Viron Bezhani/Drejtuesit e paaftë të sportit që pengojnë zhvillimin e tij

590
Sigal

Punonjësit në ikje të Ministrisë së Sportit çdo gjë mund të jenë, por jo zyrtarë

Dera e sportit pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka qenë gjithnjë e mbyllur vitet e fundit, një derë që për fat të keq nuk u hap për sportin dhe ata që e praktikojnë atë as tani, në orët e fundit të qëndrimit të detyrë të atyre drejtuesve të paaftë të sportit. Ata, jo vetëm që nuk ditën e ndihmojnë e zhvillojnë sportin, por e penguan atë e çuan në krizë, aq sa edhe në ditët e fundit të qëndrimit në ato karrige po veprojnë në kundërshtim me ligjin. Në vend që të bëjnë të paktën diçka të mirë për sportin, për ta mbyllur me nder, ata po vazhdojnë ta shkatërrojnë atë, duke u marrë me emërime të kundërligjshme, ulje rrogash etj. Veprimet e tyre të fundit vijojnë të jenë të turpshme, të një drejtorie sporti që për fat të keq tallet me të, me sportin për të cilin ata përgjigjen para të gjithëve. Dhe rasti më i fundit është veprimtaria e regbisë që u zhvillua në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Organizatorët e këtij turneu fantastik kanë bërë kërkesa të njëpasnjëshme pranë MTKRS-së në 5 vitet e fundit, duke iu drejtuar punonjësve të saj të sportit për mbështetje, por nuk janë ndihmuar kurrë. Madje janë mashtruar dhe përcjellë me të mira, pa u thënë asnjë fjalë të mirë. Këta njerëz, që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë, kërkojnë të sjellin një kulturë të re sportive, kërkojnë ngritjen e një sporti të ri, duke treguar pasionin e dashurinë e tyre jo vetëm për sportin por edhe për Shqipërinë. E themi këtë pasi ata janë një grup emigrantësh, të cilët jo vetëm kërkojnë të na afrojnë edhe më shumë me diasporën, por edhe të kontribuojnë për vendin e tyre, të përfaqësojnë flamurin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Kjo tregon më së miri patriotizmin e të tyre dhe dëshirën për të garuar nën gjyrat kuqezi, flamurin kombëtar, por ata u ndien të fyer nga një tufë burokratësh që punojnë ende sot në Ministrinë e Sportit, të cilët vetëm për sport nuk mendojnë. Këta drejtues jo vetëm që mashtruan, por as nuk denjuan të vijnë në aktivitetin e veçantë të organizimit të këtij sporti në vendin tonë. Madje ata dhe shteti u bënë pengesë që kjo ndeshje të mos zhvillohej në stadiumin “Qemal Stafa”. Pa përkrahjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ky aktivitet do të dështonte dhe ky do të ishte dështim për të gjithë ne. Por ne nuk mund t’i linim të dilnin kokulur disa djem të rinj, që me dëshirë dhe pasion kërkojnë të zhvillojnë këtë sport edhe në vendin tonë dhe për këtë i falënderoj. Një sport, që ashtu si të tjerët shërben për të edukuar rininë shqiptare si dhe për të forcuar lidhjet me ata që e praktikojnë këtë disiplinë në diasporë, disa të rinj që bëjnë krenarë. Për zhvillimin e përhapjen e këtij sporti në Shqipëri më shumë se kushdo janë interesuar e përpjekur ata djem të rinj që zhvilluan një “shoë” para publikut në “Selman Stërmasi” se sa vetë shteti shqiptar e Drejtoria e Sportit që e ka për detyrë. Edhe pse shteti shqiptar nuk u interesua për asgjë për këtë aktivitet, disa njerëz vendosën të bashkëpunojnë dhe ndihmojnë në përhapjen e këtij sporti, që të gjejë dritë në një tunnel të gjatë dhe të errët të krijuar nga burokratët e sportit pranë MTKRS-së. Falë ndihmës së KOKSH-it u arrit të zhvillohej ndeshja “shoë” me 3 gusht dhe shqiptarët të shijojnë një realitet sportiv ndryshe. Po më tej? Për fat të keq, edhe pse thirrjes iu përgjigj pjesa dërrmuese e shqiptarëve që luajnë regbi në Itali, si dhe nga Shqipëria u siguruan materialet e nevojshme, ftesës për të ndihmuar nuk iu përgjigjën me praninë e tyre jo vetëm Ministri por as edhe një zyrtar i dikasterit të MTKRS-së. Kjo përfaqësuese u duk si jetime, por ju garantoj se nuk është e tillë, pasi suksesi i ndeshjes arriti deri ne dyert e Federatës Botërore të regbisë (për fat të mirë të hapura), që sërish tregoi gatishmërinë për të ndihmuar regbinë shqiptare. Deri dje ishim të vetmit në Europë që nuk e kishim këtë sport, ndërsa sot jemi krenarë për ata djem që na treguan se me dëshirë dhe pasion kalohet çdo pengesë, edhe ato burokratike të një shteti që fle në karrige. Ky sport do të përfaqësohet edhe më lart në arenën ndërkombëtare, për t’u treguar të gjithëve se në Shqipëri ka njerëz që e duan sportin.  Ndaj, këta sportistë me aktivitetin që organizuan i bëjnë apel edhe një herë qeverisë shqiptare që t’i mbështesë. “Ne shqiptarët jemi të lindur për këtë sport”, një shprehje që e thanë vetë sportistët e regbisë dhe që unë ua delegoj drejtuesve të sportit, për ta patur parasysh. Ata bëjnë një apel që shteti të kujdeset jo vetëm për sportin por të tregojnë kujdes për ata që bëjnë sport në diasporë, për t’i afruar dhe përkrahur, pasi po mbajnë lart flamurin kuqezi.

