Flamurtari shkarkon Hulian Rubion

608
Sigal

 Tekniku spanjoll mbushi 100 ditë në Vlorë, por aventura e tij ishte tërësisht e dështuar

Hulian Rubio nuk do të jetë më trajneri i Flamurtarit. Drejtuesit e kuqezinjve nuk ia falën spanjollit humbjen me Bylisin në Kupën e Shqipërisë, por dhe rezultatet përgjithësisht të dobëta në kampionat. Në rreth 100 ditë qëndrim në krye të bankinës vlonjate, Rubio i drejtoi kuqezinjtë në 17 takime, 12 në kampionat dhe 5 në Kupë, duke regjistruar 8 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje, një ecuri që është konsideruar negative nga drejtuesit e skuadrës. Dhe në fakt, ndodhi ajo që të gjithë e mendonin, nisur dhe nga protestat në kor të tifozëve kuqezinj, të cilët kërkuan me forcë shkarkimin e trajnerit të katërt të huaj në krye të Flamurtarit, pas rumunit Bolonesku, bullgarit Arabov dhe kroatit Kovaçeviç. Pa u mbushur 24 orë pas disfatës në ndeshjen e parë të Grupit B të Kupës së Shqipërisë ndaj Bylisit, Hulian Rubio nuk është më trajner i Flamurtarit. Goli i Klodian Arbrit, shënuar që në minutën e 8-të të sfidës së të dielës, jo vetëm nuk është rikuperuar dot nga kuqezinjtë, që kanë shpërdoruar pa fund para portierit Haxho të miqve, por ka shërbyer si shkak për shkarkimin e teknikut nga drejtimi i vlonjatëve. Mallakastriotët janë “macja e zezë” e trajnerëve të Flamurtarit, pasi 3 muaj më parë rezultati me këtë kundërshtar i kushtoi bankinën edhe Shkëlqim Muçës. Nën drejtimin e teknikut kryeqytetas vlonjatët barazuan 1-1 në transfertën që u luajt në fushën asnjanëse të Beratit, ndërsa presidenti Gjika nuk e përtypi dot atë rezultat që u konsiderua negativ dhe largoi Muçën. Po të dielën, Bylisi, me fitoren 1-0 për Kupë në Vlorë, detyroi drejtuesit e klubit vlonjate të shkarkojnë dhe Hulian Rubion. Pas takimit me mallkastriotët, spanjolli tha se ai nuk dorëzohet kurrë, por dje u detyrua të pranojë vendimin e klubit, që ka vendosur të mbyllë këtu bashkëpunimin me trajnerin. Shefi i klubit, Geri Çipi, konfirmoi se Rubio nuk është më trajner i Flamurtarit, me motivacionin: “dështim në arritjen e objektivave”. Drejtuesit e kuqezinjve kësisoj nuk e kanë përtypur dot më tej zhgënjimin e skuadrës, duke e shkarkuar tërë zemërimin e tyre tek trajneri, i cili u mor me shumë bujë për të realizuar objektivat madhorë sezonalë, që  kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, kishte vënë në këtë 100-vjetor të Pavarësisë për të rikthyer titullin në qytetin bregdetar. Rubio largohet pa asnjë falënderim, vetëm me një deklaratë për shtyp, ku theksohej se nuk