Skënderbeun sheh titullin e tretë

527
Sigal

 Kampionët thyejnë Laçin dhe tani janë +12 pikë nga Teuta e vendit të dytë. Golat nga Plaku dhe Bicaj

 Sebino Plaku dhe Ditmar Bicaj i siguruan një fitore komode 2-0 Skënderbeut në Laç, në ndeshjen hapëse të javës së 17-të të Kategorisë Superiore, teksa tani kampionët e trefishtë e shohin veten me 12 pikë më shumë nga ndjekësja më afërt, Teuta (30 pikë). Një ndeshje e interpretuar në mënyrë të shkëlqyer nga skuadra e Mirel Josës, që hodhi një tjetër hap drejt titullit të tretë rresht kampion, pas atyre në sezonet 2010-2011 (me trajner Shpëtim Duron), 2011-2012 (me trajner çekun Stanislav Levi). Heroi i tri javëve të fundit të Skënderbeut quhet Ditmar Bicaj. Mbrojtësi shtatlartë lezhjan, me një të kaluar futbollistike në Bullgari, ka realizuar tre gola, në tri ndeshjet e fundit (pavarësisht, se goli kundër Bylisit, tashmë nuk i përket më statistikave). Bicaj, djali i trajnerit të njohur Vasil Bici, shënoi golin e vetëm në fitoren 1-0 ndaj Apolonisë në Fier dhe gjithashtu realizoi golin e garancisë, në fitoren 2-0 të Skënderbeut në Laç.

 PJESA E PARË – Edhe pse trajneri Mirel Josa kishte disa mungesa të rëndësishme, “stoli i gjatë” i lejoi të hidhte në fushë një Skënderbe ambicioz dhe plot grintë. Laçi, që vinte pas humbjes 2-1 në derbin me Kastriotin, luftoi fort, por me mendjen te ndeshja e së mërkurës së ardhshme për Kupën e Shqipërisë. Josa rreshtoi në vijën ofensive Sebino Plakun, të mbështetur nga Bekim Kuli. Nga ana tij, trajneri Stavri Nica, besoi te aftësitë e Burhan Emrullait dhe Valdan Nimanit, por këta të fundit nuk mundën ta shpërthenin murin e qendrës së mbrojtjes korçare: Gvozdenovic-Bici. Rasti i parë i artë i përket Skënderbeut, kur pas një pasimi të bukur të Sabien Lilajt, Sebino Plaku gjuajti mbi tra në minutën e 9-të. Plaku humbi një tjetër rast në minutën e 34-t, pas pasimit të nigerianit Orelesit. Këto ishin dy rastet më pikante, të pjesës së parë që u mbyll pa gola.

 PJESA E DYTË –  Nisi sërish për një rast për Skënderbeut, kur braziliani Ademir Souza lëshoi një silurë ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të vendasve. Laçi u zgjuar dhe në minutat 53’ dhe 57’ vuri në provë mbrojtjen e Skkënderbeut, më anë të Sefgjinit dhe kroatit Buljan. Korçarët vazhduan të krijojnë, dhe në minutën e 61-të erdhi edhe goli i Sebino Plakut, pas goditjes së dënimit të ekzekutuar nga kroati Marko Radash. Goli i shtatë sezonal i sulmuesit 27-vjeçar dhe i dyti kundër Laçit këtë edicion, përfshirë dhe rrjetën e realizuar në fitoren 3-0 të fazës së parë. Tri minuta më pas erdhi goli i Ditmar Bicajt. Goditje dënimi nga Radas, që gjen kokën e lezhjanit, i cili ndëshkon për herë të dytë kurbinasit. Nuk mund të ketë goditje më të madhe psikologjike për skuadrën e Nicës, që në momentet kur po tentonte të spostonte lojën në gjysmëfushën mike ndëshkohet nga goditjet standarde. Minutat e mbetura deri në fund kontrollohen me pragmatizëm e qetësi nga miqtë, ndërsa reagimi i bardhezinjve është i dëshpëruar dhe pa efektivitet, kështu që përfundimisht kjo ndeshje hapëse e javës së 17-të të Superiores mbyllet me fitoren e Skënderbeut 2-0.