 Si lindi ideja për këtë sport në vendin tonë

 Ideja për të përhapur regbinë në Shqipëri u iniciua para 5 vitesh nga disa regbistë shqiptarë që luajnë në Itali. Takimi i parë për shqiptarët ishte  me 14 sportistë dhe pas këtij takimi, z.Gaspër Daupi (me punë e banim në Itali dhe me djalin që vijon të luajë regbi në nivele të larta në Itali) bashkë me një gazetar italian erdhën në Tiranë. Përmes një axhende të parapërgatitur u takuan me Ministrin Ferdinant Xhaferri. Delegacioni u prit edhe nga Stavri Bello në KOKSH, Armando Duka në FSHF e znj.Bekteshi në drejtorinë arsimore të Tiranës. U ra dakort që dikasteri të investojë për krijimin e kushteve për zhvillimin e regbisë në vendin tonë. Duke nisur me ngritjen e Federatës  përkatëse për të cilën u premtua ndihma e drejtorisë së sportit, si në anën ligjore ashtu dhe në mbështetje të çdo lloj iniciative tjetër. Por kjo mbështetje nga MTKRS-ja nuk erdhi kurrë realisht. Ndërkohë që një mbështetje erdhi nga Federata Botërore e Regbisë, që premtoi të përkrahë krijimin e zhvillimin e këtij sporti në vendin tonë…

   Çiklizëm, Shqipëria rrezikon Botërorin

 Problemet e brendshme në Federatën shqiptare të Çiklizmit dhe ministri i Sporteve, Visar Zhiti rrezikojnë të lënë kombëtaren shqiptare jashtë Kampionatit Botëror që do të zhvillohet në shtator në Firence të Italisë. Mosmarrëveshjet mes sekretarit të përgjithshëm Kujtim Bara dhe drejtuesve aktualë të Federatës së Çiklimit, e njohur nga ministria e Sporteve dhe nga KOKSH-i ka bërë që ata të kërkojnë zëvendësimit e sekretarit Bara.