u arritën objektivat e përcaktuara nga trajneri. Drejtuesit e klubit do të zhvillojë një analizë, ku nuk përjashtohen masat edhe ndaj disa lojtarëve, madje priten largime nga skuadra. Në fakt, fati i spanjollit duket se u paralajmërua që në dhomat e zhveshjes së lojtarëve, pas ndeshjes me Bylisin, ku krerët e klubit vlonjat kanë debatuar hapur dhe shprehur krisjen e tyre me Rubion. Vetë kryebashkiaku Gjika nuk ka ngurruar të kritikojë ashpër lojën e skuadrës dhe trajnerin. Veç tij, shefi i klubit, Geri Çipi, ka shkëmbyer disa fjalë me trajnerin Rubio në hyrje të dhomave, të cilat të linin të kuptoje për acarimin që ekzistonte mes drejtuesve dhe stafit teknik. Më pas drejtuesit kanë hyrë në dhomat e zhveshjes, ku biseda ka vijuar me tone të larta. Mësohet se edhe trajneri spanjoll ka reaguar ashpër, duke ngritur disa herë zërin ndaj fjalëve të Gjikës dhe, ecuria e ekipit gjatë gjysmës së parë të sezonit, por edhe debatet e brendshme, sollën përfundimin e aventurës së Rubios në Vlorë. Për momentin Flamurtari është pa trajner dhe ditët e ardhshme do të vendoset për emrin e timonierit të ri tek kuqezinjtë, ndonëse përflitet për një rikthim të Gugash Maganit. Aventura e Rubios tek Flamurtari filloi më 31 gusht në sfidën Flamurtari-Laçi, të përfunduar me rezultatin 0-1. Për më tepër Flamurtari nën drejtimin e Rubios është kritikuar edhe për nivelin e dobët të lojës së treguar. Ndryshe nga aventura tek Tirana, në Vlorë, Rubio nuk pati mbështetjen e lojtarëve të cilët larg kamerave kanë shprehur pakënaqësi ndaj spanjollit. Çështja “Zeqiri” përpara ndeshjes me Apoloninë është një shembull i mirë që 60-vjeçari nuk kishte mbështetjen e plotë nga grupi i lojtarëve. Që pas kalimit në Vlorë, Rubio ka qenë gjithnjë i sulmuar edhe nga mediat sportive, pasi është konsideruar trajneri më i paguar në Shqipëri, në drejtimin e skuadrës më të paguar. Në fakt, tekniku spanjoll mori drejtimin e një skuadre që nuk e ndërtoi vetë (fazën përgatirore e drejtoi Shkëlqim Muça), ndërkohë që shkarkimi i tij kishte motiv teknik, për shkak të rezultateve trë të dobëta. Në këtë aventurë të shkurtër Hulian Rubio la gjurmë në Vlorë vetëm për rrogën 13 mijë euro në muaj që përfitonte, duke qenë njëherësh edhe trajneri më i paguar në futbollin e varfër shqiptar, por rezultatet nuk e justifikuan investimin te tekniku i vetëm spanjoll që ka drejtuar ndonjëherë në Shqipëri. Tashmë, i vetmi trajneri i huaj në kampionatin tonë është kosovari me pasaportë turke, Naxhi Shensoi i Bylisit, pikërisht njeriu që provokoi shkarkimin e Hulian Rubios.

