Urdhëroi lojtarët të trukonin ndeshjen me Barcelonën B, arrestohet trajneri i Eldenses

42
Pas dyshimeve për trukimin e ndeshjes, pikërisht në sfidën mes Barcelona B dhe Eldense e cila përfundoi me rezultatin 12-0, ka ndërhyrë policia. Nga Spanja vjen njoftimi se trajneri i skuadrës së Eldenses, italiani Filipo di Pierro, është arrestuar. 52 vjeçari akuzohet se nuk ka hedhur në fushë ekipin më të mirë dhe u ka ofruar lojtarëve shuma parash për të toleruar në këtë ndeshje, gjithçka në favor të basteve sportive.
Ndërkohë, mbrojtësi Emanuel Mendi deklaroi se zëvendëstrajneri Fran Ruiz i kishte kërkuar të merrte pjesë. “Më pyeti nëse isha dakord dhe sa para kërkoja, ndërsa nëse nuk do të bëhesha pjesë, nuk do të luaja. Fran m’i tha këto pasi trajneri nuk e flet shumë mirë spanjishten”, deklaroi mbrojtësi për “Cadena Ser”.
Çuditërisht, Ruiz pranoi gjithçka duke folur pikërisht për “Cadena Ser”, ndonëse shtoi se kishte vepruar me urdhra nga lart dhe kishte dhënë dorëheqjen pas ndeshjes.
“Në parim, urdhrat erdhën nga lart, nga trajneri. Nuk dija çfarë të bëja, isha vënë mes dy zjarresh. Nuk thashë asgjë gjatë ndeshjes në pankinë, nuk bëra asnjë zëvendësim dhe nuk nxora asnjë lojtar në nxemje. Më pas dhashë menjëherë dorëheqjen”, tha ai.
Humbja në fjalë solli vendimin e klubit për të shkrirë ekipin deri në fund të sezonit, kur kanë mbetur edhe 6 ndeshje për t’u luajtur. Pjesë e grupit të lojtarëve që kanë mbetur mes katër rrugëve është edhe ish-portieri i Kombëtares U-19, Alesio Abibi, i cili duhet theksuar se nuk ishte protagonist në ndeshjen në fjalë.