Tifozët kryqëzojnë Mavrajn

549
Sigal

Fushatë e egër fyerjesh ndaj kapitenit shqiptar të Grojther Fyrthit

Opinione pro dhe kundër: “Hiqjani shiritin! S’i meriton lekët tona!”

 “Çështja ‘Mavraj’ po zien!”. Ruven Shrëdër, drejtori sportiv i Grojther Furthit, nuk u përpoq ta fshihte aspak atë që po ndodh që prej ditës së shtunë në skuadrën gjermane, ku shiritin e kapitenit e mban Mërgim Mavraj. Mbrojtësi kosovar i Kombëtares shqiptare pati një debat të nxehtë me tifozët pas humbjes 0-3 me Hofenhajmit dhe midis palëve ka pasur replika të forta, madje këta ta fundit shpërthyen në kor kundër Mavrajt. Mavraj e pranoi publikisht për mediat gjermane, madje u bëri thirrje tifozëve te jenë të përmbajtur. “Ne jemi ngjitur së bashku në Bundesligë dhe e festuam së bashku, dhe tani duhet që vetëm ekipi ta jetë fajtor”, – reagoi Mavraj kundër këngëve tallëse dhe veprimeve të tifozëve gjatë ndeshjes. Madje edhe i këshilloi në mënyrë thirrëse: “Tifozët, shkoni piqni bukë të vogla!”. Në forume të ndryshme në internet ka nisur një luftë e hapur dhe e drejtpërdrejt kundër Mavrajt, ndërkohë që fyerjet nga njerëz pa identitet të qartë kanë arritur kulmin. Në mbrojtje të kapitenit shqiptar – i dyti në Gjermani, pas Altin Lalës te Hanoveri,  ka dalë drejtori sportiv Shrëder. “Ajo që ka bërë Mërgimi për ekipin nuk është e keqe, por çështja është te zgjedhja e fjalëve të tij”, – sqaroi Shrëder. “Si kapiten i skuadrës ai ka një farë përgjegjësie dhe natyrisht që pas një ndeshje të atillë, ai ishte shumë i ndjeshëm. Kemi marrë shumë mesazhe negative”. Në fakt, situata te Grojther Fyrthi s’mund të shkojë më keq. Kjo dhe për faktin se humbi 0-3 me rivalin e drejtpërdrejtë për të mbijetuar në Bundesligë, çka e shtoi edhe dozën e kritikave ndaj skuadrës dhe Mavrajt si kapiten i saj.

  REAGIMET NË FORUME – Reagimet e tifozëve në forume shprehin qëndrime të ndryshme dhe komente kontraverse. “S’mund ta personalizosh luftën për gjendjen e dobët të Furthit vetëm duke fyer Mavrajn, dhe të mos e kanalizosh atë edhe ndaj lojtarëve të tjerë. Kjo është më të vërtetë e dhimbshme. Gjithkush e di se, në çfarë gjendje fizike dhe psikologjike është një lojtar pas një ndeshje të atillë. Tifozët duhet ta kuptojnë, pasi dhe kapiteni kurrë s’ka dashur t’i fyejë…”, – komenton tifozi me pseudonimin “lol”. Një tifoz ka zgjedhur si pseudonim togfjalëshin: “T’i heqim shiritin e kapitenit”: “Si njeri ai u bë gjithmonë e më shumë më simpatik. Por, performanca e tij në fushë ishte në rënie të madhe. Ai u tregua pa respekt ndaj njerëzve që, atij i kanë dhënë mundësinë të fitojë më shumë dhe që jeton me lekët që ata i japin. Minimumi duhet t’i hiqet shiriti. Kapiteni duhet të jetë dikush e identifikon veten 100 për qind me klubin edhe e ka atë zemër dhe jeton për të”. ”AntiMavraj” shkruan: “Ju lutemi transferoheni qysh nesër zotin Mavraj te Mainci! Ai i ka fyer publikisht tifozët dhe këtu nuk ka nevojë për të thënë se ai është keqkuptuar”. “Odmus” vazhdon: “Ajo që zoti Mavraj tha të shtunën në një ‘bisedë’ direkt me tifozët, për çka këtë të fundit i kishin thënë tregon qartë pa asnjë dyshim, se nëse ky lojtar a duhet të mbajë sërish të veshur”. “Nuk ka nevojë që çështja e tij të mbetet brenda klubit. Hiqjani shiritin dhe çojeni në tribunë, dhe pastaj le të shkojë te Mainci”, – shkruan një tifoz me pseudonimin “Konsenkuenca të domosdoshme”. “Luggi” shkon më tej në urrejtjen kundër Mavrajt: “Ai është një arrogant pa fund. Ai nuk është më figura identifikuese e jona. Ai nuk është një profesionist. Është tepër i vogël. Unë e gjykoj atë si një kapiten fals”. “Banori” shton: “Thëniet e zoti Mavraj e ç’vlerësojnë atë si kapiteni dhe unë nuk do të doja kurrë ta shihja më me bluzën e Fyrthit”.