 3 trofe me Tiranën

 Hulian Rubio fitoi sezonin e kaluar tre trofe si trajneri i Tiranës: dy Superkupa dhe një Kupë të Shqipërisë, që të tria në finalet kundër Skënderbeut, që vinte me statusin e kampionit në fuqi.

 13 mijë euro në muaj

 Tre trofetë e fituar me kryeqytetasit nxitën interesin e drejtuesve të Flamurtarit, të cilët i ofruan kontratë 1-vjeçare me një pagesë mujore prej 13 mijë eurosh, por Rubio dështoi në Vlorë.

 Shqipëria e futbollit, si OKB-ja

 Duke parë kombësinë e 27 trajnerëve, janë 14 të tilla, ku mbizotërojnë ata kroatë (6) dhe çuditërisht ata.. argjentinas (4). Kështu tek Dinamo kanë drejtuar krotatët:

Luka Bonaçiç, Ivan Kataliniç, Slavko Kovaçiç dhe Zlatko Daliç; tek Tirana kaën qenë Ilija Lonçareviç dhe Misho Kristeçeviç. Argjentinasit kanë punuar në dy skuadra: 3 te Dinamo (Pedro Pablo Paskuli, Ramon Cabrero dhe Luis Manuel Blanko) dhe 1 te Lushnja (Mario Kempes). Italianët janë tre: Ticiano Gori (Erzeni, Partizani), Leonardo Menikini (Tirana) dhe në sezonin aktual, Mauro De Vekis (Kamza). Dy boshnjakët janë sistemuar te Tirana: Enver Haxhiabdiç dhe Bllazho Sllavkoviç, dy rumunët janë shpërndarë: Aurel Cikleanu (Dinamo, Lushnja) dhe Silviu Dumitresku (Apolonia, Besa). Mali i Zi prezantohet me

Dervish Haxhiosmanoviçin (Vllaznia, Erzeni) dhe Mojash Radonjiçin (Vllaznia). Tete shtete të tjera kanë nga një përfaqësues: Hungaria me Miklos Temeshvarin (Tirana); Bullgaria me Nikolai Arabovin (Partizani, Flamurtari, Naftëtari); Gjermania me Ulrih Shulsen (Vllaznia), Serbia me Esad Karishikun (Apolonia, Elbasani); Maqedonia me Nikola Ilievskin (Bylis); Spanja me

Hulian Rubion (Tirana, Flamurtari); Kosovë/Turqi me Naxhi Shensoin (Bylis) dhe Çekia me Stanislav Levin (Skënderbeu).

 TRAJNERËT E HUAJ NË SHQIPËRI

1. Mario Kempes, Argjentinë (Lushnja)

2. Miklos Temeshvari, Hungari (Tirana)

3. Nikolai Arabov, Bullgari (Partizani, Flamurtari, Naftëtari)

4. Dervish Haxhiosmanoviç, Mali i Zi (Vllaznia, Erzeni)

5. Ticiano Gori, Itali (Erzeni, Partizani)

6. Enver Haxhiabdiç, Bosnjë (Tirana)

7. Aurel Cikleanu, Rumani (Dinamo, Lushnja)

8. Pedro Pablo Pasculi, Argjentinë (Dinamo)

9. Ramon Cabrero, Argjentinë (Dinamo)

10.Luka Bonaçiç, Kroaci (Dinamo)

11.Ivan Kataliniç, Kroaci (Dinamo)

12.Leonardo Menikini, Itali (Tirana)

13.Ulrih Shulse, Gjermani (Vllaznia)

14.Silviu Dumitresku (Apolonia, Besa)

15.Slavko Kovaçiç, Kroaci (Flamurtari)

16.Zlatko Daliç, Kroaci (Dinamo)

17.Bllazho Sllavkoviç, Bosnjë (Tirana)

18.Esad Karishik (Apolonia, Elbasani)

19.Ilija Lonçareviç, Kroaci (Tirana)

20.Mojash Radonjiç, Mali i Zi (Vllaznia)

21.Luis Manuel Blanko, Argjentinw (Dinamo)

22.Nikola Ilievski, Maqedoni (Bylis)

23.Misho Kristeçeviç, Kroaci (Tirana)

24.Hulian Rubio, Spanjë (Tirana, Flamurtari)

25.Naxhi Shensoi, Kosovë-Turqi (Bylis)

26.Stanislav Levi, Çeki (Skënderbeu)

27.Mauro De Vekis, Itali (Kamza)

 Kampioni Kempes

Kampioni i Botës, argjentinasi Mario Kempes, është edhe trajneri i parë i huaj i futbollit modern shqiptar. Kempes, i kontratuar dhe i paguar nga firma rentiere “Xhaferri”, u punësua nga Lushnja në gusht të viti 2006 dhe u largua vetëm pas pak muajsh, më saktësisht më 4 nëntor 2006.