KATEGORIA SUPERIORE

Java XVII

 Dje, 01.03.2013

Laçi-Skënderbeu            0-2

Sot, 02.03.2013

Shkumbini-Flamurtari 14:00

Bylis-Kukësi         14:00

Tirana-Luftëtari     17:00

Teuta-Besa           17:00

Nesër, 03.03.2013

Tomori-Kastrioti           14:00

Apolonia-Vllaznia    14:00

RENDITJA

1    Skënderbeu      17   +24  42

2    Teuta           16   +8   30

3    Flamurtari      16   +12  28

4    Kukësi          16   +7   27

5    Tirana          16   +5   26

6    Laçi            17   -2   24

7    Vllaznia        16   +2   23

8    Kastrioti       16   -3   22

9    Bylis           16   +0   19

10   Besa            16   -4   17

11   Shkumbini       16   -9   16

12   Luftëtari       16   -9   14

13   Tomori          16   -15  9

14   Apolonia        16   -16  8

Katër beteja për vendin e dytë

 E shtuna ofron katër ndeshje mjaft interesante, ku në aksion do të jenë katër skuadrat që synojnë vendin e dytë: Teuta do të presë Besën; Flamurtari do të luajë me Shkumbinin në Peqin; Kukësi do të udhëtoj në Ballsh dhe Tirana do të luajë me Luftëtarin në kryeqytet. Diferenca nga Teuta e vendit të dytë, me 30 pikë dhe deri te Tirana e vendit të pestë, me 26 pikë, është vetëm katër pikë.

 TEUTA-BESA

Derbi i fqinjëve Teuta-Besa, dy aleatëve tradicionalë do të zhvillohet në ndriçimin e projektorëve të “Niko Dovanës”. Trajneri i Teutës, Gugash Magani, që dikur e ka drejtuar Besën, do të sfidojë Daiun, i cili zuri vendin e të dorëhequrit Ilir Daja. Për Besën, ndeshje me durrsakët është “jetë a vdekje”, ndërkohë që Teuta nuk dëshiron të humbasë terren ndaj Skënderbeut, dhe një humbje me kavajasit do komplikonte pozitat e durrsakëve në luftë për vendin e dytë.

 SHKUMBINI-FLAMURTARI

Vlonjatët janë përballë një kundërshtari të vështirë në Peqin, dhe në urgjencë për të grumbulluar pikë të plota, nisur edhe nga pozicioni në renditje i Shkumbinit, që rrezikon të bier nga Kategoria për herë të parë pas 17 vjetësh.

Pavarësisht formës së mirë që po kalon ekipin vlonjat (katër fitore rresht), Shkumbini do të bëjë ç’është e mundur ta ndalë. Trajneri Ernest Gjoka ka ndërtuar një ansambël të mirë.

 TIRANA–LUFTËTARI

Rekordmenët e Shqipërisë hodhën një hap fals me Teutën, kur barazuan 1-1 në “Qemal Stafa” dhe rrëshqitën në vendin e pestë, por bardheblutë dhe trajneri Nevil Dede nuk besojnë se do të humbasin mundësinë e artë për të marrë tri pikë me Luftëtarin. Për më tepër që, Dede e njeh mirë ish-skuadrën që e drejtoi deri në javën e 8-të në fazën e parë.

 BYLISI-KUKËSI

Bylisi i traumatizuar, i cili ka marrë dy dënime të rënda radhazi (pas ndeshjeve me Flamurtarin dhe Skënderbeun), nga skuadër e mesit të artë e sheh veten në luftën për mbijetesë. Kukësi ka si objektiv pjesëmarrjen për herë të parë në Ligën e Europës, kështu që sfida në “Adush Muça” pritet të jetë shumë interesante. Bylisi nuk ndodhet në një pozicion komod, ndërkohë që Kukësi vjen pas fitores me Apoloninë.

   Sfidat e mbijetesës

 E diela propozon dy sfida shumë të vështira për Apoloninë dhe Tomorin, dy skuadrat që mbyllin renditjen e Kategorisë Superiore. Apolonia pret Vllazninë, me shkodranët që humbën një javë më parë me Luftëtarin, ndërsa Tomori pret Kastriotin, që fitoi para shtatë ditësh me Laçin.

 KATEGORIA E DYTË

Luftë e fortë për t’u rikthyer në elitë

 Kategoria e Dytë do të nisë të dielën, ndeshjet e fazës së dytë, të cilat përkojnë me javën e 10-të. Tek të dyja grupet, A dhe B, ka një luftë të madhe sportive për vendin e parë, që të çon automatikisht në Kategorinë e Parë.