Armando Vajushi bëhet bullgar, Liteksi e shet për 1 milionë euro

  Armando Vajushi, sulmuesi shkodran i Liteksit të Loveçit ka pranuar të marrë pasaportën bullgare, pas propozimit të klubit të tij. Lojtari i Kombëtares shqiptare po kalon një formë shumë të mirë me Liteksin, madje konsiderohet nga trajneri i njohur bullgar, Hristo Stojçkov. Synimi i klubit është shitja e tij në Europën Perëndimore dhe pasja në dorë edhe të pasaportës bullgare i krijon atij mundësinë që të mos trajtohet si ekstra komunitar. Liteksi e shet për 1 milionë euro, ndërkohë që e bleu 100 mijë euro nga Vllaznia. Sigurisht, që, Vajushi do të mbajë dhe atë shqiptare, teksa talenti shkodran është kontigjent i Kombëtares. Vajushi është i dyti sportist shqiptar që pranon të pajiset me pasaportë bullgare, pas mundësi Elis Guri, i cili u shpall kampion bote me flamurin e Bullgarisë dhe madje konkurroi në Olimpiadën “Londër 2012”. Liteksi i Vajushit humbi dje 1-0 me Levskin e Sofjes, në takimin e vlefshëm për Kupën e Bullgarisë (ndeshja e parë çerekfinale).

Ujkani: “Dua barazim në Norvegji dhe fitore në Shqipëri”

 Në një prononcim për mediat belge, portieri shqiptar Samir Ujkani ka folur për largimin nga skuadra siciliane, shansin te Kievo dhe mundësitë e kualifikimit të Shqipërisë për në “Brazil 2014″, në prag të ndeshjes me Norvegjinë që do të zhvillohet me 22 mars “Nëse kërkojmë shansin e ‘play-off’-it, nuk guxojmë të humbin dhe duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet brenda. Kjo nuk është e pamundur”, tha Ujkani. Ai shkoi te Kievo si portieri i parë, por deri më tani nuk e ka fituar rastin të paraqitet për ekipin në asnjë ndeshje zyrtare. “Në Palermo ndjehesha vërtetë mirë, klubi kishte probleme, por aty më pëlqente. Aty ishte problem se presidenti vendoste për çdo gjë dhe këtë vit duket se ka bërë investime të gabuara pak. Në klub erdhi drejtori i ri. Me ardhjen e tij shumë lojtarë kanë humbur respektin që kishin, edhe unë”, tha Ujkani. Palermo në janar mori nga Kievo portierin e parë, Stefano Sorrentino dhe iu dha atyre Ujkanin. “Me kalimin tim këtu, portieri i dytë Kristian Puxhonit, u paraqit në dy ndeshje mirë dhe mua më duhet të pres shansin tim. Për të tjerat jam i kënaqur këtu, mund të punoj mirë, është trajner i mirë i portierëve dhe Verona është qytet i bukur”, tha ai. Skuadra e Palermos e ka huazuar për 6 muaj, ndërsa ai ka kontratë me këtë klub deri në verë të 2015-ës, por nuk preferon kthimin te skuadra siciliane. “Absolutisht dua të largohem. Kievo ka negociuar blerjen e kartonit të shohim si rrjedhin gjërat”, tha ai.

 Humbet Sukaj

Sepehani i dy shqiptarëve, Ervin Bulku dhe Xhevair Sukaj, humbi 3-1 me Al Ghrafa të Katarit, në takimin e vlefshëm për Ligën e Kampioneve të Azisë. Sulmuesi Sukaj luajti gjatë takimit, ndërsa mesfushori Bulku qëndroi në bankinë. Këto ishin ndeshjet e dyta në grupe, teksa Sukaj ka shënuar dy gola në këtë kompeticion kundër Al Nasrit të Emirateve të Bashkuara Arabe.