 “Diktatori” Bonaçiç

Qysh prej kohës së largët, kur në Shqipërinë e viteve ’30 drejtoi një hungarez me emrin Samo Singer, kroati Luka Bonaçiç do të mbetet në historinë e futbollit shqiptar si “diktatori” i rrëzuar brenda një jave, kur Dinamo barazoi me Lushnjën 2-2 në sezonin 2005-2006.

 Rekordi “Kabrero”

Ramon Kabrero një emër i madh i trajningut në atdheun e Maradonës, kampion në Argjentinë me Lanus, u përzgjodh nga presidenti Sulaj pas eksperiencave të dështuara me argjentinasin tjetër Paskuli. Kabrero drejtoi Dinamon 15 ditë, në dy ndeshje në Kupën Intertoto.

  Gjika: Ja pse u largova si President i Flamurtarit

 Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, bëri publike për mediat edhe arsyet që e çuan atë të jepte dorëheqjen e pareveokueshme nga klubi të cilin ai e kishte drejtuar prej disa vitesh në rolin e presidentit, por pa mundur t’i japë titullin kampion, ndërkohë që fitoi Kupën e Shqipërisë në sezonin 2008-2009. “U largova nga posti i presidentit, pasi e pashë që po më neveritej futbolli, duke parë shumë njëanshmëri, sidomos ndaj Skënderbeut. Gjyqtarët na dënojnë gjithnjë dhe janë gjithmonë pro Skënderbeut. E kjo nuk durohet, shpenzo para thotë FSHF, sepse kampionati dhe Kupa do t’i kalojë Skënderbeut. Federta e Futbollit është gjithnjë kundër ekipit të Flamurtarit dhe nuk kam përse të qëndroj më në krye të kësaj skuadre. Tashmë e kam vendosur; do të shkoj 1 orë në stadium për të parë ndeshjen si tifoz dhe jo më si president. Por a e dini që kur e ndjek ndeshjen si tifoz është një pozicion tepër komod? Është vërtet tepër komod, pasi nuk ke gjë në dorë dhe ndeshja sa vjen e bëhet akoma më e bukur, por nuk mungojnë edhe emocionet e shumta kur e shikon dhe e shijon ndeshjen si tifoz, jua them sinqerisht”.

Për sa i përket të ardhmes së klubit vlonjate, Gjika thotë: “Flamurtarin do ta marrë një person i cili ka dëshirë të shpenzojë para për futbollin dhe është i apasionuar për sportin. Gjithnjë nëse ai plotëson një kusht, që duhet të vijë në zyrën time dhe të më thotë sesa para të detyrohem, pasi unë në radhë të parë kam shpenzuar një shumë marramendëse për ekipin e futbollit Flamurtari. Nga krahu tjetër nuk të vjen mirë kur dëgjon edhe fjalët e njerëzve, të cilët thonë që Gjika i ka lekët e Bashkisë ato që derdh për sportin. Ju bëj me dije ta marrin vesh të gjithë, se të gjitha ato para kanë dalë nga xhepi im. Tani që unë e lashë këtë skuadër do ta shoh kur ta marrë dikush dhe do ta shikojnë të gjithë ata që mendojnë se unë i kam me lekët e Bashkisë se ku do të katandiset Flamurtari”, – tha Gjika në prononcimin e tij. Kryebashkiaku i Vlorës njihet për dashurinë e tij të madhe për futbollin dhe për Flamurtarin, ndërkohë që skuadra vlonjate mori pjesë në vitet e fundit edhe në Ligën e Europës, ndërsa për t’u shënuar është dhe një ndeshje miqësore me gjigantët spanjollë të Seviljes.