 GRUPI A

Veleçiku i Koplikut kryeson me një diferencë të qartë prej pesë pikësh nga vendi i dytë, Olimpiku i Tiranës. Veleçiku ka grumbulluar 22 pikë pas 9 javëve të fazës së parë, duke regjistruar 7 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje (4-0 me Sukthin). Egnatia e Rrogozhinës dhe Erzeni i Shijakut, dy skuadra që dikur kanë luajtur edhe në Kategorinë Superiore, janë dhe dy zhgënjimet e mëdha të këtij grupi, pasi mbajnë dy vendet e fundit, madje Egnatia ka grumbulluar vetëm një pikë nga 27 të mundshmet, por duhet theksuar fakti se, tri pikë i janë hequr nga Komisioni i Disiplinës.

 GRUPI B

Në këtë grup lufta për vendin e parë është me të vërtetë e fortë, pasi Tepelena kryeson me vetëm një pikë më shumë se Albpetroli i Patosit. Tepelenasit kanë grumbulluar 25 pikë (8 fitore, 1 barazim dhe 0 humbje), ndërsa patosarkët 24 pikë (8 fitore, 0 barazime dhe 1 humbje, këtë të fundit 2-1 me Tepelenën). Në podiumin e tri më të mirëve është dhe Bilishti Sport, që vitet e fundit e ka bërë shpesh rrugën Kategori e Dytë-Kategori e Parë dhe anasjelltas. Dy vendet e fundit janë “pronë” e dy qyteteve fqinjë, të një qarku, Përmetit (5 pikë) dhe Këlcyrës (3 pikë), kësaj së fundit i është hequr 1 pikë me vendim të Komisionit të Disiplinës.

 Kategoria e Dytë

 Grupi A

Java X

E diel, 03.03.2013

Vlora-Luzi 2008

Sukthi-Egnatia

Korabi-Veleçiku

Domosdova-Erzeni

Turbina-Olimpiku

1    Veleçiku        9    +12  22

2    Olimpiku        9    +6   17

3    Vora            9    +5   16

4    Turbina         9    -2   15

5    Sukthi          9    +5   13

6    Domosdova       9    +1   13

7    Luzi 2008       9    +0   13

8    Korabi          9    -4   12

9    Erzeni          9    -11  6

10   Egnatia         9    -12  1

Grupi B

Java X

E diel, 03.03.2013

Memaliaj-Gramozi

Këlcyra-Bilisht Sporti

Delvina-Skrapari

Sopoti-Përmeti

Albpetrol-Tepelena

1    Tepelena        9    +16  25

2    Albpetrol       9    +19  24

3    Bilisht Sporti  9    +8   19

4    Delvina         9    +7   15

5    Sopoti          9    -2   12

6    Gramozi         9    -10  10

7    Memaliaj        9    -3   8

8    Skrapari        9    -11  8

9    Përmeti         9    -13  5

10   Këlcyra         9    -11  3

KATEGORIA E PARË

Java e përplasjeve të mëdha

 Mamurrasi dhe Pogradecit, dy nga pretedentët për të ngjitur në Superligë, do të luajnë sot, ndërkohë që Lushnja, Partizani dhe Tërbuni do të jenë në aksion të dielën, në ndeshjet e javës së 19-të.

KATEGORIA E PARË

Java XIX

 Sot, 02.03.2013

Mamurrasi-Besëlidhja

Pogradeci-Gramshi

Iliria-Himara

Burreli-Kamza

Butrinti-Ada

Nesër, 03.03.2012

Dinamo-Naftëtari

Tërbuni-Partizani

Elbasani-Lushnja

RENDITJA

 1    Lushnja         18   +20  43

2    Mamurrasi       18   +10  35

3    Partizani       18   +2   34

4    Pogradeci       18   +6   32

5    Tërbuni         18   +14  31

6    Iliria          18   +3   26

7    Dinamo          18   +3   24

8    Burreli         18   -1   23

9    Butrinti        18   -2   23

10   Gramshi         18   -8   23

11   Elbasani        18   -8   19

12   Besëlidhja      18   -4   18

13   Himara          18   -5   17

14   Ada             18   -5   16

15   Kamza           18   -10  16

16   Naftëtari       18   -15  11