Edhe pse kemi një Ministri të Mjedisit, edhe pse ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu harxhon miliona lekë dhe kohë për të organizuar konferenca për vetëmburrjen e “bëmave” të tij politike, vetëm disa dhjetëra metra larg plazhit të Vlorës, pylli i Sodës është kthyer në “Koshi i plehrave” në zemër të Vlorës. Përveçse kosh i mbetjeve inerte të qytetit, Pylli i Sodës është kthyer në vendin e hedhjes së plehrave nga banorët e ndërtimeve pa leje që kanë lulëzuar si brenda pyllit, edhe në rrethinat e tij. Pjesa më e madhe e ambientit është shndërruar në një dekompozues natyral, ku e ke të pamundur të qëndrosh nga era e dekompozimit të plehrave. Ky burim infeksioni , që vjen nga ndotja ekologjike e pyllit të Sodës, në zemrën e Vlorës bën që në qytet të rriten në mënyrë shqetësuese edhe sëmundjet infektive dhe ato patologjike.