 Drama e trajnerëve, 25 teknikë për 14 skuadra në 13 javë

 Hulian Rubio është trajneri i fundit i shkarkuar nga Kategoria Superiore, që gjatë 13 javëve të para (faza e parë) ka parë dhjetë bankina të ndryshuara apo të rindryshuara, ku vetëm në javën e parë dhanë dorëheqjen, u shkarkuan apo refuzuan kontratën tre trajnerë: Hulian Rubio (refuzim kontrate me Tiranën); Përparim Daiu (i dorëhequr nga Laçi) dhe Shkëlqim Muça ( i shkarkuar nga Flamurtari). Në javën e dytë u shkarkua trajneri i Teutës, Hasan Lika. Odiseja e shkarkimeve dhe largimeve vazhdoi me pas me Stavri Nicën, që u vetëlargua në mënyrë enigmatike nga drejtim i Laçit. Java e 8-të mund të konsiderohet edhë si kryejava e largimeve: tre të tillë, Artan Mërgjyshi nga Kastrioti, për të vazhduar me Nevil Deden nga Luftëtari, Artur Lekbello nga Tirana, dhe i fundit në radhë është Ernest Gjoka nga Apolonia. Odiseja vazhdon me Tomorin, kur vetëlargohet Kristaq Mile në javën e 9-të, dhe një javë më pas dha dorëheqjen edhe Gugash Magani i Shkumbinit. Pas javës së 11-të ishte radha e Agim Canajt. Pas përfundimit të fazës së parë, Hulian Rubio u shkarkua nga Flamurtari (pas humbjes 1-0 me Bylisin në çerekefinalet e Kupës së Shqipërisë). Gjithsesi në këto 11 javë janë 20 trajnerë në 10 skuadra që kanë ndryshuar. Vetëm 4 skuadra nuk i kanë ndryshuar trajnerët: Skënderbeu, Vllaznia, Kukësi dhe Besa. Gjithsej janë 25 trajnerë në 14 skuadra, duke llogaritur këtu dhe teknikun që do të ulet në bankinën e Flamurtarit.

KATEGORIA SUPERIORE

SEZONI 2012-2013

LEVIZJET NË BANKINA

1. TIRANA

Hulian Rubio (java 1); Alban Tafaj (javët 2-3); Artur Lekbello (javët 4-8), Alban Tafaj (nga java 9);

2. LAÇI

Përparim Daiu (java 1); Stavri Nica (javët 2-5), Ylber Zani (javët 6-7), Ramadan Shehu (javët 8-13), Stavri Nica (nga java 14)

3. FLAMURTARI

Shkëlqim Muça (java 1); Hulian Rubio (javët 2-13)

4. TEUTA

Hasan Lika (javët 1-2); Gentian Begeja (nga java 3)

5. KASTRIOTI

Artan Mërgjyshi (javët 1-5), Shaban Dollaku (nga java 6)

6. LUFTËTARI

Nevil Dede (javët 1-8), Edi Martini (nga java 9)

7. APOLONIA

Ernest Gjoka (javët 1-8), Elidon Demiri (nga java 10)

8. TOMORI

Kristaq Mile (javët 1-9), Madrid Muzhai (nga java 10)

9. SHKUMBINI

Gugash Magani (javët 1-10), Kristaq Mile (nga java 11)

10. BYLIS

Agim Canaj (javët 1-11), Naxhi Shensoj (nga java 12).

BANKINAT E PANDRYSHUARA

 

1. VLLAZNIA

Shpëtim Duro

2. SKËNDERBEU

Mirel Josa

3. KUKËSI

Armando Cungu

4. BESA

Ilir Daja

Por, priten penalitete financiare për futbollistët që kanë zhgënjyer në fazën e parë

 Vllaznia konfirmon Shpëtim Duron

 Shpëtim Duro do të vazhdojë jetë trajneri i Vllaznisë deri në fund të këtij sezoni, pavarësisht rezultateve jo të mira të shkodranëve: të eliminuar nga Kupa e Shqipërisë (nga Shkumbini, në turin e dytë) dhe vendi i 8-të në përfundim të fazës së parë.

