe Thesaristit z. Genc Boga.

Po ju sqaroj disa nga shkeljet e konstatuara nga auditi:

  1. Rivlerësimi i mjeteve monetare nuk është bërë në kohën e duhur duke sjellë  efekte financiare dhe duke përbërë si shkelje në vetvete ashtu edhe dëmtim të KOKSH.
  2. Protokolli, mbajtja e protokollit është kryer në shkelje ët nenit 56 të Rregullores së KOKSH.
  3. Procedurat e transfertave të  kryera nga llogarite e KOKSH janë kryer në shkelje të Statutit dhe Rregullores. Qartësisht këto transferta duhet të kryhen të autorizuara nga Presidenti, ndërkohë që janë kryer pa autorizim nga Sekretari Z. Stavro Bello. Ndërkohë që sipas nenit 27 të Statutit të KOKSH Sekretari ka të drejtë të ekzekutojë pagesa apo të kryejë veprime financiare vetëm me qëllime administrative. Në këtë rast Ish-Sekretari Z. Stavro Bello ka kryer të gjithë transferimet, pa urdhra dhe autorizime përkatëse, pa dokumentacion justifikues dhe pa ndjekur dhe zbatuar asnjë procedurë financiare dhe ligjore.
  4. Shpenzimet për Bursat e Sportistëve dhe Dietat. Këto shpenzime janë kryer pa një vendim apo autorizim nga Komiteti Ekzekutiv, këto pagesa janë kryer në shkelje të ligjit Shqiptar, nuk janë siguruar nga përfituesi dhe nuk kanë dokumentacion shoqërues justifikues, duke pas sjellë një situatë abuzimi dhe shpërdorimi të detyrës nga ana e Ish Sekretarit të Përgjithshëm Z. Stavro Bello.
  5. Shpenzimet për pagat e personelit. Ish-sekretari i përgjithshëm Z. Stavro Bello ka rritur pagat e punonjësve pa një vendim të Komitetit Ekzekutiv. Konkretisht në këtë rast pagat janë rritur në masën 35% ndërkohë që për rritje pagash ka vetëm një vendim të Komitetit Ekzekutiv në masën 10%. Ky fakt tregon qartë abuzimin dhe shpërdorimin e detyrës nga ana e Ish-Sekretarit të Përgjithshëm të KOKSH Z. Stavro Bello.
  6. Shpenzimet për telefona. Qartësisht Ish-Sekretari i Përgjithshëm ka abuzuar duke kryer pagesa tërësisht të paautorizuara dhe duke e ngarkuar KOKSH me shpenzime të cilat e tejkalojnë çdo normë logjike dhe ligjore.
  7. Gjatë vitit 2019 si President i KOKSH kam kërkuar nga Ish-Sekretari dhe nga administrata të dhëna për veprimtarinë financiare të KOKSH. Edhe pse kam paraqitur kërkesa zyrtare në mënyrë të përsëritur, sërish Ish-Sekretari dhe administrata nuk kanë dhënë asnjë informacion, edhe pse e kishin detyrim. Kjo fshehje të dhënash dhe dokumentacioni financiar, ndërkohë që transparenca është detyrim primar si ndaj publikut ashtu edhe ndaj sportistëve, tregon qartë se në këtë rast Ish Sekretari kërkon të fshehë shkeljet financiare dhe abuzimet.
  8. Përdorimi i kartës së debitit nga persona të pa autorizuar që nuk kanë firmë të depozituar në bankë. Sqaroj se ish-Sekretari i Përgjithshëm Z. Stavro Bello ka tërhequr nga Banka ku operon KOKSH një kartë debiti të lidhur me llogaritë bankare ët KOKSH. Kjo kartë bankare rezulton të jetë përdorur nga shumë individë të paautorizuar për pagesa dhe shpenzime të pa autorizuara. Kjo mënyrë menaxhimi tregon shkeljet e rënda të kryera nga Ish-Sekretari Z. Stavro Bello dhe administrata e tij.
  9. Lëvizjet bankare gjatë kësaj periudhe tregojnë se ka veprime të parregullta, të pa autorizuara dhe që nuk shoqërohen me dokumentacion justifikues për shpenzime. Këto veprime tregojnë qartë se Ish-Sekretari e ka konsideruar KOKSH si një vend përfitimi dhe si institucioni më i lartë sportiv.
  10. Nga auditi rezulton se shpenzimet për aktivitete sportive nuk mund të auditohen, pasi nuk ka asnjë dokument. Si është e mundur që Ish-Sekretari ka kryer pagesa dhe shpenzime dhe nuk disponon asnjë dokument!? Situata është shumë e rëndë dhe tregon abuzime të mëdha.
  11. Ish-Sekretari i Përgjithshëm Z. Stavro Bello ka kryer pagesa dhe shpenzime për pritje-përcjellje duke abuzuar në shumë raste. Të gjithë këto pagesa janë kryer në mënyrë të paautorizuar dhe jashtë çdo kushti ligjor lidhur me justifikimin dhe pasqyrimin korrekt financiar.
  12. Gjatë gjithë veprimtarisë së KOKSH të gjitha shpenzimet e kryera nga Ish-Sekretari i Përgjithshëm Z. Stavro Bello janë kryer nga procedurë konkurrimi apo tenderimi. Në këtë rast çdo shpenzim është urdhëruar vetëm nga ish Sekretari dhe nuk ka pasur asnjë procedurë qoftë edhe minimale. Theksoj se këto veprime nuk janë verifikuar dhe as monitoruar as nga Thesaristi duke bashkëpunuar me ish-Sekretarin për mbulimin e këtyre shkeljeve.
  13. Në shumë raste Ish-Sekretari i KOKSH Z. Stavro Bello ka kryer pagesa për Federata Sportive vetëm me firmën e tij dhe pa një vendimmarrje të organeve përkatëse të KOKSH.

