Hysaj: Islanda s’është më aq e fortë, tani kemi frymën e duhur në grup

812
Sigal

Bashkë me trajnerin Edi Reja, në konferencën e shtypit para ndeshjes me Islandën ka dalë edhe kapiteni i kuqezinjve, Elseid Hysaj. Mbrojtësi shkodran mund të ishte i rrezikuar nga ndryshimi i skemës së lojës me trajnerin e ri, por ai është një nga më të mirët në grupin që ka Shqipëria dhe kurrsesi nuk mund të sakrifikohet.

Hysaj u shpreh në konferencë se Shqipëria i ka shanset të marrë rezultat pozitiv në Rekjavik, ndërsa të ardhmen e tij e ka anashkaluar, duke u shprehur se është i përqendruar te Kombëtarja: “Besoj se jemi plotësisht gati për ndeshjen me Islandën. Kemi pasur kohën e duhur për ta përgatitur këtë ndeshje dhe kemi punuar mirë. Skema 3-5-2? Më shumë më përshtatet roli në krah, sepse e njoh më mirë se qendrën, por vendimin e merr trajner i dhe unë e respektoj atë.

Islanda është një skuadër që e njohim, ka lojtarë të fortë, të cilët aktivizohen me skuadra të mira. Kam besim se do të bëjmë diçka pozitive në fushë, sepse Islanda nuk është si në Europian, ku tregoi se ka potencial. Tani ka atë fazën e keqe, ashtu si dhe ne në periudhën e fundit. Me ardhjen e trajnerit Reja ka ndryshuar fryma në grup dhe besojmë se jemi më të fortë se më parë. E ardhmja? Kam edhe 2 vite kontratë me Napolin, tani për tani mendoj për Kombëtaren. Më pas janë pushimet”, – tha Hysaj, kapiteni i kuqezinjve, në mungesë të Mavrajt, i cili është i skualifikuar edhe për këtë ndeshje.