Tri orë mbledhje nuk i kanë mjaftuar drejtuesve të Vllaznisë për të marrë asnjë vendim përfundimtar në analizën e djeshme. Ata do mblidhen sërish të premten, por gjithsesi duket se vendimi i parë është marrë; trajneri Shpëtim Duro mund të vazhdojë të qëndrojë në punë. Në fakt, Vllaznia ka vuajtur shumë sezonin e fundit me ndërrimet e trajnerëve, kur ajo pati katër të tillë: Mirel Josën, Elvis Plorin, Rudi Vatën dhe Armir Grimën, ndërkohë që rezultatet nuk ishin ato të pritshmet. Ndoshta, për të mos e përsëritur atë “rotacion” trajnerësh, klubi vendosi të konfirmojë Shpëtim Duron. Ish-trajneri i Partizanit dhe i Skënderbeut, pas disa ditësh i është kërkuar të paraqesë një raport tjetër mbi lojtarët që mendon të largojë dhe ato që mund të ofrohen, njëkohësisht edhe kostot financiare të tyre. E gjitha kjo ka ndodhur mesditën e djeshme në analizën e zhvilluar. Sipas shkodrasport.com pak minuta para se ora të shkonte 13.00, pranë Bashkisë Shkodër është parë të mbërrijnë anëtarët e Bordit Mbikëqyrës Troshani, Idrizi e Hadri, më pas ka mbërritur edhe administrator Gjyrezi i shoqëruar nga ekonomisti i klubit Fani, ndërkohë që trajneri Duro është parë të vijë i shoqëruar nga drejtori sportiv Grima. Kryebashkiaku Lorenc Luka ka qenë në zyrë në ato momente. Të gjithë janë ngjitur në katin e dytë të këtij institucioni dhe janë mbledhur në një nga zyrat e tij. Disi më vonë aty ka mbërritur edhe Xhemal Bushati, kryetari i komisionit të sportit në Këshillin Bashkiak. Të paktën nga sa është dëgjuar që në ambientet e korridorit, analiza shpeshherë është zhvilluar me tone të larta, megjithatë në fund nuk ka patur asnjë vendim përfundimtar, ndonëse Shpëtim Duro do të vazhdojë punën e tij në krye të skuadrës. Sipas informacionit zyrtar që ka dalë nga zyrat e klubit, drejtuesit teknik të skuadrës, drejtori Grima dhe trajneri Duro, kanë bërë një analizë të të gjithë futbollistëve të afruar në merkaton e verës. Grima dhe Duro kanë shprehur mjaft rezerva për disa futbollistë, e ardhmja e të cilëve tek Vllaznia është në analizë tashmë. Unanimisht është rënë dakord që për disa futbollistë, emrat e të cilëve do të bëhen publik në ditët në vijim, të ketë penalitete financiare, bazuar në kontratat individuale të secilit. Gjatë rreth 3 orëve mbledhje është zhvilluar një analizë e hollësishme e situatës dhe e rrugëve për daljen nga kjo gjendje. Në mbyllje, është lënë detyrë që drejtuesit teknik të ekipit të paraqesin në një mbledhje të afërt, e cila do të zhvillohet brenda kësaj jave, një material të hollësishëm për strategjinë e përmirësimit të situatës aktuale tek ekipi i Vllaznisë. Vllaznia është në përfundim të fazës së parë katër pikë larg vendit të katërt që, të çon në Europë, dhe arritja e një objektivit të tillë është teknikisht plotësisht i arritshëm.

RENDITJA

1    Skënderbeu      13   +19  33

2    Teuta           13   +3   23

3    Tirana          13   +5   22

4    Bylis           13   +6   21

5    Kukësi          13   +5   21

6    Laçi            13   +1   21

7    Flamurtari      13   +5   19

8    Vllaznia        13   +1   17

9    Besa            13   -2   16

10   Kastrioti       13   -7   15

11   Shkumbini       13   -7   12

12   Luftëtari       13   -6   11

13   Apolonia        13   -11  8

14   Tomori          13   -12  6