Këto shkelje të përshkruara shumë shkurtimisht janë vetëm disa nga gjetjet e auditit dhe këto gjetje vetëm mbi dokumentacionin që vetë Z. Stavro Bello i ka vënë në dispozicion audituesit. Theksoj, se në këtë rast shkeljet janë shumë herë më të mëdha dhe abuzimet janë ekstreme.

Theksoj, se vetëm fakti që Ish-Sekretari ka pasur një pagë mujore 121.000  Lekë dhe ndërkohë që ka punuar vetëm gjysmën e vitit, pasi gjysmën tjetër ka qenë jashtë shtetit edhe për punë që s’kanë lidhje me KOKSH, tregon se në këtë rast edhe vetë pagesa e Sekretarit ka qenë abuzive. Ndërkohë që sqaroj se së bashku me bonuse, shpërblime etj. , zëra të çuditshëm pagesash, Ish-Sekretari i Përgjithshëm ka përfituar rreth 168.971  Lekë pagë mujore. Ky fakt tregon abuzimet dhe shkeljet e kryera. Ndërkohë që theksojmë se pagesat e KOKSH për sportin dhe sportistët kanë qenë më pak se 1/4 e totalit të fondeve të KOKSH. Pra, nga veprimet financiare të Ish-Sekretari të Përgjithshëm rezulton se kanë përfituar vetëm persona jo sportistë dhe përfitimi real për sportistët ka qenë minimal, ndërkohë që duhet të jetë e kundërta.

Gjatë veprimtarisë së tij Ish-Sekretari i Përgjithshëm ka abuzuar edhe me bursat olimpike, duke i ulur ato si rrjedhim i mbajtjes për efekte taksash dhe ndërkohë këta taksa nuk janë derdhur në tatime. Në disa raste nuk janë aplikuar taksa fare duke vërtetuar edhe më rëndë shkeljet në rast e të bursave olimpike.

Për të gjitha këto, unë kam depozituar në Prokurori një kallëzim që është duke u hetuar. Përtej këtij veprimi, në përputhje me Statutin e KOKSH, në cilësinë e Presidentit unë kam thirrur në mënyrë të vazhdueshme për analizë të situatës Komitetin Ekzekutiv. Anëtarët mbështetës të z. Bello kanë refuzuar të marrin pjesë në këto mbledhje të thirrura, duke sjellë si pasojë vetë përjashtimin e tyre në bazë të Nenit 18 pika 7 të Statutit. Në këto rrethana pas vetë përjashtimit të tyre, anëtaret e mbetur të Komitetit Ekzekutiv kanë zgjedhur anëtaret e rinj të Komitetit Ekzekutiv në bazë të nenit 18 pika 7 të Statutit kanë shkarkuar z. Bello nga funksioni i tij i Sekretarit.

Pavarësisht nga sa më lart, z. Bello vazhdon të uzurpojë selinë e KOKSH, vulën dhe dokumentacionin sot e kësaj dite, duke penguar veprimtarinë normale dhe institucionale të KOKSH. E kuptoj shumë mirë që në këtë situatë të vështirë që po kalon vendi dhe krahasuar me morinë e problemeve që ju keni, çfarë ndodh në KOKSH mund të mos jetë prioritare. Por duke ditur vëmendjen tuaj të veçantë për sportin, si dhe ndjeshmërinë ndaj çrrënjosjes së korrupsionit, shpresoj të gjej mbështetjen tuaj për një transparencë të plotë të veprimtarisë së KOKSH dhe kthimit të këtij institucioni në një shembull ligjshmërie dhe përgjegjësie në shërbim të zhvillimit të lëvizjes olimpike në Shqipëri.

Me konsideratë,

Viron Bezhani

President