Pavarësisht ndërhyrjes së Drejtorisë së Sporteve dhe zv/ministrit Tagani për pajtimin e palëve dhe për arritjen e një bashkëpunimi mes Federatës së çiklizmit dhe sekretarit Bara, ky i fundit nuk ka pranuar të ushtrojë detyrën si sekretar duke e bllokuar këtë post, madje është bashkuar me një grup tjetër i cili pretendon se janë ata drejtuesit e ligjshëm të kësaj Federate. Drejtuesit e Federatës, që njihen zyrtarisht edhe nga ndërkombëtarët kanë kërkuar zëvendësimin e tij madje kanë dërguar në ministri emrin e sekretarit që duhet të zëvendësojë Baren në mënyrë që ky post të mos ngelet vakant, të vazhdojë të funksionojë ashtu siç duhet në mënyrë që lista e çiklistëve shqiptare të dorëzohet para datës 17 gusht që është dhe afati i fundit i dorëzimit. Por, kërkesa e Federatës së Çiklizmit ka kaluar të gjitha etapat e saj në ministri dhe tashmë po pret vetëm për një firmë në tavolinën e ministrit Zhiti. Ministri ka kërkuar më shumë kohë për të shqyrtuar rastin e çiklizmit shqiptar dhe po tenton të bashkojë dy palët si e vetmja mënyrë që sporti shqiptar të mos ngelet peng e mosmarrëveshjeve individuale.

 Reagimi

 “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si institucioni qendror i sportit mbështet gjithpërfshirjen e të gjitha klubeve dhe shoqatave në FSHC dhe asnjë grupim tjetër, i cili është i paligjshëm dhe nuk është pjesë e këtij sistemi të përcaktuar në statut dhe në Ligjin e Sportit Shqiptar. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i bën thirrje edhe njëherë komunitetit të çiklizmit të lërë mënjanë  konfliktet e brendshme që nuk i shërbejnë punës dhe të bashkohet si një trup i vetëm për të mirën e këtij sporti duke u nisur nga motoja që sporti duhet të na bashkojë dhe jot ë na ndajë”, – thuhet në njoftimin e Drejtoria e Sporteve në MTKRS.

 Zhiti takon ekipin e Kukësit

 Dje, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti, bëri një vizitë pranë ambienteve të kompleksit sportiv të Kamzës, atje ku ekipi i Kukësit po kryen stërvitjet gjatë kësaj periudhe. Takimi u zhvillua në orën 18.00 dhe i pranishëm ishte dhe zëvendësministri i Sporteve, Salih Tagani. Kukësi është duke u përgatitur, për ndeshjen e Ligës së Europës kundër turqve të Trabzonsporit. Ndeshja e parë do të zhvillohet, më datë 22 gusht në “Qemal Stafa”.

LIGA E KAMPIONËVE PËR FEMRA

Ada, sot kundër slloveneve të ZNK Pomurje

  Ada e Velipojës do të luajë sot kundër ZNK Pomurje të Sllovenisë, ndeshjen e fundit të Ligës së Kampioneve në futbollin për femra, për grupin e 5-të. Ekipi unë nuk ka asnjë mundësi për t’u kualifikuar, pasi i ka humbur dy takimet e para: humbi 3-1 me Bobruihanka të Bjellorusisë, takim i zhvilluar në “Sportni Park Beltinci”, të Bjellorusisë. Golin e vetëm për velipojaket e shënoi Arlinda Gruda, në minutën e 76-të duke shkurtuar diferencën në 3-1. Në takimin e dytë me polaket e Unia Rasiborz, kampionia e Shqipërisë humbi thellësisht me rezultatin 7-0.

Për Adën, kjo ishte pjesëmarrja e tretë në Ligën e Kampioneve.

Në dy të parat, i humbi të gjashtë takimet duke pësuar në total 80 gola dhe shënuar vetëm 2, teksa pati humbje edhe 21-0 me qipriotet e Apolon Limasolit.